Miratohet me 128 vota ligji për Konferencën Gjyqësore

Jul 27, 2012 | 11:16

Parlamenti ka miratuar dje me konsensus ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”. Maxhoranca dhe opozita kanë bashkuar kartonët jeshilë, duke e kaluar këtë nismë me 128 vota pro dhe asnjë kundër. Në emër të Grupit të Partisë Socialiste, Armando Subashi deklaroi se me këtë nismë ligjore u jepet përgjigje të gjitha shqetësimeve të ngritura nga gjyqtarët për të pasur një ligj organik funksional. “Miratimi i këtij ligji është një detyrim kushtetues, pasi Konferenca Gjyqësore Kombëtare është një institucion që parashikohet në mënyrë shumë të qartë nga vetë Kushtetuta dhe parashikohet në mënyrë shumë të qartë që ajo të ketë një ligj organik të vetin për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të saj. Historiku i këtij ligji është i hershëm, që në vitin 2004, 2005. Si rezultat i ankesave të bëra nga shoqatat e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, siç u tha në vitin 2008 që shfuqizoi ligjin e vjetër si të papajtueshëm me Kushtetutën, sot kemi këtë projektligj që e kemi kaluar me konsensus në Komisionin e Ligjeve. Ligji përfaqëson drejt nivelet e Gjyqësorit për përfaqësimet në KLD, ligji zgjidh në mënyrë parimore gjyqtarët për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, deklaroi Subashi. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, u shpreh i kënaqur për punën e realizuar në hartimin e draftit të Konferencës së Gjyqësorit. “Projektligji parashikon se anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, duhet të jenë 5 gjyqtarë të gjykatave të Shkallës së Parë; 3 gjyqtarë të gjykatave të Apelit; dhe 1 gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Kjo formulë përzgjedhjeje siguron përfaqësimin në këtë organ të interesave të gjyqtarëve të të gjitha shkallëve të sistemit gjyqësor, duke garantuar mbrojtjen e tyre nga çdo ndikim i papërshtatshëm. Nga ana tjetër, projektligji parashikon një procedurë të hollësishme të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, procedurë kjo që garanton transparencën, parimin e konkurrueshmërisë, duke siguruar një përbërje cilësore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe funksionimin me anëtarësi të plotë të këtij organi në çdo kohë. Projektligji synon të largojë çdo të metë apo handikap të krijuar gjatë këtyre viteve, sidomos gjatë vakancave në procesin e zgjedhjes, duke parashikuar fillimin e procedurave për zgjedhjen e anëtareve, të paktën 90 ditë para mbarimit normal të mandatit për anëtar të KLD”, theksoi Halimi.

Konflikti i interesit
Ligji i organizimit të konferencës gjyqësore, sipas ministrit Eduard Halimi, parashikon frenimin e konfliktit të interesit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Anëtarët e zgjedhur nga KGJK nuk mund të paraqesin kërkesë për transferim apo ngritje në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Ky parashikim ligjor do të bëjë të mundur që anëtarët e KLD të zgjedhur me votat e gjyqtarëve, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre të mos punojnë për veten, por të përfaqësojnë interesat e kolegëve të tyre, që i kanë besuar misionin e qeverisjes së pushtetit gjyqësor”, theksoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura