NGA SEJDO HARKA/ Të shkruash për “Mjeshtrin e Madh” prof. dr. Ago Nezha është sa e lehtë, aq edhe e vështirë. Është e lehtë, për shkak se ai ka një veprimtari dhe krijimtari shumëplanëshe dhe tepër të gjerë e të larmishme. Por, për të njëjtin shkak, me që veprimtaria dhe krijimtaria e tij është shumëplanëshe dhe cilësore, është e vështirë të përzgjedhësh se cilat janë më të mirat për t’i analizuar brenda kontureve të një shkrimi. Jeta dhe veprimtaria dinamike, tepër e spikatur, e Ago Nezhës ka bërë që ai të mbajë mbi shpinën e tij, ndoshta CV-në më të pasur të një intelektuali dinamik dhe krijues të ditëve tona. Ai është bërë sot një nga njerëzit më të njohur të gazetarisë dhe kulturës, të veprimtarive shoqërore dhe të krijimtarisë së shumëllojtë artistike.
Kush e njohu nga afër Ago Nezhën dhe nuk u befasua nga kultura e gjerë dhe mendimi i thellë, nga fjala e ngrohtë dhe miqësia e sinqertë, nga pasioni i rrallë për të lexuar, shkruar, diskutuar e debatuar për çështje të rëndësishme të jetës dhe të shoqërisë, të shtetit dhe të politikës, të kulturës dhe të shkencës dhe të artit e të letërsisë. Shprehje e plotë e një diapazoni kaq të gjerë të kulturës së tij të spikatur, është biblioteka e tij me mbi 10 mijë tituj librash të llojeve të ndryshme, që mban dhe përdor në shtëpinë e tij, nga poezia, monografia, publicistika, proza satirike e deri te libra tekniko-shkencor.
Siç është shprehur përgjegjësia e burimeve njerëzore tek Universiteti “Luarasi” kur ka marrë CV-në e profesor Ago Nezhës, ku ligjëron te Fakulteti Ekonomik se: “Kjo CV është një enciklopedi, që do ta kishte zili çdo njeri”. Prof. Ago Nezhën, gati çdo ditë e gjen duke rendur pa u lodhur në biseda e takime të ngrohta me miq e shokë; në shtëpitë botuese, për t’i dhënë dorën e fundit të librit të radhës, në auditore universitare, në konferenca shkencore e simpoziume për të referuar temën dhe kumtesën e radhës; në promovime librash, ku është e pamundur të mos diskutojë me pasion për të evidentuar vlerat e librit të radhës.
Veprimtaria e Ago Nezhës ka bërë emër të veçantë veçanërisht për krijimin, frymëzimin dhe drejtimin me pasion e kompetencë, për 20 vite me radhë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”, e cila mban sot titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Aq mirë e drejtoi ai këtë Shoqatë, saqë janë të shumtë anëtarët e saj që, edhe sot vazhdojnë të thonë se, Ago Nezha kishte lindur për këtë punë. Pa pretenduar se do të themi gjithçka, më poshtë, me pak fjalë, do t’iu tregojmë:
-KUSH ËSHTË AGO NEZHA
Ai, me shkathtësinë zgjuarsinë dhe ambicien për të ecur në jetë, spikati që kur ishte në bankat e shkollës së mesme, ku krahas mësimeve dhe krijimtarisë letrare dhe artistike, aktivizohej dhe me grupet kulturore dhe sportin, duke luajtur vitin e maturës me skuadrën e të rinjve të Dinamos. Sapo mbaroi shkollën e mesme, u emërua agronom në Kocul të Vlorës. Prej aty konkurroi për aktor në vitin 1964, ku fitoi, por nuk iu realizua dëshira, pasi Kryeministri i kohës, Mehmet Shehu, pasi iu paraqit nevoja për agronom nga drejtuesit e rrethit, ai u shpreh: “Para se të duam art, duam bukë”. Kaq u desh për t’i ndryshuar rrjedhën e jetës, duke i dërguar dokumentet në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës (sot Universiteti Bujqësor).
