Ministrat e euro-zonës nuk bien dakord për Greqinë

Jun 15, 2011 | 18:09

Ministrat e financave të eurozonës nuk kanë mundur të bien dakord gjatë një takimi në Bruksel për një paketë të re ndihme prej miliardash për Greqinë e zhytur në borxhe.

Seanca e diskutimeve do të vazhdojë të dielën. Debat përbën kërkesa e Gjermanisë, që edhe kreditorët privatë të Greqisë, si bankat dhe kompanitë e sigurimeve duhet të përfshihen në paketën e re të ndihmës për Greqinë, gjë që është kundërshtuar nga vendet e tjera, njofton Deutsche Wellle. Sipas propozimit të ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble, ata duhet të shkëmbejnë borxhet e tyre në bono me vlerë për një afat të gjatë kohor.

Disa vende të eurozonës dhe Banka Qendrore Evropiane e hodhën poshtë këtë plan, për shkak të rreziqeve potenciale në tregjet financiare. Greqia vazhdon të ketë probleme financiare, me gjithë se në 2010 nga BE-ja, vendet e eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mori një paketë ndihme prej 110 miliradë eurosh. Sipas vlerësimeve Athinës i nevojiten edhe 90 deri në 120 miliardë euro të tjera. Ministrat e financave të zonës euro do të takohen për këtë temë përsëri ditën e dielë.

© Panorama.al

Te lidhura