“Ministria pengoi strehimin e viktimave të trafikimit”

Jun 29, 2011 | 11:38
Departamenti Amerikan i Shtetit

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2010 kritikon ashpër Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për rolin e saj në mbrojtjen e viktimave të trafikut.Raporti, i cili u bë dje publik nga Ambasada Amerikane në Tiranë, thekson se Shqipëria është një vend burimi për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar, përfshirë lypjen e detyruar të fëmijëve. Viktimat shqiptare u nënshtrohen kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit për shfrytëzim seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe në Europën Perëndimore. Gati gjysma e viktimave që u referuan për përkujdesje brenda territorit të vendit gjatë vitit 2010 ishin gra dhe vajza shqiptare që u nënshtroheshin kushteve të seksit të detyruar në hotele dhe rezidenca private në Tiranë, Durrës dhe në Vlorë. Fëmijët në radhë të parë shfrytëzoheshin për lypje të detyruar dhe forma të tjera të punës së detyruar; disa vajza i ishin nënshtruar prostitucionit ose punës së detyruar pas martesave me shkuesi. “Ka të dhëna që burra shqiptarë i janë nënshtruar punës së detyruar në sektorin bujqësor në Greqi dhe në vende të tjera fqinje. OJQ-të vazhdojnë ta raportojnë si problem ritrafikimin e viktimave shqiptare”, thuhet në raport.
Ministria
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Gjatë vitit, qeveria mori disa hapa konkretë për të përmirësuar strategjinë e përgjithshme antitrafikim. Konkretisht, qeveria ka caktuar fonde për OJQ-të dhe ka ofruar asistencë të drejtpërdrejtë për riintegrimin ekonomik të viktimave. Qeveria caktoi gjithashtu një koordinues viktimë-dëshmitar dhe dy prokurorë të specializuar antitrafikim për të përmirësuar proceset gjyqësore të rasteve të trafikimit dhe trajtimin e viktimave që bashkëpunojnë si dëshmitarë për shtetin. Sipas raportit, këto përpjekje paralajmërojnë për mirë për rezultatet në të ardhmen. Megjithatë, gjatë periudhës së raportimit, një ministri e qeverisë (Ministria e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta), u përpoq t’u hiqte në mënyrë të njëanshme licencat strehëzave të tri OJQ-ve të specializuara për antitrafikim. Ministria në fjalë, sipas raportit, e prapësoi urdhëresën pas ndërhyrjeve të përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar. Nga ana tjetër, siç thuhet në raport, OJQ-të vazhduan të raportojnë boshllëqe në zbatimin e Mekanizmit të Kombëtar të Referimit (MKR). Sipas DASH-it, korrupsioni i kudogjendur, veçanërisht brenda Gjyqësorit, vazhdoi të pengojë përpjekjet antitrafikim të zbatimit të ligjit dhe të mbrojtjes së viktimave. Sipas raportit, në vitin 2010, OJQ-të dhe strehëza e qeverisë ndihmuan 97 viktima trafikimi përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit, krahasuar me 94 viktima në vitin 2009. Katërmbëdhjetë prej viktimave ishin fëmijë, ndërkohë në këtë vit u identifikuan 51 nga 97 viktima të referuara për ndihmë. “Gjatë periudhës së raportimit, një ministri e qeverisë e anashkaloi tërësisht MKR-në dhe u përpoq të hiqte në mënyrë të njëanshme licencat e strehëzave të tri OJQ-ve nënshkruese që ofrojnë strehim dhe asistencë për viktimat e trafikimit; Ministria e prapësoi urdhëresën pas ndërhyrjeve të përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar. Këto kërcënime për mbyllje dëmtuan besimin dhe partneritetin mes qeverisë dhe shoqërisë civile për mbrojtjen e rasteve të viktimave të trafikimit”, thekson raporti. Sipas tij, gjatë periudhës së raportimit, qeveria  finalizoi ligjin që ofron asistencë për riintegrimin e viktimave dhe siguroi pagesë prej 30 dollarësh në muaj për çdo viktimë, pasi ato largoheshin nga strehëza.

Prokuroria

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thekson se Prokuroria e Përgjithshme nuk kërkoi mbrojtje të dëshmitarëve për viktimat e trafikimit gjatë vitit 2010. Për të përmirësuar mbrojtjen, prokurori i Përgjithshëm caktoi një avokat viktimë-dëshmitar për të ndihmuar në shërbimin e nevojave të viktimave dhe dy prokurorëve të specializuar për çështjet e trafikimit. Seksioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda raportoi hetimin e 29 trafikuesve të dyshuar dhe Gjykata e Krimeve të Rënda ndoqi penalisht 27 kundërvajtës të dyshuar për trafikimin në vitin 2010, duke dënuar 11 prej tyre, krahasuar me ndjekjen penale të 31 kundërvajtësve dhe dënimin e 11 prej tyre në vitin 2009.

© Panorama.al

Te lidhura