
Të kesh një profesion grishës, jo gjithmonë është e lehtë! Një punë që ka të gjitha ndjesitë të përfshira në të… Ka pasionin e dëshirën, ka shpeshherë tronditjen dhe frikën… shumëçka përjetimesh për t’i emërtuar thjesht në një emër! Dy stjuartët simpatikë të kompanisë ajrore “Albanian Airlines”, Anisa Tushe dhe Julian Teneqexhiu, rrëfejnë për përditshmërinë e tyre, për të bukurën që qëndron në themel të punës së tyre, histori që ende nuk i kanë fshirë nga kujtesa dhe mbi të gjitha për motivin e fortë që i mban ende të lidhur me fluturimet në qiell!
Përpara ndonjë udhëtimi me avion se ç’të kap një gjendje ankthi… Do të shkojë çdo gjë në rregull, po sikur të bjerë avioni, po ja ndonjë i çmendur e merr peng… Ndërsa ata janë gjithë kohës në qiell. Jo vetëm që e kanë mposhtur frikën e tyre, por u japin zemër edhe të tjerëve. Anisa Tushe dhe Julian Teneqexhiu tregojnë eksperiencat e tyre si stjuartë, një profesion që në Shqipëri lindi vetëm pas rënies së diktaturës dhe me liberalizmin e vizave mund të marrë përmasa edhe më të mëdha
Anisa Tushe, 29 vjeç
Një jetë mes qiellit dhe tokës… Çdo të thotë për ty kjo ndjesi?
Për të qenë e sinqertë, jeta më normale për mua është atje, në qiell… Sepse fluturimi më largon nga gjithçka përmban jeta në tokë. Jemi vetëm unë, pasagjerët, kolegët dhe kabina e avionit gjithçka më rrethon dhe kjo lloj marrëdhënie është krejt e veçantë. Sinqerisht e them se gjithçka harrohet kur je në fluturim. Vetëm kur zbres në tokë dhe ndez telefonin, kuptoj se jam rikthyer në realitet.
Çfarë e bën të veçantë punën tuaj?
E veçanta qëndron në faktin se je gjatë gjithë kohës në ajër, jo çdokush mund ta përjetojë këtë ndjesi. Është çdo gjë ndryshe nga puna në tokë. Fluturimet ajrore kanë shumë ndjesi të ngërthyera bashkë, kanë emocionin, kanë tensionin, kënaqësinë, ndonjëherë edhe frikën….Përballja me karaktere e mentalitete të ndryshme, me kolegë me temperamente të veçanta, me pasagjerë të pabindur ose e kundërta e gjithfarësoj tipash. Besoj se asnjë profesion tjetër nuk mund të të dhurojë kaq shumë përjetime në vetëm një udhëtim.
Emocionet që ju shoqërojnë kur vini këmbën në bordin e avionit?
Janë gjithnjë të pranishme në punën time… Thuajse çdo ditë edhe kur kam dy fluturime përditë, emocione bashkudhëtojnë me mua kudo ku shkojmë. Do ta krahasoja me rikthimin në ditën e parë të shkollës, disa flutura në stomak që thjesht të trazojnë emocionalisht.
Keni ndonjë lutje tuajën apo ndonjë hajmali që e mbani gjithnjë me vete për t’ju sjellë fat?
S’e kam pasur kurrë të nevojshme, sepse asnjëherë nuk kam pasur frikë nga lartësitë, fluturime apo turbulencat e mundshme. E vetmja lutje që bëj përpara se të futem në avion është dëshira që gjithçka të shkojë mbarë në atë udhëtim.
A i jeni dorëzuar pa kushte rregullave strikte të këtij profesioni, flokët e kapur, ora e dorës që nuk duhet të mungojë asnjëherë, imazhi i kuruar dhe buzëqeshja e pandarë nga fytyra, edhe nëse problemet që të gëlojnë në kokë janë të shumta…
Kësisoj rregullash nënshkruhen që në krye të herës në punën tonë. Janë strikte dhe duhen zbatuar me përpikëri. Duke qenë në qendër të vëmendjes, imazhi i kuruar është çështje e pashmangshme. Dhe nuk e kam aspak të vështirë të kërkoj te vetja edhe pamjen e kujdesshme apo praninë e aksesorëve të nevojshëm me vete.
Nga çfarë keni frikë kur jeni lart në qiell?
Frika e vetme është jeta e pasagjerëve dhe sigurisht e të gjithë stafit të avionit nga njëri udhëtim në tjetrin. Pavarësisht se ne jemi të përgatitur për ndonjë rrëmbim të mundshëm apo për pasagjerë të rrezikshëm që udhëtojnë shpesh herë. Puna jonë i ka të gjitha sfidat të përfshira në të. Ashtu siç sigurisht ka edhe kënaqësinë.
