Miratohet plani për Gjirin e Lalzit

Jun 2, 2012 | 14:05
Dje gjatë mbledhjes së KKT-së

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi dje rreth 12 projekte investimi në mbarë vendin. Në listën e projekteve përfshihen ndërtimi i më shumë se tri hidrocentraleve të vogla, i disa komplekseve turistike dhe i dy projekteve urbanistike të Himarës, Lushnjës dhe Kavajës. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se këto projekte shërbejnë jo vetëm për të nxitur turizmin, por edhe për të finalizuar nismën për kthimin e vendit në një superfuqi të vogël energjetike. Berisha theksoi se me miratimin e 12 projekteve infrastrukturore do të krijohet mundësia e për krijimin e rreth 10 mijë vendeve të reja të punës. Në cilësinë e kryetarit të KKT-së, Berisha tha se përpjekjet janë përqendruar në ndërtimin me përparësi të kapaciteteve turistike dhe ndërtimi i qendrave të banuara, sipas parimit “kombi sytë drejt detit”. Me projektet e miratuara nga Këshilli i Rregullit të Territorit pritet të nisin studimet e ndërtimin e banesave individuale, rezidencave dhe hoteleri në zonën e Gjirit të Lalzit. Po ashtu do të nisë dhe studimi urbanistik i fshatit Greth të komunës Kryevidh, në një hapësirë turistike prej 97 hektarë. Kjo zonë përkon me dhe zonë jugore të Spilleut pritet të ndërtohen banesa rezidenciale dhe hotelerie, ndërtimin e ambienteve rekreative, ndërkohë që sipas projekteve të miratuara në KKT, ruhen koeficientët e shfrytëzimit të territorit  dhe lartësia e kateve, të lejuara për zonat turistike. Një tjetër projekt ambicioz është dhe ai që pritet të ndërtohet në komunën Synej në jug të qytetit të Durrësit, e konsideruar një zonë me potencial të madh turistik, që shtrihet midis zonave turistike Golem, Karpen dhe Vil Bashtova. Studimet do të nisin në një sipërfaqe prej 700 hektarë, ku përfshihen ndërtimi i një fshati turistik, me struktura të karakterit hotelier dhe rezidencial, ndërtimin e fushave të golfit dhe të një porti jahtesh me kapacitet akomodimi në rreth 900 jahte.
Hidrokarburet
KKT miratoi edhe lejet për hapjen e puseve të naftës në malin e Shpiragut dhe në zonën e Jubanit. Kryeministri vlerësoi faktin se më këto vendime zyrtarizohet edhe rikthimi në Shqipëri i kompanisë së njohur botërisht në fushën e hidrokarbureve, “Shell”. Sipas kreut të qeverisë, po faktohet se Shqipëria ka rezerva të mëdha në fushën hidrokarbure, ndaj edhe po shtohen gjithnjë e më shumë investimet në këtë sektor. “Shqipëria gjithnjë e më shumë po vlerësohet si një vend me perspektivë të madhe në fushën e hidrokarbureve. Fakti që rikthehen sërish në Shpirag dëshmon se të dhënat janë gjithnjë e më bindëse për fusha të mëdha të reja nafte në Shqipëri. Ndaj dua të përgëzoj kompanitë ‘Petromans’ e ‘Shell’ dhe ata që kanë bërë studimin, të cilët fillojnë së shpejti punimet në këto puse, me besim dhe shpresë të madhe se do të ketë gjetje shumë të rëndësishme”, deklaroi Berisha.

Tabela e projekteve
1.    Plani i përgjithshëm vendor i Himarës.
2.    Plani i përgjithshëm vendor i Lushnjës.
3.    Pus shpimi dhe infrastrukturë ndihmëse për kërkimin e naftës të kompanisë “Petromanas”.
4.    Hidrocentrali Bënç Tepelenë, qarku Gjirokastër.
5.    Hidrocentrali në pellgun e Okshtunit, qarku Elbasan dhe qarku Dibër.
6.    Hidrocentrali “Koka 1”, në komunën Martanesh, qarku Dibër.
7.    Studim urbanistik pjesor për zonë hotelerie dhe rezidenciale, pjesë e parcelës 9A, zona e Gjirit të Lalzit.
8.    Studim urbanistik pjesor me sipërfaqe 7.3 hektarë, brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalzit.
9.    Detyra e projektimit dhe studimit urbanistik pjesor të zonës turistike prej 97 hektarësh në fshatin Greth, komuna Kryevidh.
10. Plani urban i komunës Synej, Kavajë.
11. Instrumenti strategjik sektorial i MITIK.
12. Detyra e projektimit për zgjerimin e masterplanit të Velipojës dhe studimit urbanistik të zhvillimit turistik të zonës bregdetare Pulaj, shtesë e ristudimit urbanistik të zhvillimit turistik dhe i mbrojtjes së bregut të detit në Velipojë, komuna Velipojë.

Kryeministri flet për 100-vjetorin e Pavarësisë
Lushnjë, monumenti i Kongresit në vend të kallinjve të grurit

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullimit të Territorit, Kryeministri Sali Berisha sugjeroi që në sheshin qendror të qytetit të Lushnjës të ndryshohet monument me simbolin e kallirit të grurit dhe në të të vendoset Kongresi i Lushnjes. Berisha sugjeroi rikonceptimin e sheshit qendror të qytetit, i cili duhet të përcjellë simbolikën më të madhe historike të këtij qyteti, Kongresin e Lushnjës. “Dua të theksoj se vendosja në qendër të Lushnjës e monumentit me kallinjtë e grurit ka pasur një qëllim të vetëm: për t’i fshehur Lushnjës atë që ajo ka ngjarjen më të ndritur të historisë së saj dhe të dytën më të ndritur pas pavarësisë së vendit apo, në fakt, pavarësia e dytë të Shqipërisë, siç është Kongresi i Lushnjës. Ai Kongres duhej të lihej në hije vetëm e vetëm se ata që u mblodhën atje dhe mbështetën atë Kongres u shpallën armiq, të hapur apo të heshtur, të diktaturës e diktatorit më vonë. Ndaj mendoj se sheshi duhet të rikonceptohet në këtë funksion. Lushnjën duhet ta simbolizojë ai kontribut i madh që ka në historinë kombëtare, pasi në tërësinë e vet janë kontributet historike ato që zënë më shumë peshë në përfaqësim,” u shpreh Kryeministri.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura