
Një hulumtim i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë vë në pah se mbesin ende dallime etnike në Mitrovicë dhe se vazhdon të ketë mungesë të ndërveprimit mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Hulumtimi i opinionit publik në Mitrovicë”, i zhvilluar me 1000 të anketuar në të dy anët e lumit Ibër, në këtë qytet, tregon se në dy sondazhe të bëra në korrik dhe nëntor të vitit 2010 në Mitrovicë, flasin për një linjë ndarëse etnike në disa çështje.
Menaxhuesi lokal i projektit të UNDP-së, Boban Simiç, tha se komunikimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve vazhdon të mbetet i ulët.
“Sipas informacioneve, të cilat i kemi marrë bazuar në pyetjen se ‘A keni kontaktuar me grupin tjetër etnik’ brenda tre muajve të fundit, lidhur me komunikimin dhe distancën etnike në mes të serbëve dhe shqiptarëve është një numër më i madh i atyre që janë përgjigjur me ‘Jo’ duke thënë se nuk kanë pasur fare kontakt me grupin tjetër etnik”, tha Simiç.
I pyetur se a janë shqetësuese këto të dhëna, përfaqësuesi i UNDP-së, Sanaka Samarasinha, tha se është ende herët të jepet ndonjë vlerësim, meqë hulumtimet e bëra bazohen vetëm mbi perceptimet e qytetarëve.
Elemente të tjera, që përmenden në hulumtimin e UNDP-së për Mitrovicën, janë problemet, me të cilat ballafaqohen qytetarët, opinioni mbi decentralizimin, shprehitë e mediave, siguria dhe perceptimet mbi kushtet ekonomike.
Dokumenti tregon se përparimi drejt ngritjes politike e ekonomike të Mitrovicës është i ngadaltë dhe se “situata e zymtë ekonomike, papunësia dhe varfëria e vazhdueshme, kanë ndikim në proceset politike dhe ndërtimin e paqes”.
Hulumtimi i UNDP-së, megjithatë, nuk jep ndonjë informatë mbi arsyet dhe shkaqet e gjendjes aktuale në Mitrovicë. Në konferencën për media të mbajtur me rastin e publikimit të këtij dokumenti, përfaqësues të UNDP-së hezituan të japin vlerësime lidhur me arsyet eventuale politike që mund të qëndrojnë prapa perceptimeve të qytetarëve, shqiptarë e serbë, në pjesën veriore e jugore të qytetit, raporton REL.
© Panorama.al











