
Nipi vret xhaxhain me armë zjarri. Krimi ndodhi në fshatin Konaj të komunës Fan të rrethit të Mirditës.Viktima e këtij krimi është 39-vjeçari Agustin Tuci, i cili është vrarë nga djali i vëllait të tij, Fatmir Tuci. Ndërkohë që policia e Mirditës, në bashkëpunim me forcat e Drejtorisë së Policisë së Lezhës, ka bërë të mundur edhe arrestimin e autorit 25-vjeçar të krimit vetëm pak minuta pas ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Mirditës bëhet e ditur se ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 13:00 të ditës së djeshme. Fatmir Tuci është zënë me xhaxhain e tij, Agustinin, në oborrin e përbashkët që ndanin, pasi shtëpitë ishin të ngjitur me njëra-tjetrën. Pas sherrit të djeshëm, Fatmiri ka hyrë në banesën e tij dhe pasi ka marrë një automatik, ka qëlluar mbi njeriun e afërm. Policia e Mirditës, me të marrë njoftimin, është nisur menjëherë për në vendin e ngjarjes, në një aksion ku iu bashkuan dhe forcat e

Lezhës, në krye të të cilave ishte edhe drejtori i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku. Forcat e policisë kanë izoluar të gjithë zonën për të mos i lënë mundësi autorit të krimit të largohej nga komuna Fanë. Policia, pasi ka marrë të dhënat e para operative mbi autorin dhe ka mësuar faktin se ishte i armatosur, ka organizuar në mënyrë urgjente planin e masave për të mos dëmtuar efektivat e policisë gjatë aksionit, si dhe ka nisur krehjen e zonës. Fillimisht policia ka gjetur afër një ure, në mesin e disa pishave, Lekë Tucin, 60 vjeç, të atin e autorit të krimit, i cili gjithashtu ishte larguar nga banesa. Menjëherë policia e ka pyetur për identitetin e tij e ka ndaluar duke i kërkuar se ku ndodhej i biri. Pasi e kanë ndaluar Lekë Tucin duke e shoqëruar drejt Komisariatit të Mirditës, grupi i hetimit e ka detyruar 60-vjeçarin të tregonte vendndodhjen e të birit. Aksioni ka vazhduar dhe i riu është gjetur i fshehur mes pyllit të dendur, në afërsi të një ure, pranë autostradës Mirditë – Kukës. Ai po priste errësirën e më pas të largohej në drejtim të Kosovës, për t’i shpëtuar arrestimit të policisë. Uniformat blu, me të vënë re lëvizjen me armë të 25-vjeçarit Fatmir Tuci, i kanë bërë thirrje atij të dorëzohej pasi nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi apo largimi në kushtet kur ndodhej i rrethuar. I riu nuk ka bërë rezistencë, por është dorëzuar, duke hedhur armën e krimit e pranuar autorësinë. Në shpjegimet e para, Fatmir Tuci është shprehur se vrasja ka qenë aksidentale, por kjo nuk ka bindur policinë, e cila ka nisur edhe hetimet dhe si shkak i krimit, sipas saj, dyshohet konflikti për pronën. Atij i është komunikuar masa e arrestit për vrasje në ambientet e komisariatit, ndërsa i ati është shoqëruar. Policia ka nisur hetimet duke marrë në pyetje edhe familjarët për të marrë edhe motivet e ngjarjes dhe zbardhur të plotë atë, ndërsa ka sekuestruar edhe armën e krimit.
MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