Edhe aty shkëlqeu në veprimtaritë e rinisë studentore dhe për rrjedhojë, në Kongresin e Pestë të Rinisë, u zgjodh kandidat i Byrosë së Komitetit Qendror të Rinisë. Studimet 5-vjeçare në Fakultetin e Agronomisë i përfundoi me rezultate të larta në Institutin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1971, për të cilën ai nuk është bërë pishman edhe sot e kësaj dite, i bindur se njeriu i apasionuar pas profesionit të tij, mund ta japë kudo kontributin maksimal. Sapo mbaroi shkollën e lartë, u emërua shef i Propagandës në Ministrinë e Bujqësisë dhe u dërgua për stazh në Ndërmarrjen Bujqësore të Thumanës në Krujë, pasi kishte një vendim qeverie që në dikastere qendrore të mos mbahen nga bankat e shkollës, pa bërë një vit punë në prodhim. Egoja profesionale bëri që të kishte rezultate të larta në prodhim dhe të aktivizohej në punën me rininë. Këto cilësi, ku shquhej si veprimtar në punën me rininë, bën të mundur që ai të zgjidhet Sekretar i Parë i Rinisë së Rrethit të Krujës, ku punoi për katër vjet. Komiteti Qendror i Rinisë e tërhoqi duke i ngarkuar një detyrë të rëndësishme si shef i Sektorit të Jashtëm, ku pas pesë vjetësh qarkulloi duke iu ofruar disa detyra të tjera të larta, por ai preferoi detyrën e shefit të Shtypit dhe Propagandës në Ministrinë e Bujqësisë së kohës, punë që e bëri me pasion, pasi për të ishte një nga preferencat e tij.
Ago, si një njeri i etur për dije dhe kulturë, shkollimin e tij nuk mund ta konsideronte të mbyllur vetëm me arsimin e lartë bujqësor. Prandaj, krahas punës së përditshme, nisi të vazhdojë studimet edhe në dy fakultete të tjera. Pasi përfundoi studimet për Filozofi, i hyri punës me pasion për mbarimin e Fakultetit Ekonomik, ku më pas ai, jo vetëm do të doktorohet, por do të marrë dhe titullin më të lartë shkencor, prof. i shkencave ekonomike, tituj që jo vetëm i hapën dyert e auditorëve të disa universiteteve, por dhe do ta nxitnin e ndihmonin për t’u marrë me studime të thelluara shkencore dhe ndjekjen e temave e doktoratave të studentëve të tij më të mirë. Ka botuar mbi 25 libra me karakter tekniko-shkencor dhe popullarizues të shkencës dhe 36 artikuj shkencor brenda dhe jashtë shtetit. Ndryshimi i sistemit, i çeli atij horizonte e mundësi të reja në fushën e veprimtarisë politike, shoqërore dhe krijuese. Pasioni i tij i përhershëm ka qenë progresi i zhvillimit agrar të vendit.
Por, CV-ja e jetës dhe e veprimtarisë së Ago Nezhës nuk do të mbaronte brenda rutinës së përditshme. Ajo, çdo vit e më shumë nisi të bëhej, sa dinamike, aq dhe shumëplanëshe. Pasioni i tij më i bukur është publicistika politiko-satirike dhe letërsia e mirëfilltë artistike. Prof. Dr. Et’hem Ruka, duke folur për krijimtarinë e tij të larmishme thekson: “Truri i Ago Nezhës është një ‘laborator’ që prodhon pa pushim”. Ndërsa, shkrimtari i madh Dritëro Agolli, “Nderi i Kombit”, thoshte: “Ago Nezha mban në trurin e tij të gjitha ‘çelësat’ e dijes, të cilat i hedh në tregun e kulturës për t’i bërë pronë të njerëzve kureshtarë”. Ai ka shkruar mbi 40 libra të llojeve e nënllojeve të ndryshme, 25 prej të cilëve janë libra shkencorë; 5 vëllime me poezi, ku kanë spikatur librat me titujt metaforikë: “Lot në sytë e detit”, “Hëna e verbuar”, “Diell i tradhtuar”, “Hall me nuse, keq me vjehrra”; 8 libra me prozë. Ka shkruar disa monografi si ajo kushtuar “Kalorësit Balil Nezha”, “Seit Boshnjakut”, “Rron gjatë ai që le një emër të mirë” kushtuar Mëno Gjolekës, shkencëtar dhe krijues i Partisë Agrare shqiptare dhe “30-vjetorit të Shoqatës Labëria”. Ka përgatitur disa skenarë filmash dokumentarë për bujqësinë, për bukuritë natyrore të Dukatit, vendlindjes, të cilin e quan “Mekën” e tij, ku është falur dhe vazhdon të falet tërë jetën.
