Ndryshimet në paketën fiskale u miratuan dje në Parlament. Deputetët votuan pro uljes së akcizës për birrën, rritjen e akcizës për solarin dhe mazutin, heqjen e doganës për importin e makinave dhe heqjen e tarifës doganore për lëndët e para për industrinë fasone dhe konfeksionet.Pas seancës së djeshme, pritet që ndryshimet në paketë të botohen në fletoren zyrtare dhe hyrja në fuqi të bëhet në fund të gushtit, fillim të shtatorit. Lidhur me këto ndryshime dha argumente ministri Ridvan Bode, ndërkohë që komentuan edhe deputetët Sherefedin Shehu dhe Gjokë Uldedaj, duke konsideruar këtë hap si mjaft të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Akciza
Në paketën fiskale të miratuar dje, ulet akciza e birrës, e cila për prodhuesit e vegjël deri në 70 mijë hektolitër bëhet 10 lekë për litër, kurse për ata mbi 300 mijë hektolitër bëhet 30 lekë për litër. Paralelisht në Ligjin për akcizat rritet akciza për mazutin dhe solarin, të cilat përdoren si lëndë djegëse në disa industri. Ndryshimet në akcizën e birrës dhe atë të lëndëve djegëse ministri i Financave e konsideroi si të një rëndësie të lartë, për vetë synimin që ka kjo nismë. “Akciza e birrës relativisht krahasuar me vendet e tjera të rajonit ishte më e lartë vendosur në një periudhë rreth 6-7 vite të shkuara. Ajo që vlen për t’u theksuar është që vendosja e pullave të akcizës edhe në sistemin e tregtimit dhe prodhimit të birrave në vendin tonë bën që kjo industri të reflektojë shifra reale të prodhimit. Ndërkohë që për të mënjanuar evazionin e ardhur nga ndryshimi i llojit të karburantit, vendoset që të barazohet akciza e solarit dhe mazutit me akcizën e naftës që ne tregojmë” tha Bode.
Taksa e makinës
Paketa fiskale përfshin edhe ndryshimet në Ligjin për makinat e përdorura. Të gjithë qytetarët që do të importojnë një makinë nga jashtë, sipas ndryshimeve të bëra në ligj, nuk do të kenë detyrimin të paguajnë zhdoganimin. Nga ana tjetër, për të dekurajuar përdorimin e makinave të vjetra, ligji parashikon taksim më të lartë për ata që ndotin më shumë ambientin. Për të vendosur një raport të drejtë mes përdorimit të infrastrukturës dhe taksës së qarkullimit, është vendosur që kjo taksë të vilet tek karburanti. Kush përdor më shumë karburant dhe qarkullon e ndot më shumë ambientin. Deputeti Sherefedin Shehu gjatë fjalës së tij dje në Parlament u shpreh se kjo masë e marrë për taksën e makinave të përdorura do të nxisë formalizimin e këtij tregu dhe do ta rregullojë atë duke lehtësuar procedurën, por dhe barrën që lidhej me marrjen e titullit të pronësisë së automjeteve. Formula me të cilën do të llogaritet tashmë taksa e makinës, është cilindratë në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit.
Tarifa doganore
Nga shtatori, lëndët e para që do të importohen nga industria e konfeksioneve dhe ajo e fasonëve në vend do të kenë një tarifë doganore zero. Ndryshimi i bërë në paketën fiskale sanksionon pikërisht këtë pikë, duke përfshirë këtu edhe zerimin e doganës për veshjet e gatshme të importuara. Sipas ministrit Bode, ky ndryshim bëhet me synimin e nxitjes së investimeve në këto dy sektorë të rëndësishëm, si dhe rritjen e punësimit.
Ndryshimet në paketën fiskale
NDRYSHIMET NË LIGJIN “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
1. “Rimbursimi i akcizës në mënyrë automatike të akcizës së lëndëve djegëse; solarit dhe mazutit për industritë vendase të prodhimit.
2. Ulet akciza e birrës:
Deri në 70 000 hl: 10 lek/litër
Nga 70 001 – 200,000: 12 lek/litër
Nga 200 001 – 300,000: 15 lek/litër
Mbi 300 000 hl: 30 lek/litër
3. Rritja e akcizë për mazutin, solarin dhe lëndët e tjera djegëse në: 37 lekë/kg
4. Rritja e akcizës për “koks nafte” në 2 lekë/kg
NDRYSHIMET NË LIGJIN “PËR MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE”
1. Tarifa doganore për veshjet e gatshme (rrobat) bëhet 0 për qind
2. Tarifa doganore e lëndëve të para të industrisë së konfeksioneve (fasonistët) bëhet 0 për qind
NDRYSHIMET NË LIGJIN “PËR TAKSAT KOMBËTARE”
Hiqet taksa e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksa vjetore e qarkullimit, taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve.
1. Aplikimi i taksës së re të qarkullimit. Kjo taksë do të jetë një takse fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 leke për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jete 7 lekë për litër.
2. Strukturim i taksës së karbonit:
Solar dhe Mazut: 3 leke për litër
Vajguri: 3 leke për litër
Koks nafte: 3 lekë për kg
3. Aplikimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, me formulën: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit.
Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koefiçientët për vjetërsisë, për tre vitet e para janë 0.
Krahasimi
Formula e re
Cilindrata në cm3 x taksa fikse për llojin e karburantit x koeficienti sipas vjetërsisë. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinë
Taksa e vjetër
2.4 mijë lekë në vit, taksë qarkullimi
10 mijë lekë në vit, taksë regjistrimi
Formula : Cilindrata në cm3 x taksa fikse për llojin e karburantit x koeficienti fiks për vjetërsinë (0.5) x vitet e përdorimit.
Berisha: Pse e ndryshuam paketën fiskale
Kryeministri Sali Berisha në fjalën tij në seancën e fundit të sesionit parlamentar zgjodhi që të ndalej në një sërë çështjesh të rëndësishme, si amnistia fiskale dhe ndryshimet në paketën fiskale. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë votuar një sërë ligjesh të rëndësishme që ndikojnë direkt jetën e qytetarëve të thjeshtë, por që nga ana tjetër i lehtësojnë barrën biznesit dhe e nxisin atë të investojë. Duke vlerësuar paketën fiskale që u votua dje, kreu i qeverisë u ndal në secilën prej ndryshimeve të ndërmarra. Së pari, ai vlerësoi heqjen e taksës për automjetet, nga e cila pritet të përfitojnë shumë qytetarë. Ndërkaq, heqjen e doganës për lëndët e para të industrisë tekstile dhe fasone Berisha e konsideroi si një hap që rrit konkurrencën në rajon, përmirëson situatën e biznesit, por edhe qytetarëve që punojnë në të dhe në këtë pikë shtoi se paga minimale tashmë është 220 Usd. “Me këtë vendim që merrni sot, ju grishni, pasi është mesazhi më i shkëlqyer që ju i dërgoni sot investitorëve të kësaj industrie themelore, shumë të rëndësishme, që nga vendet fqinje dhe vende të tjera që vijnë në Shqipëri, në vendin me kushtet më të favorshme. Me këtë vendim që merrni sot, ju bëni të mundur krijimin e mijëra dhe mijëra vendeve të reja pune nga kjo industri, në të cilën Shqipëria në rrafshin ndërkombëtar po merr një peshë gjithnjë e më të madhe”, u shpreh Berisha. Lidhur me ndryshimin në akcizën e birrës, ai tha se kjo do të krijojë mbrojtje për qytetarët, por edhe rritje të punësimit në këtë sektor. “Për xhepin e koston e çdo qytetari që konsumon birrë dhe që e theksoj pas ujit dhe qumështit, është pija e tretë që përdoret më shumë në këtë vend, kjo përbën një mbrojtje. Së dyti, për këtë industri që punëson rreth 3 mijë punëtorë, kjo masë është një lehtësim serioz, është një mundësi për të zgjeruar kapacitetet prodhuese, është një mbështetje direkte për këta investitorë, të cilët konkurrojnë me gjigandë europianë që kanë 600 vjet që prodhojnë birrë”, tha Kryeministri. Gjatë fjalës së tij ai u ndal edhe në Ligjin për faljen fiskale, duke gjykuar se nga ky ligj përfitojnë shumë qytetarë, ndërkohë që nuk harroi të kujtonte që ngurrimi politik i opozitës e pengoi këtë ligj të ishte një amnisti e plotë fiskale.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











