Mjekët e infermierët, 32% s’përdorin dorezat plastike

May 21, 2012 | 12:45

Rreth 32% e mjekëve dhe infermierëve nuk i përdorin asnjëherë dorezat gjatë ndërhyrjes te të sëmurët. Rrallë i përdorin, 33% e tyre, ndërsa shpesh 35%. Këto shifra tregojnë se ekspozimi i tyre dhe i pacientëve është i lartë ndaj dhjetëra infeksioneve që mund të përhapen nga kontakti i drejtpërdrejtë me lëkurën. Janë 20 lloje infeksionesh, pasojë e shpimeve dhe prerjeve, ndaj të cilave janë të ekspozuar bluzat e bardha. Përgjithësisht, në rang botëror, rreth 63% e shpimeve shkaktohen nga aget e injeksioneve. Sipas të dhënave të ISHP-së, rreth 49% e të pyeturve deklarojnë të kenë pasur aksident profesional gjatë punës (shpim, prerje, kontaminim të lëkurës, syve, mukozave). Po kaq deklarojnë të kenë parë kolegë të punës të pësojnë aksidente profesionale gjatë punës. “Rreth 73% kanë pasur disa herë gjatë viteve aksidente, ndërsa 15.2% kanë pasur vetëm këtë vit aksidente”, thuhet në studim. Sa i përket kategorizimit të aksidenteve, nga të dhënat rezulton se 70.8% janë shpime nga aget me të cilat i bëhet injeksion pacientit. Prerje me pajisjet që përdoren për hapje plage, apo ndërhyrje të tjera kirurgjikale raportohen në masën 17.9%, ndërsa kontaktet e lëkurës, 9.1%. “Vetëm 2% e të intervistuarve deklarojnë të kenë kryer ekzaminime serologjike, individualisht pasi i ka ndodhur një aksident i kësaj natyre”, thuhet në studimin e bërë me target-grup mjekët dhe infermierët.

© Panorama.al

Te lidhura