Por librat e tij më të lexuar dhe pëlqyer nga lexuesit janë përmbledhjet publicistike me impulse të dukshme satirike: “Papagajtë e politikës”, “Ishim më mirë kur ishim më keq”, “Demonët e demokracisë” dhe “Shqipëria dhe krahinomania”, që kanë dalë në qarkullim kohët e fundit. Për veprimtarinë e tij të dendur e cilësore dhe si veprimtar i spikatur shoqëror, ai sot mban titujt e nderit “Mjeshtër i Madh”, “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”, “Personalitet i Shquar i Labërisë”, “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” dhe është Qytetar Nderi i Qarkut të Gjirokastrës. Qytetar Nderi i Vlorës, Tepelenës, Orikumit, “Medalje për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”, “Medalje Pune”, e mjaft nderime e mirënjohje nga organizata e shoqata Atdhetare Kulturore të vendit. Është organizator i shumë veprimtarive bujqësore, si festa prodhimi, konkurse dhe panaire kombëtare e ndërkombëtare në shumë vende të botës.
“ISHIM MIRË KUR ISHIM KEQ” DHE “DEMONËT E DEMOKRACISË”, LIBRA QË STIGMATIZOJNË POLITIKANË DHE PUSHTETARË, QË PENGOJNË ZHVILLIMIN EUROPIAN TË SHQIPËRISË
Në pamundësi për t’i analizuar dimensionet e plota të publicistikës politiko-satirike të prof. dr. Ago Nezhës, po ndalemi tek dy nga librat e tij më të pëlqyera, me titujt kuptimplotë: “Ishim më mirë kur ishim më keq” dhe “Demonët e demokracisë”. Thelbin etimologjik të titullit të librit publicistik satirik “Ishim më mirë kur ishim më keq”, Ago Nezha e sqaron që në krye të tij, përmes shënimit “Në kërkim të një emri”. Shprehja “Ishim më mirë kur ishim më keq”, shkruan autori, është një sentencë që kishte kohë që më gërvishte memorien, si refleksion i qëndrimit të poetit arbëresh Viçenso Stratigoi para gjyqit. Kur gjykatësi e pyeti: “Cila është fjala jote e fundit, i pandehur!?”, ai iu përgjigj: “Ishim mirë kur ishim keq”.
Kjo përgjigje, vazhdon autori, kishte kohë që flinte në kujtesën time, pa menduar se një ditë do të bëhej titulli i një libri. Pas shumë kohësh këtë thënie interesante Ago Nezhës do t’ia risillte në kujtesë Sulltana, dajesha e bashkëshortes së tij, e cila në kohën e monizmit, për të vetmin “mëkat” se paskësh qenë familje tregtare, e kishin internuar familjarisht në Levan të Fierit. Kur nisi demokracia, ajo ishte e para që shpresonte për ndryshimin e Shqipërisë. Por, pas ca kohësh, tregon autori, kur shkuam për një vizitë në Shkodër te Sulltana, ajo në vend që të na shprehte kënaqësinë që i kishte sjellë demokracia, plot dëshpërim na tha: “Kemi humbur sigurinë, qetësinë dhe harmoninë shoqërore e familjare. Jetojmë si në xhungël. Vijnë malësorët e Mbishkodrës dhe na kërcënojnë natën me automatik në dorë, dhe duke kapërcyer muret, na paralajmërojnë: -Mos lëvizni, kemi ardhur t’u marrim makinën dhe gjithçka…”.
