Rreth 10% e mjekëve nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të rritur nivelin e dijeve të tyre. Që nga viti 2010, kur ka nisur reforma e Edukimit në Vazhdim për bluzat e bardha, ata kanë evituar pjesëmarrjen në konferenca e trajnime për të fituar qoftë edhe një kredit të vetëm për rritjen profesionale. Për ministrin e Shëndetësisë, Vangjel Tavo, pjesa tjetër e profesionistëve të shëndetësisë ka nivel të kënaqshëm trajnimi. Mesatarja e krediteve është 36 për çdo mjek, për harkun kohor dyvjeçar. Tavo u bëri apel mjekëve të mos neglizhojnë aktivitetet e ngritjes profesionale. I pranishëm në analizën gjashtëmujore të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, ai theksoi se edukimi në vazhdim është një nga tri prioritetet kryesore të shëndetësisë. “Oferta për programe trajnimi, ndonëse është rritur në total, duhet të shtrihet gjeografikisht me qëllim që të rrisë aksesin e mjekëve, dentistëve dhe farmacistëve që jetojnë dhe punojnë jashtë Tiranës apo qyteteve kryesore të vendit, në zonat e thella rurale, aty ku edhe nevojat mund të jenë më të mëdha”, u shpreh ministri Tavo. Gjatë dy viteve të para në Shqipëri janë zhvilluar 356 programe trajnimi të akredituara, duke filluar nga kongrese kombëtare dhe rajonale, deri në kurse trajnimi interaktive, ndërsa numri i krediteve të ofruara gjatë këtyre aktiviteteve është 289 372 kredite. Numri minimal i detyrueshëm i krediteve të Edukimit në Vazhdim për vitin 2012 është 15, ndërsa numri i rekomanduar i krediteve është 30.











