Vdekja e komandos shqiptar dje në Afganistan solli me vete dhimbje, habi dhe shumë pyetje mes nesh. Kapiteni Feti Vogli ndërroi jetë në Spitalin e Kandaharit në Afganistan. Zyrtarisht ai ishte pjesë e kontingjentit “Eagle 4” të forcave tokësore shqiptare me mision në këtë zonë të Afganistanit. Së bashku me ekipin, ai shërbente nën mandatin e Operacioneve të Mbështetjes së Paqes (ISAF), drejtuar nga NATO-ja në Afganistan, prezencë e miratuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që në vitin 2001. Shqipëria ka shërbyer si me toga për operacione siguruese dhe shoqërimi në zonën e Heratit, ashtu edhe me kompani speciale në operacionet luftarake, siç ishte njësia që u sulmua në Kandahar. Trupat shqiptare në Afganistan thuhet se janë të mirëstërvitur nga komanda dhe shtabi i batalionit special. Kjo përgatitje, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, i është përgjigjur edhe natyrës së misionit në Afganistan, që u përshkallëzua në ndërhyrje me rritjen e sulmeve në vendin e Azisë Qendrore. Shqipëria ka pasur, pra, prezencë të vazhdueshme në këtë vend, me misione të ndryshme nën komandot e vendeve aleate me më shumë kontingjent.
Sipas njoftimit zyrtar, në momentin fatkeq të sulmit, grupi i parë special, i drejtuar nga kapiten Feti Vogli, po kryente detyrën e “patrullimit dhe sigurimin e personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it”, me mision, “kryerjen e një takimi për të bërë të mundur hapjen e dy shkollave dhe një qendre shëndetësore në një fshat”, teksa në drejtim të tyre është hapur zjarr nga efektiva të policísë lokale.
Lajmi u përhap menjëherë përmes medias dhe rrjeteve sociale në internet. Komentet dhe pikëpyetjet mbi humbjen dhe sulmin ndaj njerëzve që operojnë në një mision të largët ishin të shumta, konfuze dhe kontradiktore. Ka shumë pak vend në diskurset mediatike për këto misione. Informacioni dhe familjarizimi me të, po ashtu. Ama, prezenca e 45 ushtarëve në Afganistan, për një vend të vogël si Shqipëria, është shumë domethënës. Jo vetëm politikisht, e jo thjesht për familjet e njerëzve që flenë tendave në Afganistan. As duhet parë thjesht korrupsioni, si i vetmi aspekt që tërheq vëmendjen mediatike për këtë prezencë. Misionet, edhe kur janë thjesht “paqeruajtëse”, janë thes i madh që vihet mbi kokën e çdo ushtari, komandanti apo gjenerali që shkon në vatra ku shkëmbehet zjarr. Ndaj, bashkë me dhimbjen e ngushëllimet për familjet e dy efektivave të vrarë në emër të një misioni, duhet të bëjmë pak katarsis që shkon përtej akuzave për korrupsion.
Kushdo që të jenë njerëzit që listohen për të shkuar në misione, e sido që të jetë e vërteta e hidhur që i shtyn të kërkojnë apo thjesht të emërohen për të shkuar atje, jeta e këtyre njerëzve është në dorë të fatit që kur shkelin në zonat problematike, e derisa të kthehen sërish pranë familjeve. Sipërfaqësore, amatoreske dhe pa sens humanizmi më është dukur media shqiptare që së fundmi, të vetmin problem të publikueshëm nga Ministria e Mbrojtjes, shihte shitjen e armëve në Libi. Ndërkohë, ky institucion dhe krerët e tij mund të ishin “kryqëzuar” më shumë për të dhënë informacion për prezencën e trupave tona nëpër misione, përfshirë atë në Afganistan, të cilit iu deshën sulme dhe viktima që të vinte furishëm në media. Atëherë, përtej hamendësimeve, përse organizohen këto dërgesa? Politika ka të drejtë të vendosë se si dhe sa i shërben vetes duke dërguar ushtarë në zona rreziku. Po ajo që ngelet shumë e vagët është se si përzgjidhen këto forca; sa transparente është përzgjedhja e tyre; ç’fshihet pas akuzave për korrupsion me dietat e ushtarëve që vënë kokën në rrezik; a dërgon vërtet Shqipëria trupat e duhur; ç’raporte janë shkruar nga drejtuesit e kontingjenteve ku trupat shqiptare kanë bërë pjesë?