Dukej që zemërimi dhe zhgënjimi i kësaj gruaje, që kishte provuar edhe internimin famëkeq të monizmit, kishte arritur kulmin, aq sa e tronditur tha: “Demokraci të tillë s’e deshëm kurrë… Ja, prej këtyre dy ngjarjeve, të dy kohërave të ndryshme dhe prej gojës së dy njerëzve të ndryshëm, do të lindte sentenca ‘’Ishim më mirë kur ishim më keq”, të cilën publicisti Ago Nezha, do ta bënte titullin e librit të tij më të bukur, për të shprehur zhgënjimin e njerëzve ndaj mënyrës se si erdhi dhe po zvarritet ardhja e të ashtuquajturës demokraci. Në parathënien e këtij libri, prof.dr. Ksenofon Krisafi, mes të tjerash thekson: “Ago Nezha është një person mjaft i njohur publik për shkak të kontributeve të tij të vazhdueshme. Ai është një intelektual aktiv në jetën politike, sociale, akademike, shkencore, publicistike dhe letraro-artistike. Është një profesor dhe veprimtar i palodhur dhe me bindje të palëkundura për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. I motivuar nga dashuria për atdheun, vendlindjen dhe traditat tona më të mira, nuk ndalet së shkruari për fshikullimin e dukurive negative të shoqërisë sonë dhe për promovimin e vlerave dhe traditave tona më të mira…”.
Libri publicistik i Ago Nezhës “Ishim më mirë kur ishim më keq”, herë i ngjan një përmbledhje shkrimesh me profil politiko-publicistik me nota të thella satirikosarkastike, herë një libri unik që përbëhet nga disa pjesë, por që i lidh boshti tematik, personazhet e karakteret dhe në mënyrë të veçantë stili, gjuha dhe koloriti i thellë satiriko-pamfletik. Në faqet e këtij libri, herë rendin njerëzit e ditur dhe punëtorë me virtytet e tyre të larta dhe herë hileqarët e kusarët e veçanërisht ata politikanë e pushtetarë, që me veset dhe huqet e tyre të shëmtuara, me revanin e tyre të pandalshëm, rendin si kuaj hergjele për të siguruar sa më shumë privilegje, pushtet dhe para. Dhe, për të shëruar shoqërinë tonë nga këto të këqija të mëdha, autori “bubullimat” më të mëdha metaforike dhe sarkastike i lëshon mbi ata, që çdo gjë e bëjnë për para, pushtet dhe ego personale. Forcën reflektuese të këtij libri e gjen tek fakti që, kushdo që e lexon, gjen shkallën e përgjegjësisë dhe të mëkatit të vetvetes. Në shkrimet satirike dhe sarkastike të këtij libri gjen dhe emrat konkretë të personave përgjegjës të politikës dhe të pushtetit, të cilët i fshikullon me guximin dhe përgjegjësinë e një qytetari dhe intelektuali, që nuk toleron askënd. Por vlera të papërsëritshme kanë edhe shkrimet publicistike satirike, që fshikullojnë qëllojnë me “plumba” metaforikë, jo emra të përveçëm, por dukuri negative thelbësore të shoqërisë, politikës dhe pushtetit, ku secili sheh veten si në pasqyrë. Protagonistët e satirave dhe pamfleteve politike të Ago Nezhës janë ata që “fronin” e politikanit dhe të pushtetarit e shohin të përjetshëm dhe si istikam për mbrojtjen e vetvetes dhe njerëzve të tij.
