Si po organizohet fushata në të vetmin fakultet të UT me 4 kandidatë.
Lobimet dhe takimet e kandidatëve për të marrë votat.
Që gara në Fakultetin e Mjekësisë për dekanin e ri do të ishte e fortë, u përfol përpara se të niste procesi zgjedhor. Që në fillim ishte i vetmi fakultet me tre kandidatë në garë, ndërsa në prag të mbylljes së afatit zyrtar për regjistrimin u shtua edhe një tjetër. Kancelari aktual, Bajram Hysa dhe drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ishin të parët që nisën fushatat për të bindur stafin akademik e studentët t’u japin votat. Zv.dekani aktual, Genc Sulçebe, gjithashtu shpalli programin e tij, ndonëse pa shumë bujë. Tri ditët e fundit, kardiokirurgu i njohur Arben Baboçi ka nisur takimet me pedagogët e studentët duke shtuar ritmin e fushatës, për të rikuperuar kohën e futjes me vonesë në garë. Janë rreth 3700 studentë dhe 220 pedagogë që do të vendosin se cili prej tyre meriton të marrë postin e dekanit. Ajo çka përflitet korridoreve e auditorëve të Fakultetit, është se dy kandidatët që garojnë më fort, janë Pëllumb Pipero e Bajram Hysa. Mbizotëron ideja se “lufta” bëhet mes dy kampeve të mbështetësve të tyre. Madje, nuk mungojnë zërat se kandidatët e tjerë u bënë pjesë e konkurrimit pikërisht për të “vjelë” vota nga dy palët. Nga kontaktet që ne morëm me secilin kandidat, këta zëra na u mohuan kategorikisht. Ndërkohë, pedagogët kanë nisur të flasin hapur për preferencat e tyre, madje një pjesë duke u përpjekur të bindin edhe studentët. Në Fakultetin e Mjekësisë, i konsideruar elitar për cilësinë e studentëve që pranon, këto ditë flitet vetëm për zgjedhjet e dekanit të ri.
Dy modelet e fushatave
Sapo hyn në lokalin e tejmbushur me studentë brenda Fakultetit, gjen fletëpalosje me programet e dy kandidatëve. Pëllumb Pipero dhe Barjam Hysa kanë zgjedhur pak a shumë të njëjtin model fushate. Brenda fakultetit dhe jashtë janë ngjitur postera të tyre me sloganet e zgjedhura për garën. Kandidati tjetër, Genc Sulçebe, ka gjithashtu disa postera të ngjitura në mur, ndërkohë që mungojnë fletëpalosjet. Arben Baboçi të paktën deri tani është jashtë këtij modeli fushate. Ngjashmëria tjetër mes Piperos dhe Hysës, nga sa na konfirmuan edhe përfaqësuesit e shtabeve elektorale që i përfaqësojnë, janë takimet masive me studentët. Për të marrë votat e këtyre të fundit, ndonëse kanë vlerë vetëm 20% të totalit, po lobohet jo pak. Në vijim janë planifikuar takime të tjera me studentët e trevave, specializantët. Ndërsa modeli i Sulçebesë dhe Baboçit është fokusuar në grupime më të vogla. Madje, organizatorët e fushatave të tyre i cilësojnë të “lustruara” shpërthimet e posterave e fletëpalosjeve, në një kohë kur sipas tyre nuk bëhet fjalë për zgjedhje politike, por akademike. Në axhendën e tyre janë planifikuar takime me grupe të vogla studentësh e pedagogësh, të cilëve u parashtrohen programet. Të gjithë kandidatët premtojnë kurrikula të reformuara, dixhitalizim të informacionit, si dhe infrastrukturë në Fakultetin, i cili do të nxjerrë brezin e mjekëve të rinj. Ditët në vijim, fushata pritet të jetë edhe më intensive, deri më 20 shkurt, kur votat e fshehta do të hidhen në kuti.
Arben Baboçi
Nuk do bëjmë fushatë lustrash në Facebook
Ka nisur turi i takimeve në të gjitha specialitetet, kryesisht me grupe të vogla. Kjo është puna fillestare e nisur nga ai dhe stafi i tij elektoral, pasi kandidati Arben Baboçi është regjistruar vetëm katër ditë më parë si kandidat në zgjedhjet për dekanin e ri në Fakultetin e Mjekësisë. “Të njëjtën skemë do të zbatojmë edhe me studentët. Nuk do të ketë takime masive, as fushata Facebook-u dhe postera, pasi pas 30 vitesh punë dhe eksperience akademike mendojmë se zotit Baboçi nuk i duhet ky tip fushate”, sqaruan përfaqësuesit e shtabit të tij elektoral. Sipas tyre, avantazh është karriera e tij në kirurgji, ndërkohë që takimet në ditët në vijim do të përqendrohen më shumë te Stomatologjia dhe Farmacia, degë të cilat janë disi më larg specialitetit të tij. “Stafi akademik, por edhe studentët, do të kenë mundësi të kenë të plotë programin dhe vizionin që ofron profesor Arben Baboçi për reformimin e Fakultetit”, thanë përfaqësuesit e tij.