Një ngjarje tjetër në botën aziatike më solli ndër mend dilemat rreth trupave shqiptare: Siria është në gjendje shumë kritike lufte, me dhjetëra civilë që vriten çdo ditë. CBC kishte bërë dje një intervistë me ish-gjeneralin kanadez Romeo Dallaire. Ai ishte kreu i misionit të Kombeve të Bashkuara UNAMIR në Ruanda, në vitin 1994. Gjatë tre muajve, gati një milion njerëz u masakruan në gjenocidin që ndodhte përditë mu poshtë hundës së gjeneralit Dallaire dhe misionit të tij paqeruajtës. Ushtarët nën komandon e tij nuk mund të bënin asgjë për të parandaluar masakrat, sepse ashtu ishte tipi që Këshilli i Sigurimit kishte përcaktuar për atë mision. Më pas, Dallaire ka shkruar një nga librat më të mprehtë për misionet paqeruajtëse: “Të shtrëngosh duart me djallin”. Aty kuptohet se sa të kufizuara burokratisht janë misionet dhe sa të vështirë e kanë drejtuesit ushtarakë të operojnë me forca shpesh jo-profesionale, ardhur nga vende pa shumë eksperiencë në misione dhe pa ndonjë interes të madh në dërgimin e trupave. Me daljen e këtij botimi e raporteve që e paraprinë, shumë vende që kanë nevojë për misione paqeruajtëse, refuzojnë për shembull të pranojnë trupa nga Bangladeshi apo nga Tunizia, sepse ato përcaktohen nga gjenerali si “dembelë që prisnin të mbaronte dita, me interesin e vetëm për të marrë dietën e qeverive të tyre”. Do të ishte shumë e padrejtë të bëhej analiza pa asnjë të dhënë mbi komandot shqiptarë, por rënia në terren, gjatë një sulmi në Afganistan, të detyron t’i qepësh gojën dhe mendimet për këta njerëz që vetësakrifikohen, së pari në emër të një të ardhmeje më të mirë për familjet e tyre.
Shqipëria nuk është Belgjika e 1994-s, që e tërhoqi prezencën e saj nga Ruanda kur iu vranë 10 ushtarë në një ditë. Por ne nuk kemi as këllqet e SHBA-ve, që t’i martirizojmë të rënët fatkeq në emër të një të mire që nuk është fort e qartë. Në ditën e nisjes së misionarëve të tanishëm, në datën 25 janar të këtij viti, ministri i Mbrojtjes citohet nga institucioni i tij të ketë thënë: “Sot është një ditë e rëndësishme, sepse po shkojmë drejt një detyre të nivelit të lartë me mision luftimi në Kandahar. E kemi kryer këtë detyrë me sukses përpara vendit, përpara Parlamentit shqiptar, përpara partnerëve tanë, përpara Aleancës. Ndiqni shembullin e kontingjentit të parë, çojeni përpara atë shembull dhe kthehuni shëndoshë e mirë këtu pranë familjeve tuaja, në repartet tuaja, në vendin tuaj, ushtarë trima dhe me lavdi. Ju uroj sukses dhe mirë ardhshi!”.
Një prej tyre nuk do të vijë më. As stërvitja “JCET-2010” me trupat speciale amerikane, as ajo nënujorja në Pashaliman, as stërvitja e mbijetesës në kushte fushore, në terrene të vështira për luftën kundër terrorizmit, për luftën në zonat e banuara apo për atë në terren të hapur, nuk e ndihmuan dot kapiten Feti Voglin t’i mbijetonte Afganistanit.
Është koha të mbajmë heshtje për të dhe të kërkojmë të dimë më shumë për njerëzit, operacionet, arsyet dhe shumëçka tjetër mbi misionet shqiptare nëpër botë.
© Panorama.al