Ju ka ndodhur të hasni situata problematike dhe si i keni shmangur ato?
Një herë kemi pasur një fëmijë të vogël në bord, rreth 3-muajsh, dhe e ëma nuk na kishte lajmëruar që ai kishte probleme në zemër dhe po shkonte për kurim në Stamboll. Në një moment, shoh që fëmija ishte bërë ngjyrë mavi, e ëma po qante, gjyshja gjithashtu dhe për momentin marr bombolën e oksigjenit dhe ia vendos vogëlushit. Lajmërova për doktorë qoftë në bord apo për dikë që ishte i mundshëm për ndihmën e shpejtë. Për fat, ishte një doktor po turk që po shkonte në Stamboll dhe ai ndërhyri. E riktheu në jetë atë fëmijë dhe për mua ai mbetet një hero. E kujtoj ende sot këtë histori me shumë keqardhje dhe dhimbje. Në të tilla situata duhet shumë përqendrim dhe vetëkontroll, të cilat asnjëherë nuk më kanë munguar.
Po pasagjerë të sikletshëm?
Ka plot të tillë. Nuk fikin telefonat, nuk pozicionojnë valixhet e shpesh i mbajnë te këmbët. Ndodh që kur avioni ulet, ata ngrihen të gjithë në këmbë e në një moment frenimi të avionit kjo krijon probleme për sigurinë e jetës. Kësi situatash thjesht ta bëjnë më të lodhshme udhëtimin dhe asgjë më tepër.
Cila është vështirësia më e madhe në punën tuaj?
Nuk ka asnjë vështirësi për mua. Më e madhja është që nuk e lë dot këtë profesion(qesh).
Julian Teneqexhiu, 29 vjeç
“I lumtur që punoj në ajër”
Shprehja e njohur “qëndroj me këmbë në tokë”, në rastin e tyre të bën të vësh buzën në gaz. Ka prej atyre që qëndrojnë edhe në ajër dhe nuk e kanë aspak problem këtë! Për më tepër, kur është profesioni ai që ta dikton këtë lloj zgjedhjeje, situatat bëhen edhe më të larmishme, thellë-thellë grishëse… Të qenit stjuart, për Julian Teneqexhiun është një nga ato gjërat e dëshiruara që në vogëli. E thënë ndryshe, është ëndrra e bërë realitet! Për herë të parë kur ishte vetëm 13 vjeç u përball nga afër me meshkujt me uniformë në destinacionin Zyrih-Amerikë. Në atë udhëtim nuk vuri gjumë në sy, duke i shtyrë orët me idenë e ngulitur mirë në kokë se një ditë edhe ai do të bëhej si ata! “Jam i lumtur që punoj në ajër. Pasioni është vet puna ime dhe, nëse kjo nuk më shoqëron gjithë kohës e në çdo fluturim, humbet dëshira për ta bërë mirë detyrën e besuar”, pohon 29-vjeçari. Në pozicionin e tij si stjuart ai e ndjen veten të barabartë me seksin e kundërt. Vërtet që nuk mund të zotërojë hiret femërore apo brishtësinë e tyre, që mund të “thyejë” edhe pasagjerin më të pabindur, por Juliani është i bindur se aftësia dhe dëshira për të kryer detyrën e besuar deri në pasagjerin e fundit, e bën të dallueshëm nga pak të tjerë. Por, në punën e tij nuk flitet vetëm për pasionin apo për kënaqësi të marrë në këmbim. Ka plot situata të vështira që lindin në bordin e avionit e ku atij shpesh herë i duhet të dalë nga skenari për të gjetur një zgjidhje. Një rast i tillë, kujton ai, ka ndodhur me një të sëmurë në bord që ndihej vërtet keq, për shkak të operacionit që kishte kryer ose edhe për shkak të fluturimit. Dhe në atë udhëtim ndodheshin edhe disa studentë të Akademisë së Arteve. Pacienti nisi të ndihej keq dhe unë iu luta njërit nga studentët e pranishëm që të luante diçka në violinë, pranë të sëmurit. Funksionoi gjithçka si një terapi dhe në fund të dyja palët u ndjenë shumë mirë. Ishte një gjetje pa regji, një inskenim i momentit, por që rezultoi shumë frytdhënës”, thotë ai. Juliani në përditshmërinë e tij është i përgatitur për gjithçka! Edhe për ndonjë sulm terrorist, edhe për ndonjë rrëmbim avioni apo situatë të ngjashme që deri më tash ka mundur ta shoh vetëm nëpër filma. Por, në trajnimet e shpeshta i është sprovuar veshi edhe me këto historish të frikshme. Tek e fundit, është kjo “fatura” që ai duhet të paguajë në këmbim të profesionit që ka zgjedhur me aq dëshirë!
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











