Miratohet paketa fiskale, hiqet dogana, ulen akcizat

Jul 14, 2011 | 12:17

Qeveria miratoi dje ndryshimet e paketës fiskale, të cilat heqin doganën për lëndët e para të importuara nga industria e konfeksioneve dhe këpucëve, ul akcizën për birrën dhe rrit atë për solarin.Plot katër projektligje, si ai “Për akcizat”, “Për sistemin e taksave vendore”, “Për taksat kombëtare”, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, kanë marrë miratimin nga Ekzekutivi, pas diskutimit në Këshillin Konsultativ të Biznesit. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë fjalës së tij se zerimi i tarifës doganore për importin e lëndëve të para do të bëhet jo vetëm për industrinë e konfeksioneve, por edhe për atë të këpucëve, duke argumentuar se kjo nismë do ta ndihmojë këtë sektor të shtojë vendet e punës. “Ne besojmë se ky 10 përqindësh, apo një miliard lekë që do të hynin në arkën e shtetit, do të jetë më i vlefshëm në kontot e sipërmarrësve privatë, do të krijohen shumë më tepër vende pune, do të përmirësohen kushtet e punës, do të investohet më shumë e do të rriten pagat e punonjësve më shumë”, tha Berisha.
AKCIZAT
Qeveria ka vendosur që në ligjin “Për akcizat” të bëjë dy ndryshime. Njëri është ai për uljen e akcizës së birrës. Kështu, sipas vendimit të miratuar, është vendosur që prodhuesit deri në 70 000 hektolitra të paguajnë një akcizë në nivelin 10 lekë/litër, për prodhuesit nga 70 001 deri 200 000 hektolitra akciza do të jetë 12 lekë/litër, për ata që prodhojnë nga 200 001 deri në 300 000, niveli është lënë 15 lekë/litër, kurse për prodhuesit e mbi 300 000 hektolitra, akciza është vendosur 30 lekë/litër. Kreu i qeverisë e konsideroi uljen e akcizës për birrën si shumë të rëndësishme, duke qenë se kjo industri gjeneron punësim të madh, sikurse aktualisht në të punojnë 3 mijë persona. Por, në kahun tjetër, përveç uljes te akciza e birrës, qeveria ka vendosur që të rrisë akcizën për disa lëndë djegëse që në fakt përdoren si lëndë të para në disa industri. Kjo problematikë u reflektua edhe gjatë diskutimit në Këshillin Konsultativ të Biznesit. Nga Ministria e Financave rritja për solarin dhe mazutin u argumentua me faktin që ndotja që emetohet në mjedis është e lartë, ndërkohë që edhe përdorimi i këtyre lëndëve ka pësuar rritje. Akciza për solarin dhe mazutin në vendimin e fundit të qeverisë është 37 lekë për kilogram, kurse për koksin e naftës 2 lekë për kilogram.
Doganat për veshjet
Ndryshimet në paketën fiskale lehtësojë barrën për industrinë e konfeksioneve dhe atë të këpucëve. Më herët qeveria kishte vendosur zerimin e tarifës doganore të importit të lëndëve të para vetëm për konfeksionet, por dje Kryeministri deklaroi se kjo nismë do të vlejë edhe për industrinë e këpucëve. Pra, të gjitha ato biznese që importojnë lëndë të para nuk do të duhet të paguajnë në doganë tarifën prej 10 përqindësh që paguajnë aktualisht. Vendimi për të shtuar në listën e industrive që përfitonin nga kjo nismë edhe industrinë e këpucëve erdhi pas diskutimit në Këshillin Konsultativ të Biznesit, ku u sugjerua që konfeksionet dhe fasonët të mos trajtohen të ndara, por bashkë. Heqja e kësaj tarife doganore argumentohet nga Ministria e Financave edhe me faktin për ta bërë këtë biznes konkurrues në rajon. Përveç zerimit të doganës për importin e lëndëve të para, është vendosur edhe heqja e taksës për veshjet e gatshme.

1 miliard leke
Më shumë se kjo vlerë parashikohet që të jetë efekti negativ në buxhet nga heqja e taksës së importit për lëndët e para të industrisë së konfeksioneve dhe asaj të këpucëve, sipas vendimit të qeverisë.

Ndryshimet në paketën fiskale

NDRYSHIMET NË LIGJIN “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
1. “Rimbursimi i akcizës në mënyrë automatike të akcizës së lëndëve djegëse, solarit dhe mazutit, për industritë vendase të prodhimit.
2. Ulet akciza e birrës:
Deri në 70,000 hl:                10 lekë/litër
Nga 70 001 – 200 000:            12 lekë/litër
Nga 200 001 – 300 000:            15 lekë/litër
Mbi 300 000 hl:                30 lekë/litër
3. Rritja e akcizës për mazutin, solarin
dhe lëndët e tjera djegëse në:         37 lekë/kg
4. Rritja e akcizës për “koks nafte” në     2 lekë/kg

NDRYSHIMET NË LIGJIN “PËR TAKSAT KOMBËTARE”
1. Strukturim i taksës së karbonit:
Solar dhe mazut:                 3 lekë/litër
Vajguri:                     3 lekë/litër
Koks nafte:                 3 lekë/kg

NDRYSHIMET NË LIGJIN “PËR MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE”
1. Tarifa doganore për veshjet e gatshme (rrobat) bëhet 0 për qind
2. Tarifa doganore e lëndëve të para të industrisë së konfeksioneve (fasonistët) bëhet 0 për qind

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura