Mirel Josa: Fat që kemi përballë Thunin

Jul 14, 2011 | 12:54

Tekniku i Vllaznisë, Mirel Josa, është shprehur optimist se ekipi që ai drejton mund të marrë një rezultat pozitiv ndaj Thunit. Në konferencën e fundit për mediat para takimit me zviceranët, Josa theksoi se ekipi që ai drejton i ka të gjitha mundësitë për të qenë në turin tjetër të Ligës së Europës. “Gjendja e ekipit është e mirë dhe për ne është fat që kemi përballë një ekip si Thuni, pasi mund të kishim një tjetër skuadër shumë herë më të fortë. Mundësitë për të marrë kualifikimin janë të mëdha, por kjo do të varet nga rezultati që do të arrijmë në përballjen e parë”, është shprehur Josa. Ndërsa i pyetur për formacionin që mund të hedhë në fushën e lojës tekniku për këtë takim, Josa duket se do t’i qëndrojë besnik formacionit që doli fitimtar me Birkinkaranë. “Kam kaluar një nga takimet më të vështira, atë të javës së shkuar me ekipin e Bikirkarasë. Megjithatë, e kam parë përgjatë gjithë javës për sa i përket ndonjë ndryshimi, por në fund kam vendosur që të jetë i njëjti formacion si ai i takimit me maltezët”, ka deklaruar Josa. Ndërsa trajneri i Thunit, Bernard Çallandes, ka thënë se do të kërkojë që në Shkodër arritjen e kualifikimit. “E kam parë Vllazninë në takimin me maltezët. Mund të them se është një ekip i mirë dhe e ka merituar të jetë në turnin tjetër. Ndërsa për sa i përket ndeshjes së nesërme (sot), mund të them se ekipi ynë do të hyjë në këtë takim për të marrë më të mirën, dhe pse jo të zgjidhë problemin e kualifikimit që në Shkodër”, ka deklaruar tekniku zviceran i ekipit të Thunit.

Vllaznia-Thun

Sonte, ora 20:30/ Stadiumi: “Loro Boriçi”
Formacionet e mundshme
Vllaznia (4-4-2): Vujadinoviç, Smajli, Rajoviç, Sykaj, Popoviç, Gocaj, Nallbani, Belisha, Abraham, Sukaj, Vajushi. Trajner: Mirel Josa
Thun (4-3-1-2): Moser, Siegfried, Shindelholz, Reinman, Luthi, Andrist, Demiri, Sanogo, Hediger, Lustrineli, Rama. Trajner:  Bernard Çalandes

Milaim Rama

Kosovari i ekipit zviceran, Milaim Rama, është pritur mjaft mirë në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” dhe për këtë ai ka falëndëruar të gjithë shkodranët. “Për mua është një kënaqësi që të jem në Shkodër për të luajtur kundër një emri të tillë me shumë vlera si Vllaznia. Falënderoj të gjithë për pritjen që më rezervuan. Tifozët që me respektojnë sot, nesër edhe mund t’i kem kundër, pasi unë jam sulmues dhe puna ime është të shënoj”, ka pohuar Rama.

© Panorama.al

Te lidhura