Ata shpesh e përdorin si armë të sofistikuar në luftë kundër kujtdo, që guxon të prekë pushtetin paratë e pamerituara dhe “dinjitetin” e tyre të përlyer. Për t’u bërë të pazëvendësueshëm dhe të pathyeshëm, ata nuk ngurojnë të krijojnë ortakëri besnikërie, të cilat autori i quan “Çeta çakejsh”. “Plumbat” metaforikë, Ago Nezha, i drejton edhe kundër të ashtuquajturve opinionistë, të cilët për të “lehur” për ustallarët, që i ushqejnë me “kockat” e tyre, nuk e kanë për turp, që të bardhën ta bëjnë të zezë dhe të zezën ta bëjnë të bardhë. Politikanë dhe opinionistë të tillë, Ago Nezha nuk nguron t’i quajë: “spekulatorë, mashtrues, të pacipë, injorantë, vulgarë e të pashpresë”. Intelektuali A. Nezha, si dhe shumë njerëz të tjerë idealistë me këmbë në tokë, i njeh ndryshimet që solli demokracia, por ato i quan të pamjaftueshme për mundësitë reale të vendit tonë. Me penën e tij, ai di të gërmojë për të gjetur jo vetëm shkaqet, por edhe shkaktarët. Një prej gabimeve fatale, ai quan mënyrën se si u bë privatizimi i pasurisë të një pune gati 50-vjeçare të popullit dhe zbatimi i një ligji të padrejtë, i cili bëri që tokën dhe çdo lloj prone ta merrte, jo ai që i takonte, por i forti, hajduti dhe krimineli, sipas ligjit të pashkruar të të fortit të xhunglës “Rrëmbe merr dhe ik”! Ja, kjo ishte filozofia e të ashtuquajturve “Demonët e demokracisë”.
Kjo ishte bëma më mëkatare e tyre, që me teoritë e tyre mburravece, premtuan se nga qielli do të zbrisnin mbi tokë mrekullinë. Në satirën publicistike “Politikanët e plehrave, apo plehrat e politikës”, autori stigmatizon politikanët mburravecë që s’lodhen duke folur për mrekullitë që i kanë sjellë vendit me politikat, mendjen dhe duart e tyre. Por harrojnë se një pjesë e mirë e djersës së popullit e kanë lënë frymën në llogaritë e tyre Ofshore të Europës, deri në ishujt Karaibe, ndërsa të tjerat në vilat e tyre luksoze dhe në operacionet estetike si në përralla, për të meremetuar e fshehur shëmtinë e tyre morale dhe fizike. Për të fshikulluar ashpër dukuritë negative të shoqërisë së sotshme dhe metamorfozën e atyre politikanëve dhe pushtetarëve, që s’kanë lënë gjë pa i bërë këtij populli e këtij vendi të shumëvuajtur, përdor, herë ‘’piperin’’ metaforik dhe herë “majën thumbuese të Hostenit” humoristik, here “shpatën e mprehtë të sarkazmës” dhe herë “kazmën dhe lopatën pamfletike, për të shkulur dhe groposur ato ‘ferra’, të cilat i janë pleksur vendit tonë nëpër këmbë, për të mos e lënë të ecë përpara. Në këtë libër autori fshikullon ashpër dhe ata, që për të përmbysur vlerat kombëtare të popullit tonë, arrijnë deri atje sa të mohojnë edhe Luftën Nacional-Çlirimtare dhe heronjtë e dëshmorët e saj, që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Shkrimet satiriko-politike të librave publicistike të Ago Nezhës janë proza të bukura poetike, të cilat marrin forcë fshikulluese, jo vetëm përmes brendisë satirike, por dhe përmes vjershërimit, rimave dhe kadencave humoristike. Një nga prozat më të bukura poetike satirike të Ago Nezhës, është ajo me titullin: “Politikanë sharlatanë dhe opinionistë pehlivanë”. Për të kuptuar thelbin sarkastik dhe tipat dhe tertipat që ai ka vënë në shënjestrën e tij, mjafton të citojmë këtë fragment: “Në sofrën shqiptare që shumëkush e quan ‘demokraci’, kemi parë e dëgjuar parodistët politikanë, sharlatanë dhe opinionistë pehlivanë, që s’na janë shqitur… Politikanët dhe opinionistët, këto qenie ‘simpatike’, luajnë role komike… Deri dje kanë ngrënë bukë me domate, sot ngrysen të varfër e gdhihen me vila e pallate…”. Rreshtat e kësaj parodie pamfletike u ngjajnë vargjeve të poezisë së poetit të madh vlonjat Ali Asllani me titullin e bukur “Është koha e maskarenjve”: “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka, të pabrekë ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka”. I frymëzuar nga kjo poezi sarkastike, Ago Nezha e vazhdon fshikullimin e tyre sarkastik me vargun prozaik satirik:’ ’Hani, pini dhe rrëmbeni, po, pse popullin e gënjeni!?. Aq shumë janë pasuruar, thekson autori i këtij libri, sa “janë mbytur deri në grykë me prona, para e pasuri, me toka, vila e shtëpi, sa fundin askush nuk ua di”.
