Miratohet ligji: Raporti i Qeverisë, si do vendoset çmimi i tokave

May 8, 2012 | 12:31

Nga mbledhja e djeshme e komisionit te ligjeve

Ministria e Drejtësisë publikon studimin prej 24 faqesh për çmimin e pronave. Tërhiqet Alibeaj, kompensimi deri në 2014.

“Vlera e tokës të rishikohet çdo vit, të inspektohen çdo 4 vite”

Vlera e tokës duhet të rishikohet çdo vit. Ky është një ndër propozimet e raportit të shpërndarë dje në Komisionin e Ligjeve nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë miratimit të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Raporti prej 24 faqesh, i hartuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Vlerësuesve, ndalet në disa pika të rëndësishme që merren parasysh kur hartohet harta e vlerës së pronës.
Raporti
Sipas këtij raporti, “vlerat e tokës duhet të rishikohen çdo vit. Së paku një herë në katër deri në gjashtë vjet pronat duhet të inspektohen fizikisht dhe të rivlerësohen. Qasja e krahasimit të shitjeve është metodë parësore në vlerësimin e tokës dhe preferohet gjithmonë kur janë të disponueshme shitjet e mjaftueshme. Në mungesë të shitjeve të mjaftueshme, teknika të tjera të përdorura në vlerësim masiv (grup pronash) përfshijnë caktimin e tokës, abstraksionin, përdorimin e parashikuar, kapitalizimin e rentës në terren dhe kapitalizimi i mbetur i tokës”. Shoqata ka përcaktuar edhe një sërë karakteristikash të një prone, që duhen marrë parasysh gjatë përcaktimit të vlerës së tregut. “Karakteristikat e pronës që do të mblidhen dhe mbahen si të tilla duhet të bazohen si më poshtë: faktorët që ndikojnë tregun në lokalitetin në fjalë; kriteret e metodave të vlerësimi që do të përdoren; kriteret e klasifikimit dhe të politikës së tatimit mbi pronën; kriteret e përdoruesve në nivel qeveritar apo edhe atyre privat; përfitimet marzhinale (fitimi) dhe kostot e mbledhjes dhe ruajtjes së karakteristikave të çdo prone”, thuhet më tej në raport. Pas miratimit të disa ndryshimeve në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, nuk do të jetë më Parlamenti, por qeveria ajo që do të miratojë metodologjinë. Metodika e re do të ketë të përfshira pikërisht këto gjetje të raportit të titulluar “standardet e vlerësimit të një grupi pronash të paluajtshme”. “Një manual i qartë, i plotë dhe i saktë i mbledhjes së të dhënave është thelbësor dhe duhet të hartohet, përditësohet dhe mirëmbahet si i tillë. Manuali i shkruar duhet të shpjegojë mënyrën se si duhet të mblidhen dhe regjistrohen zërat për çdo të dhënë. Fotografitë, shembujt dhe ilustrimet janë gjithmonë të dobishme në këtë drejtim”, thuhet më tej në raportin e shpërndarë nga ministri i Drejtësisë.

Shitja e pronave
Në raportin e Shoqatës Ndërkombëtare të Vlerësuesve thuhet se “të dhënat për shitjet janë të nevojshme në të gjitha llojet e aplikimit të metodës krahasuese të shitjeve, në përgatitjen e tabelave të llogaritjes së zhvlerësimit sipas modeleve të tregut në metodën e kostos dhe në llogaritjen e normës së kapitalizimit apo tarifave të mbajtura paraprakisht”.

Raporti
. Karakteristikat e pronës që do të mblidhen dhe mbahen si të tilla duhet të bazohen si më poshtë: faktorët që ndikojnë tregun në lokalitetin në fjalë; kriteret e metodave të vlerësimi që do të përdoren; kriteret e klasifikimit dhe të politikës së tatimit mbi pronën; kriteret e përdoruesve në nivel qeveritar apo edhe atyre privat; përfitimet marzhinale (fitimi) dhe kostot e mbledhjes dhe ruajtjes së karakteristikave të çdo prone.

. Sasia dhe cilësia e të dhënave ekzistuese duhet të rishikohet. Nëse të dhënat janë të pakta dhe jo të besueshme, atëherë rezulton i nevojshëm rishqyrtimi i tyre. Kur të dhënat rezultojnë të besueshme, ato duhet të përdoren kurdoherë kur kjo është e mundur.

