Mjekët, 1 orë në protestë për dhunën ndaj kolegut

Sep 5, 2012 | 12:32
Protesta e mjekëve në Korçë

KORÇE – Mjekët e Korçës ndërprenë punën dje për një orë dhe protestuan duke deklaruar solidaritetin e tyre ndaj kolegut të dhunuar në krye të detyrës. Rrahja e mjekut pneumolog Thoma Nini nga pacienti i tij është dënuar nga i gjithë stafi mjekësor, të cilët kërkuan më shumë siguri e garanci për punën e tyre. Protesta e heshtur, ku merrnin pjesë rreth 200 mjekë, nisi paraditen e djeshme, në orën 10:00, në ambientet e jashtme të spitalit “Tini Konomi” dhe zgjati gati 1 orë, duke pezulluar punën në të gjithë spitalin. “Ngjarja e djeshme na ka revoltuar, por edhe na ka bërë të vetëdijshëm se jemi përballë një rreziku të madh. Jemi këtu për të sensibilizuar mbarë opinionin qytetar, për t’i thënë stop dhunës ndaj bluzave të bardha. Ne jemi në shërbim të plotë të qytetarëve dhe raste të tilla janë të paprecedenta. Në këtë protestë njëorëshe do të mbështesim kolegun tonë, Thoma Nini, i cili u dhuna fizikisht, në mënyrë barbare nga një pacient, sigurisht jo për faj të tij”, u shpreh nëndrejtori i spitalit në Korçë, Gjergji Gjata. Ish-konsulli shqiptar në Selanik, mjeku Thoma Nini, u godit me karrige pas koke nga pacienti i tij, pas një debati për plotësimin e dokumentacionit që do ta nxirrte në KEMP. Ngjarja ndodhi në dhomën e tij të vizitave, teksa ishte duke kryer një vizitë mjekësore me një tjetër pacient, kur ai befasisht u bë pre e dhunës fizike. Familjarët e të arrestuarit i janë drejtuar Policisë nga ku kanë pretenduar se 61-vjeçari ka probleme psikike. “Gjatë deklarimeve, ai ka qenë i lëkundur, i pasigurt dhe shpeshherë e humbiste fillin e bisedës, gjë që hedh dyshime për gjendjen psikologjike të tij. Gjithsesi, ne nuk mund ta themi zyrtarisht, ndaj kemi kërkuar që ai t’i nënshtrohet kontrollit nga një specialist për të arritur në përfundimin e duhur”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit. Mjeku Thoma Nini, pasi ka qëndruar për disa orë nën kontrollin e personelit mjekësor, mësohet se është duke u trajtuar në banesën e tij. Edhe pse gjendja e tij paraqitet jashtë rrezikut për jetën, plagët e shkaktuara në kokë nuk e kanë lejuar që ai të rikthehet në punë për të ushtruar profesionin.                   dh.d

© Panorama.al

Te lidhura