Dhe, si për çudi, ironizon më poshtë Ago Nezha, si shpëtimtarë “Dalin ca opozitarë, batakçinj e kokëtharë, që besojnë, se rërën mund të na i shesin për farë”. Për Ago Nezhën janë të shumtë politikanët dhe pushtetarët, ashtu siç thekson dhe Maks Verber, që e kërkojnë pushtetin, jo për të shijuar ndjenjat idealiste të prestigjit dhe dinjitetit të tyre, por për të shijuar, privilegjet dhe veçanërisht pasurimin e ethshëm dhe pushtetin e përjetshëm. Për t’i siguruar këto privilegje e pushtet absurd ata krijojnë edhe aleanca grenxash dhe kokorozësh, të cilët këndojnë mbi maja plehrash dhe ndeshen në beteja donkishoteske. Me egoizmin dhe djallëzinë e tyre, ata arrijnë të krijojnë dhe “aleanca plehrash dhe fundërrinash”, herë për të marrë pushtetin dhe herë për ta bërë atë pronë të përjetshme. Me publicistikën e tij satirike, Ago Nezha nuk nguron të fshikullojë ashpër edhe drejtësinë, veçanërisht ata gjyqtarë e prokurorë, që me veprimet e mosveprimet e tyre, për një kohë të gjatë, kishin bërë që njerëzit, të dëshpëruar, të arrinin të thoshin “ku është drejtësia , është padrejtësia”.
Për ta shprehur më qartë këtë dëshpërim të njerëzve, satiriku Ago Nezha përdor sentencën e Likoln-it “Ujku dhe qengji i kuptojnë në mënyra diametralisht të kundërt fjalët liri dhe drejtësi”.(108). Autori i këtyre tre librave publicistikë që i bashkon, jo vetëm stili dhe koloriti sarkastik, por edhe problematika, ironizon e fshikullon ashpër edhe ata pushtetarë e politikanë që me heshtjen dhe qëndrimet e tyre dashakeqe, për interesa të ngushta ideologjike e partiake, marrin në mbrojtje tradhtarët e kombit dhe hedhin baltë mbi figura të shquara të atdhetarizmit shqiptar. Ai ironizon e sarkatizon edhe ata pushtetarë dhe intelektualë që për interesa të ngushta vetjake, shesin traditat e kulturës shqiptare. Duke hedhur dritë mbi origjinën thellësisht shqiptare të këngës labe, ai satirizon ata që me mendjelehtësi mbrojnë tezën se kënga labe, na paskësh ardhur nga sirenat greke. Në pjesën e dytë të librit “Ishim mirë kur ishim keq”, të cilën e titullon “Shkatërrimtarët e Shqipërisë”, autori godet me “plumba” sarkastikë ata politikanë e pushtetarë, që me politikat e tyre anarshiste e tepër të gabuara, e rrënuan tërë Shqipërinë si goxillat brenda një nate, gjithçka që ishte ndërtuar me mund e gjak nga populli ynë, për gati gjysmë shekulli. Një rrënim i tillë, thekson polaku Zh. Karodi, ndodh sepse në çdo kthesë shoqërore njerëzore, në fillim pushteti bie në duart e fanatikëve mendjengushtë e hipokritëve tiranë. Kështu ndodhi edhe në vendin tonë.
Pas tyre radha u vjen dështakëve. Ndërsa koha e elitës së vërtetë, duket se s’ka ardhur akoma. Për prof. dr A. Nezhën paratë e pista janë djersa dhe mundi i papaguar i popullit. Ndërsa pasanikët e Shqipërisë, që nuk dinë se sa dhe ku i kanë pasuritë e tyre të grabitura, i quan shushunja që s’kanë të ngopur kurrë. Në pjesën e tretë me titullin “Pazaret e politikës”, autori stigmatizon politikanët që ngërçet politike i përdorin si pazare politike e jo çështje për zgjidhjen e interesave të zhvillimit të vendit dhe të mirëqenies së popullit. Ndërsa për të ironizuar copëzimin e politikës shqiptare autori përdor fejtonin publicistik qesëndisës “Moj e mjera Shqipëri, me 100 e ca parti”(355). Në publicistikën e tij A. Nezha del në mbrojtje edhe çështjes çame. Ai stigmatizon me guxim gjenocidin çnjerëzor që Napolon Zerva, i verbuar nga idetë shoviniste, ndërseu mbi popullin etnik çam, dëbimin më të egër të shk.XX. Egërsia e Zervës, thotë autori, nuk ka të bëjë fare as me kulturën e Sokratit, as me qytetërimin e lashtë helen. Thumbat satirikë autori përdor edhe ndaj politikanëve dhe pushtetarëve tanë, të cilët për mungesë përgjegjësie dhe guximi, nuk kanë mundur të bëjnë përpjekjet e duhura për zgjidhjen e çështjes çame. Siç kemi theksuar edhe më lartë, një nga tiparet më të veçanta të publicistikës politike të Ago Nezhës janë prozat poetike satiriko-sarkastike. Në pamundësi për t’i analizuar të gjitha po përmendim vetëm titujt e disa prej më të mirave.
Ato janë: “Cilën gënjeshtër të besojmë”, “Mjerë kush na jep mend”, “Diploma pa dije”, “Të rrjedhurit”, “Akademi shkencash, pa shkencëtarë” etj.. Pozitiv është fakti që autori i këtyre librave publicistikë, edhe pse shpreh dëshpërimin e vetes dhe të lexuesve ndaj dukurive negative që e pengojnë zhvillimin e vendit tonë, nuk e ka humbur shpresën se Shqipëria një ditë do të bëhet. Dhe këtë do ta bëjnë vetë shqiptarët, kur ata të kuptojnë se janë opozitarë, por jo armiqtë e njeri tjetrit. Së fundi, këto shënime të shkurtra për profilin krijues dhe publicistik të Mjeshtrit të Madh Ago Nezha, duke i uruar suksese të mëtejshme, po i mbyllim me vlerësimet që i bëjnë atij disa nga personalitetet më të njohura të letrave shqipe: Akademiku Rexhep Qose, në epilogun e librit publicistik të këtij autori, me titullin “Demonët e Demokracisë”, mes të tjerash shkruan: “Ago Nezha, si njohës i mirë i politikës e i dukurive negative të saj dhe guximtar i pakompromentueshëm, nuk mund të mos i satirizonte thellë korrupsionin dhe servilizmin, klintelizmin dhe krahinizmin, injorancën dhe lokalizmin…”.
Ndërsa shkrimtari i madh dhe “Nderi i Kombit” Dritëro Agolli thekson: “Miku im Ago Nezha, demonstron energji të pashtershme për të shkruar publicistikë, poezi dhe prozë me vlera të mirëfillta ideore dhe artistike”. Prof dr. Ismet Elezi, thekson, se në krijimtarinë e tij publicistike pasqyrohen vlerat morale atdhetare dhe shoqërore të popullit tonë. Ndërsa Akadrmiku Pëllumb Xhufi, shkruan :‘’Publicistika e A. Nezhës, flet për një ndërgjegje dhe guxim të madh qytetar e patriotik, që është i pazakontë për ditët tona’’. Kurse prof. dr. Et’hem Ruka, konsideratat e tij të larta për të, i mbyll me këto fjalë: “Ago Nezha nuk lodhet kurrë së shkruari për vendlindjen dhe Atdheun”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al