Miratohen masat e kursimit, Athina gdhihet e shkatërruar

Feb 14, 2012 | 11:18

Nga protestat ne Athine

PASOK e “Demokracia e Re” përzunë 43 deputetët rebelë.

Huaja ende e pasigurt, eurozona mblidhet të mërkurën.

Athina i miratoi masat e kursimit, por dyshimet për marrjen e paketës mbeten ende, pasi Greqia duhet të bindë ministrat e Financës së eurozonës, të cilët do të takohen të mërkurën. Ministrat do t’i kërkojnë Greqisë të shpjegojë se si do të arrihet shkurtimi i 325 milionë eurove në shkurtimet e buxhetit, përpara se ata të bien dakord për paketën 130 miliardë euro. Pritet edhe vendimi i përfaqësuesve të trojkës (KE, BQE, FMN) për të vlerësuar nëse masat e reja mjaftojnë. Pas përleshjeve të zjarrta gjatë tri ditëve të fundit, Athina u gdhi dje si një zonë lufte me dhjetëra ndërtesa të djegura e me ajrin ende të trazuar nga gazi lotsjellës. Ligjvënësit po bëjnë bilancin e shkatërrimeve thjesht për formalitet, pasi rindërtimi i godinave të shkatërruara kërkon para, të cilat Athinës i mungojnë më shumë se kurrë. Të paktën 93 ndërtesa u dogjën, duke përfshirë kinematë më të vjetra të Athinës, ndërsa grekët protestonin kundër planeve që shpresohet ta shpëtojnë vendin nga falimentimi. Më shumë se 150 dyqane u vodhën dhe vitrinat e kateve të para u thyen nga dhuna e ditëve të fundit. Përleshjet mes policisë dhe protestuesve shkaktuan 120 të plagosur. Protestat, ku u angazhuan më shumë se 100 mijë veta, gjatë së dielës u shtrinë në Selanik, qyteti i dytë më i madh në Greqi, e gjithashtu qytete të tjera dhe në ishujt e Kretës e Korfuzit. Sipas autoriteteve greke, 68 policë kishin nevojë për ndihmë mjekësore, pasi ishin plagosur nga bombat me benzinë, objekte të forta dhe 70 protestues janë shtruar në spital. Policia ka arrestuar 130 persona dhe në shumë raste është dashur të shoqërojë ekipet e zjarrfikësve nëpër godinat në flakë, sepse protestuesit e pengonin hyrjen e tyre. Protesta u organizuan për të kundërshtuar valën e re të masave të kursimit, të cilat në orët e para të mëngjesit të së hënës u miratuan me shumicën e mbështetjes në Parlament, me 199 deputetë pro dhe 74 kundër, nga 278 që ishin të pranishëm. Votimi nuk u mbështet nga 43 deputetë të dy partive më të mëdha, 22 deputetë të PASOK dhe 21 deputetë të Demokracisë së Re, të cilët u përjashtuan nga grupet parlamentare, pasi shkelën disiplinën partiake. Edhe dy deputetë të tjerë u përjashtuan nga partia e tyre, LAOS, pasi votuan pro kursimeve të reja. Kundër projektligjit të shkurtimeve votuan edhe deputetët e Partisë Komuniste, Syriza.

Mirëpritet vendimi
Komisioni Europian i mirëpriti masat në Greqi. Komisioneri ekonomik, Olli Rehn, u kërkoi grekëve të zbatonin plotësisht reformat në këmbim të huas. Ndërsa Gjermania e mirëpriti me kujdes miratimin e masave në Greqi, me ministrin e Financave, Westerwelle që deklaroi se “ky është hapi i parë domethënës drejt rrugës së duhur, sidoqoftë reformat duhen zbatuar dhe jo thjesht të miratohen në letër”.

© Panorama.al

Te lidhura