Genc Sulçebe
“Janë zgjedhje akademike, jo politike”
“Janë zgjedhje akademike, dhe jo politike. Kemi të bëjmë me një ambient akademik ku shpalosen idetë dhe mbi bazën e tyre konkurrohet. Prandaj, profesor Sulçebe ka zgjedhur takimet me grupe të vogla studentësh e pedagogësh ku ka shpalosur platformën e tij”, thanë dje për gazetën përfaqësuesit e shtabit të tij elektoral. Sipas tyre, fushatat e bujshme mediatike janë “lustra” të panevojshme, ndërkohë që jo pa qëllim është zgjedhur të evitohet ky model fushate. “Që pas shpalljes së kandidaturës po prezantohet programi për të reformuar Fakultetin”, thanë përfaqësuesit e tij. Sipas tyre, avantazh i kandidatit është kontributi i tij si në fushën e kërkimit shkencor, por edhe njohuritë për anën administrative të Fakultetit, për faktin se mban postin e zv.dekanit. “Fakulteti i Mjekësisë është elitar dhe, si i tillë, duhet të tregojë standarde edhe në këto zgjedhje”, thanë përfaqësuesit e Genc Sulçebesë.
Bajram Hysa
“Presione studentëve nga struktura politike”
“Studentëve po u bëhen presione nga struktura politike, ku bën pjesë kandidati Pëllumb Pipero. Ai po përdor mbështetjen politike për të fituar vota”. Kështu u shprehën dje për gazetën përfaqësuesit e shtabit elektoral të kandidatit Bajram Hysa. Sipas tyre, fushata duhet të jetë jashtë këtyre kontureve për të garantuar transparencë në garë. Madje deri tani nuk u kanë munguar as presionet. Sa i përket kandidatit që mbështesin, fakti që është i vetmi që nuk vjen direkt nga radhët e mjekëve e sipas përfaqësuesve të shtabit avantazhon atë. “Janë 16 vjet eksperiencë pune në Fakultet si kancelar. Kemi të bëjmë me një pozicion administrativ dhe me eksperiencën që ka profesor Bajrami tregon se di të menaxhojë”, thanë përfaqësuesit. Sipas tyre, fushata planifikon takime me grupe të vogla me pedagogët, ndërsa me studentët parashikohen edhe takime masive, sidomos me trevat dhe specializantët.
Pellumb Pipero
“Nuk është garë politike, por personale”
“Ata që sulmojnë për mbështetje politike janë vetë pjesë e forumeve rinore në parti të ndryshme. Megjithatë, ne nuk na intereson të sulmojmë kundërshtarët në këto zgjedhje, ndonëse argumente ka pa fund. Gjithsekush është i lirë të garojë. Edhe gara e kandidatit që ne mbështesim në këtë rast është personale, dhe jo politike. Nuk duhet ngatërruar kjo pjesë”, thanë përfaqësuesit e shtabit elektoral të Pëllumb Piperos. Sipas tyre, Fakultetit të Mjekësisë i duhet në radhë të parë një mjek në drejtim. “Avantazh është fakti se profesor Pipero është i sprovuar tri herë si drejtues. E njeh Fakultetin dhe vizioni i tij për të ndryshuar mënyrën si menaxhohet i shërben jo vetëm stafit akademik, por edhe studentëve më tepër”, thanë përfaqësuesit e shtabit elektoral. Në vijim, sipas tyre, janë planifikuar takime me vitet e para, ndërkohë që kontaktet janë të përditshme me grupe të vogla studentësh e pedagogësh.
Kush voton në universitete
Kutive të votimit për zgjedhjen e drejtuesve të rinj në universitete u drejtohen: stafi akademik me kohë të plotë, stafi joakademik me kohë të plotë dhe studentët. Vota këtyre të fundit ka peshë në masën 20%, sipas formulës që përcakton ligji për shpalljen e fituesve. Në masën 75% vlerësohet vota e personelit akademik të institucionit, ndërsa stafi joakademik ka peshë në masën 5%. Pedagogët e jashtëm, të cilët janë të punësuar part-time, nuk do të kenë mundësi të votojnë. Rregullorja e zgjedhjeve për UT njeh të drejtën për ankimim lidhur me zbatimin dhe respektimin e procedurave, kritereve dhe llogaritjen e rezultateve të zgjedhjeve.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











