Mjekët psikiatër, raport për Griseldën

Jul 1, 2011 | 10:14
Elvis dhe Griselda Roshi

Griselda Zaimi, ish-bashkëjetuesja e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, i nënshtrohet ekspertizës për gjendjen mendore në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.Pak ditë më parë, Griselda Zaimi, emri i së cilës u bë publik pas denoncimit të rremë për rrëmbimin e saj, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime mbi gjendjen mendore të saj. Tre ekspertë mësohet se kanë kryer një seancë pyetje-përgjigjesh me Griselda Zaimin për më se katër orë, me qëllim ekzaminimin e gjendjes në të cilën ndodhet 28-vjeçarja. Brenda ditës, mjekët kanë kryer verifikimet e nevojshme, duke lënë 28-vjeçaren të lirë. Ekspertiza është kryer me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila po heton ende çështjen e “rrëmbimit” të Griselda Zaimit dhe denoncimin e rremë për lindjen e saj e marrjen peng të fëmijës. Pas përfundimit të verifikimeve, mjekët kanë nisur të hartojnë raportin që do të dërgohet në Prokurori për llogari të hetimeve që u hapën mbi denoncimin e bërë në Policinë e Tiranës më 1 qershor 2011 nga Sajmir Roshi, vëllai i Elvis Roshit, kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Pyetjet që mjekët psikiatër i kanë drejtuar Griselda Zaimit mësohet se kanë pasur të bëjnë me fëmijën, shtatzëninë, bashkëjetesën me kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshin, si dhe një sërë çështjesh të tjera private. Edhe në këtë seancë pyetje-përgjigjesh me mjekët mësohet se Griselda Zaimi ka pretenduar vërtet se në ditët para se të bënte denoncimin në Policinë e Tiranës, e ka ndjekur një makinë me xhama të zinj. Griselda u ka shpjeguar mjekëve se këtë makinë e ka parë të paktën tri herë gjatë lëvizjeve të saj në Tiranë ato ditë. Çdo përgjigje, çdo reagim dhe çdo tregues i mimikës së Griselda Zaimit është mbajtur shënim nga mjekët, pas çdo pyetjeje të bërë me qëllim që gjithçka të interpretohet më pas në vlerësimin për gjendjen psikike të 28-vjeçares. Ekspertimi psiko-mendor i ish-bashkëjetueses së kryetarit të Bashkisë së Kavajës është kërkuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas Prokurorisë, gjendja mendore e Griseldës duhet të verifikohet, e nëse ajo del e rregullt mendërisht, rrezikon akuzën e kallëzimit të rremë. Kjo akuzë i referohet dëshmisë së dhënë nga Griselda Zaimi mesditën e 1 qershorit 2011 në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku pretendoi se ishte rrëmbyer në Tiranë dhe ishte rrahur nga persona që e kanë detyruar të lindë fëmijën dhe, pasi i kanë marrë foshnjën, e kanë hedhur në një kanal në Kavajë. Dosja penale u regjistrua dhe mbeti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi në momentin e nisjes së hetimeve ngjarja u mor seriozisht dhe u konsiderua si një krim që mund të kishte lidhje me kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Ai kishte bashkëjetuar me Griselda Zaimin deri disa muaj më parë, por më 2 qershor e “divorcoi” 28-vjeçaren, duke e përcjellë në banesën e prindërve të saj në Tiranë.

Prokuroria: Presim raportin e tre psikiatërve

TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të raportit me shkrim nga komisioni prej tre mjekësh për vlerësimin e gjendjes psiko-mendore të Griselda Zaimit. Bazuar në vlerësimin e mjekëve do të vendoset më pas edhe ecuria e çështjes penale. Nëse rezulton se Griselda Zaimi ka reagime jo normale ndaj shtatzënisë, ndaj faktit se nuk bën dot fëmijë, ndaj bashkëshortit apo ndaj situatave të tjera jetësore, sipas Prokurorisë, 28-vjeçarja nuk mban përgjegjësi penale. Por, nëse rezulton se gjendja mendore është e rregullt dhe nuk ka pasur asnjë tronditje psikike tek 28-vjeçarja, atëherë ajo rrezikon përgjegjësinë ligjore. Griselda Zaimi kishte disa muaj që jetonte e ndarë nga Elvis Roshi, për shkak të angazhimit të këtij të fundit në fushatën elektorale për Bashkinë e Kavajës, drejtimin e së cilës e mori pas 8 majit, sepse u shpall fitues i zgjedhjeve lokale.

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura