
Gara për dekan në Fakultetin e Mjekësisë nuk ka kaluar pa ankesa deri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Rektorat. Njëri prej kandidatëve, Pëllumb Pipero, ka kërkuar që konkurrenti tjetër, Bajram Hysa, të përjashtohet, me pretendimin se nuk i plotëson kriteret. Përfaqësuesit e shtabit elektoral të Hysës e kanë cilësuar si tërësisht të pabazë këtë ankesë e në fakt edhe përgjigja e KQZI-së është në favor të tyre. ”Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi shqyrtoi ankesën e prof.as.dr Pëllumb Pipero, ju sqaron se kandidati profesor Dr. Bajram Hysa plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 20, pika 2 e ligjit të arsimit të lartë dhe pika 7.6 e rregullores së zgjedhjeve për të kandiduar për këtë autoritet drejtues. Për sa më sipër, kandidimi në postin drejtues për dekani të Fakultetit të Mjekësisë është i ligjshëm”, thuhet në shkresën që përmban përgjigjen ndaj kësaj ankese. Pas disponimit të kësaj përgjigjeje, kandidati Pëllumb Pipero na sqaroi objektin e kësaj ankese. “Kanë qenë dy kërkesa për të parë përputhshmërinë me ligjin e arsimit të lartë dhe rregulloren e zgjedhjeve. E para, ishte verifikimi nëse qenia kancelar dhe pedagog i zotit Hysa është në përputhje me ligjin e arsimit të lartë. Pasi ligji është taksativ, që kancelari nuk mund të mbajë asnjë post. Rrjedhojë e kësaj është një tjetër pikë që bie ndesh me rregulloren, sipas së cilës kandidati për pozicion drejtues në institucionet e arsimit të lartë duhet të ketë formim në përputhje me institucionin. Pra, një mjek nuk mund të konkurrojë për në krye të Fakultetit të Ekonomisë për shembull”, sqaroi Pipero. Sipas tij, këto dy pika të ligjit dhe rregullores mund të përbëjnë në një fazë të dytë objekte të një padie edhe në gjykatë. ”Ne do të shohim si do të shkojnë zgjedhjet, por me këto argumente ligjore mund t’i drejtohemi edhe gjykatës. Nëse Komisioni i Zgjedhjeve e ka vlerësuar të ligjshëm, kjo nuk na takon ne ta gjykojmë më tej”, tha Pipero.
NERTILA MAHO