. Një manual i qartë, i plotë dhe i saktë i mbledhjes së të dhënave është thelbësor dhe duhet të hartohet, përditësohet dhe mirëmbahet si i tillë. Manuali i shkruar duhet të shpjegojë mënyrën se si duhet të mblidhen dhe regjistrohen zërat për çdo të dhënë. Fotografitë, shembujt dhe ilustrimet janë gjithmonë të dobishme në këtë drejtim.

. Të dhënat për shitjet janë të nevojshme në të gjitha llojet e aplikimit të metodës krahasuese të shitjeve, në përgatitjen e tabelave të llogaritjes së zhvlerësimit sipas modeleve të tregut në metodën e kostos dhe në llogaritjen e normës së kapitalizmit apo tarifave të mbajtura paraprakisht.

. Vlerat e tokës duhet të rishikohen çdo vit. Së paku një herë në katër deri në gjashtë vjet pronat duhet të inspektohen fizikisht dhe të rivlerësohen. Qasja e krahasimit të shitjeve është metodë parësore në vlerësimin e tokës dhe preferohet gjithmonë kur janë të disponueshme shitjet e mjaftueshme. Në mungesë të shitjeve të mjaftueshme teknika të tjera të përdorura në vlerësim masiv (grup pronash) përfshijnë caktimin e tokës, abstraksionin, përdorimin e parashikuar, kapitalizimin e rentës në terren dhe kapitalizimi i mbetur i tokës.

Drejtoria
Në ndryshimet e propozuara nga Alibeaj thuhet: “Çdo institucion shtetëror, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi mbi procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të së drejtës së pronës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe të sigurojë informacionin apo dokumentacionin e kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, si dhe të raportojë arsyet e mospërmbushjes së një mase apo rekomandimi të kërkuar. Ministria e Drejtësisë i ushtron këto përgjegjësi nëpërmjet Drejtorisë së Koordinimit”.

Të dhënat
Në pikën 1, paragrafi i 6, u bë një ndryshim sa i takon bazës së të dhënave. Me konsensus mes relatorit dhe ministrit të Drejtësisë, u ra dakord që “baza e të dhënave shtetërore të vlerësimin të pasurive të paluajtshme krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në të cilin përcaktohen: a) institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore; b) të dhënat parësore dhe dytësore; c) dhënësin/dhënësit e informacionit; ç) ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave; d) niveli i aksesimit për subjektet e interesuara”.

“Vlerësimi i tokave me teknika të besueshme”
Shoqata Ndërkombëtare e Vlerësuesve u ka kushtuar një rëndësi të madhe edhe ekspertëve që do të bëjnë vlerësimin e tokave. Sipas raportit të depozituar në Komisionin e Ligjeve, “stafi i brendshëm duhet të ketë besim në vlerësime dhe të jetë i aftë të shpjegojë dhe t’i mbrojë ato. Ky besim fillon me aplikimin e teknikave të besueshme të vlerësimit, përgatitjen e raporteve përkatëse të vlerësimit dhe rishikimit të vlerave paraprake. Mund të jetë e dobishme që të ketë raporte që rendisin çdo parcelë, karakteristikat e saj dhe vlerën e saj të llogaritur. Parcelat me karakteristika të pazakonta, vlera ekstreme ose ndryshime ekstreme në vlerë duhet të identifikohen për rishikim të mëtejshëm individual”. Raporti pritet të jetë një bazë e rëndësishme në metodologjinë e re që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Komisioni: Debati, sot amendamentet për tokat bujqësore
Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë sot dy projektligje për tokat bujqësore. Fillimisht do të diskutohen ndryshimet në ligjin “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” dhe më pas ndryshimet “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Për të dyja këto projektligje ka paraqitur amendamente deputeti i Partisë Republikane, njëherësh ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu. Nga ana tjetër, opozita pritet t’i kundërshtojë ato njësoj në një javë më parë, kur u bë diskutimi në parim.

Ligji i pronave, tërhiqet Alibeaj

Maxhoranca, në Komisionin e Ligjeve, ka miratuar dje ndryshimet në ligj, opozita abstenon.

Harta e çmimeve caktohet nga Qeveria, kompensimi në 2014.

