Quhet Kështjella Pepshi dhe duket se bukuria i hapi dyert në katër shtete brenda 2 vitesh. Nga Shqipëria është ndarë me disa çmime bukurie, nga Kosova me “Miss
Universe 2010”, nga Zvicra me “Miss Diaspora” dhe nga Franca… sapo ka marrë një ofertë për një film dokumentar. “Takimi më i rëndësishëm ishte me regjisorin e Francës, z.Ballmes të shtëpisë filmike “Les Filmes”. Pikësëpari, do të luaj në një film dokumentar francez, por kam zhvilluar edhe bisedime të tjera për të ardhmen”, thotë ajo, ndërsa shton se xhirimet do të nisin në shtator. I duket si fillim i mbarë, pasi ajo është ende studente. Megjithatë, ambiciet duket se i ka të mëdha. Përveç filmit, ajo po merret paralelisht edhe me një libër me poezi, disa prej të cilave kërkon t’i bëjë tekste të këngëve po të saj. “Shkruaj poezi të cilat do t’i botoj, por më tepër për këngë, sepse këndoj edhe vetë. Më vjen krejt natyrshëm, por kjo bën pjesë në kulturën që ka secili brenda vetes. Ajo që vlen të poeti është kultura…”, thotë vajza me emër karakteristik shqiptar, Kështjella. Duke mohuar se ka ndonjë të dashur, ajo thekson se pavarësisht se ka marrë pjesë në disa konkurse bukurie, është e turpshme: “Në fillim hezitoja, sepse skuqesha, por më vonë, i thashë vetes ‘se njeriu del edhe në plash’ dhe kështu m’u largua ajo ndjenjë”.











