Vestervelle: Kufinjtë janë zgjidhur përfundimisht

Aug 11, 2011 | 12:40

PRISHTINE- Harta e Evropës Juglindore është vizatuar. Çështjet e statusit dhe të territoreve në rajonin e Ballkanit janë zgjidhur përfundimisht, tha në Prishtinë, ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervelle.

Ai shprehu domosdoshmërinë që zgjidhjet për mospajtimet ekzistuese ndërmjet Prishtinës e Beogradit  – përfshirë problemet që ndërlidhen me veriun, të gjenden në dialogun në mes të palëve, ndërsa ritheksoi mbështetjen e Berlinit zyrtar për integritetin territorial të Kosovës.

“Kjo nënkupton që kjo mbetet jashtë diskutimit për ne. Ne mendojmë se dialogu është i nevojshëm. Ne mendojmë se bashkëpunimi, në vend të konfrontimit, duhet të jetë fundamental për çdo proces në rajon, por kjo nënkupton që çdokush i respekton kufijtë”, u shpreh shefi i diplomacisë gjermane pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Megjithatë, ai nuk deshi të japë detaje për parakushtet eventuale të cilat do t’i viheshin Serbisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Para takimit me kryeministrin e Kosovës, ministri i jashtëm gjerman është takuar edhe me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, kurse gjatë ditës pritet të takohet edhe me përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë, që veprojnë në Kosovë. (rel)

© Panorama.al

Te lidhura