Enkelejd Alibeaj

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje ndryshimet në ligjin e pronave. Ish-ministri Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e relatorit, u tërhoq nga një pjesë e kritikave të shprehura në mbledhjen e një jave më parë të Komisionit.
Nga ana e saj opozita abstenoi në miratimin në tërësi të draftit, duke shprehur shqetësimin e saj veçanërisht në pikën 3 të nenit 1, sipas të cilit, metodologjia nuk do të miratohet më nga Parlamenti, por nga Këshilli i Ministrave.
Ligji
Pas kritikave të ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e relatorit, deputeti i PD-së dhe qeveria erdhën me një draft të përbashkët. Në fillim të mbledhjes, ministri Halimi tha se “jemi ulur bashkë me relatorin javën e kaluar dhe kemi rënë dakord që një pjesë e të gjitha shqetësimeve që janë ngritur nga relatori do të trajtohen dhe do të bëjmë një draft të përbashkët për të gjitha nenet”. Me propozim të Alibeajt, në nenin 1 u bë një ndryshim, sipas të cilit, në kategorinë e objekteve ndërtimore përfshihen ndërtesat dhe strukturat inxhinierike që e gëzojnë këtë cilësi sipas legjislacionit në fuqi. Me konsensus mes ministrit të Drejtësisë dhe relatorit, dispozita sipas së cilës metodologjia do të miratohet nga Këshilli i Ministrave nuk ndryshoi. “Metodologjia për vlerësimin e pronës sipas kritereve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në pikën 3 të nenit 1. Opozita në këtë pikë kundërshtoi propozimin e maxhorancës, duke kërkuar që metodologjia të vazhdojë të miratohet nga Parlamenti. “Ne vazhdojmë të kemi qëndrimin që metodologjinë duhet ta miratojë Kuvendi, dhe jo qeveria”, u shpreh deputetja e PS-së, Shega Ligori. Komisioni i Ligjeve miratoi gjithashtu propozimin për ta shtyrë afatin e përfundimit të procesit të kthimit të pronave deri më 30 prill 2014. “Ne po e lëmë dy vjet këtu, por brenda një viti e gjysmë, pikërisht këto 6500 dosje, nëpërmjet dy metodave: me metodën që ka të bëjë me ristrukturimin e agjencisë si dhe me metodën tjetër, e cila do të ezaurojë një numër jashtëzakonisht dosjesh të mëdha në mënyrë të shpejtë të paktën brenda muajve të parë që ligji do të hyjë në fuqi”, shprehet Halimi. Në pikën e fundit, ku flitet për Drejtorinë e Koordinimit, u miratua neni, sipas të cilit: “Ministria e Drejtësisë, në funksion të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të së drejtës së pronës, bashkërendon veprimtarinë me AKKP-në, ZRPP-në, ALUIZNI-n, si dhe çdo institucion tjetër, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi mbi këtë proces”.

Maxhoranca rrëzon amendamentet e Mediut

Ligjet nuk marrin parasysh propozimet e ministrit për ligjin e kompensimit
Majko: Ministri të japë dorëheqjen, pastaj të kundërshtojë Qeverinë

Mediu dje në Komisionin e Ligjeve

Maxhoranca rrëzoi dje amendamentin e ministrit Mediu për të detyruar AKKP-në që brenda 2 muajve të paraqiste në qeveri studimin për nevojat për personel dhe infrastrukturën e nevojshme. Gjatë diskutimit të ligjit nen për nen, u pranua vetëm një propozim i kreut të PR-së, sipas të cilit në kategorinë e tokës të përfshihet edhe toka e pafrytshme. Ndërkohë deputeti i PS-së, Pandeli Majko, kritikoi Mediu, njëherësh ministër i Mjedisit, për ndryshimet e propozuara në ligjin e pronave. Sipas ish-kryeministrit, Mediu qëndrimet e tij duhet t’i shprehte në mbledhjen e qeverisë dhe pas miratimit të ligjit nuk duhet të kërkonte më rishikimin e tij në Parlament. “Zoti Mediu, ju, nëse keni mendime të ndryshme, duhet t’i paraqisnit në qeveri. Në momentin që qeveria firmos një projektligj, ju nuk keni të drejtë kushtetuese të vini këtu. Ne s’mund të bëhemi arbitra të mendimeve të ndryshme të ministrave. Zoti Mediu, nëse ju keni mendime të ndryshme nga qeveria, duhet të jepni dorëheqjen si ministër dhe të vini këtu si deputet dhe të shprehni mendime të ndryshme nga qeveria e nga programi i saj”, u shpreh Majko. Ndërsa ministri Mediu u përgjigj duke thënë se tha se “për sa u përket qëndrimeve të mia të shprehura apo të pashprehura në qeveri, mund ta vërtetojë zoti Majko duke hapur protokollin e mbledhjes për këtë çështje. Për sa i përket pozicionit tim për të qenë apo jo ministër, mendoj se duhet të jetë pak i rezervuar për të bërë rekomandime. Mund të jenë të tjerë që mund ta bëjnë atë rekomandim se ç’pozicion duhet të kem unë në qeveri. Në dy projektligjet që kam bërë amendamentet, kam shprehur qëndrimin tim kundër në raport me këtë çështje dhe kam bërë këtë qëndrim publik në mbledhjen e Këshillit të Ministrave”.

Debati në Komisionin e Ligjeve
Pandeli Majko:
U kërkoj ndjesë dy kolegëve që janë deputetë dhe ministra, por mendoj se janë duke e vënë Komisionin në një situatë të paprecedentë. Unë këtu kam një projektligj të firmosur nga Kryeministri dhe tani Komisioni ka përballë dy ministra që vijnë me mendime të ndryshme. Mendoj se kjo histori nuk mund të diskutohet kështu. Nëse Kryeministri ka firmosur me shkronjë të trashë këtu një projektligj, dy ministrat, në bazë të Kushtetutës, nuk mund të vijnë të na paraqiten në Komisionin e Ligjeve me mendime të ndryshme. Ne si Komision Ligjesh nuk mund të jemi arbitra mes anëtarëve të qeverisë që na vijnë këtu me mendime të ndryshme. Zoti Mediu, ju, nëse keni mendime të ndryshme, duhet t’i paraqisnit në qeveri. Në momentin që qeveria firmos një projektligj, ju nuk keni të drejtë kushtetuese të vini këtu. Ne s’mund të bëhemi arbitra të mendimeve të ndryshme të ministrave. Zoti Mediu, nëse ju keni mendime të ndryshme nga qeveria, duhet të jepni dorëheqjen si ministër, të vini këtu si deputet dhe të shprehni mendime të ndryshme nga qeveria e nga programi i saj.
Ilir Rusmali: Përtej opinioneve personale, ky komision vepron në bazë të Rregullores së Kuvendit. Rregullorja njeh të drejtën e çdo deputeti që të marrë nisma të veçanta ose në lidhje me projektligje që janë në axhendë. Diskutimi ynë procedural fillon dhe mbaron këtu. Mediu është në të drejtën e tij në raport me Rregulloren.
Fatmir Mediu: Kushtetuta që lexon zoti Majko dhe Kushtetuta që lexoj unë nuk e ndalon iniciativën e deputetit për të sjellë këtu nisma ligjore, siç theksuat ju, edhe Rregullorja. Besoj se duhet t’i lexojmë mirë. Nëse duam të bëjmë debate të pavlefshme, mendoj se nuk është vendi. Përsa u përket qëndrimeve të mia të shprehura apo të pashprehura në qeveri, mund ta vërtetojë zoti Majko duke hapur protokollin e mbledhjes për këtë çështje. Përsa i përket pozicionit tim për të qenë apo jo ministër, mendoj se duhet të jetë pak i rezervuar për të bërë rekomandime. Mund të jenë të tjerë që mund ta bëjnë atë rekomandim se ç’pozicion duhet të kem unë në qeveri.
Bashkim Fino: Unë e vlerësoj deputetin e PR-së, Fatmir Mediu, për të sjellë amendamente. Këto amendamente dhe sugjerime zoti Mediu i ka bërë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave? Çfarë përgjigjeje ka marrë nga qeveria që ka ardhur këtu në Parlament?
Fatmir Mediu: Përsa i përket rastit konkret, që është parashtruar këtu, Ministria e Mjedisit nuk ka marrë informacion për projektligjin, ka mbështetur në parim zgjatjen e afateve sepse e konsideroj që edhe afatet janë tërësisht vendimmarrje politike që s’mund të vendosë për të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Në dy projektligjet që kam bërë amendamentet, kam shprehur qëndrimin tim kundër në raport me këtë çështje dhe kam bërë këtë qëndrim publik në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura