
Minatorët e Bulqizës kanë vijuar ritin e tyre të protestave, ndërsa dje u mbushën 51 ditë nga paralizimi i minierës.Në orën 07.00 janë grumbulluar para zyrave të ACR-së dhe kanë qëndruar aty deri në orën 15.00. Ndërkaq, ndryshe nga ditët e tjera, nuk ka pasur asnjë reagim nga kompania austriake. Administratori është larguar dy ditë më parë nga qyteti i minatorëve dhe askush nuk është kujdesur për zgjidhjen e shqetësimeve të minatorëve. Në një farë mënyre duket se të gjitha rrugët që të çojnë në zgjidhjen e kërkesave të minatorëve janë mbyllur. Minatorët vazhdojnë të mendojnë se ACR nuk është e interesuar në zgjidhjen e kërkesave, përderisa i ndryshon ato herë pas here dhe këmbëngul në mosnjohjen e drejtuesve sindikalistë. Dje, minatorët nuk kanë brohoritur, as nuk kanë dëgjuar fjalime të drejtuesve sindikalistë, pasi presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, ka trokitur dje në mesditë në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, duke kërkuar ndihmën e këtij dikasteri për zgjidhjen e kërkesave ekonomike të minatorëve të Bulqizës. Mësohet se kreu sindikalist ka pasur një takim të shkurtër me ministrin dhe i ka kërkuar atij ndërhyrjen e qeverisë, duke e njohur atë më situatën e fundit në minierën e Bulqizës, me problemet e krijuara nga firma “Albanian Chrom”. Ministri i Punës ka garantuar kreun sindikalist se ky shqetësim do të trajtohet në mbledhjen e qeverisë dhe se sot Kryeministri Berisha do të ketë një takim të posaçëm për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve të Bulqizës. Nga ana e firmës austriake dje nuk ka pasur asnjë prononcim. Sipas minatorëve, Giga Bedineishvili është larguar jashtë vendit që pasditen e së martës, ndërkohë asnjë përfaqësues tjetër i firmës austriake nuk është prononcuar në lidhje me konfliktin e krijuar mes saj dhe minatorëve. Minatorët, këshilli sindikal dhe komisioni i grevës janë në pritje të ndihmës që mund të japë Këshilli i Ministrave, pasi të gjitha hallkat janë ezauruar. Ata nuk kanë përcaktuar veprime të reja sindikaliste, por mendohet se do të qëndrohet në pritje të zhvillimeve të reja. “Puna në minierë nuk do të fillojë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të minatorëve. Sikur dy vjet të zgjasë protesta, ne do ta vazhdojmë atë si mjetin e vetëm për të pasur paga e kushte më të mira pune, për t’i hapur perspektivën minierës e për të ndalur abuzimet me mundin e djersën e minatorëve”, u shprehën dje drejtuesit e protestës paqësore.
Miniera në mëshirë të fatit
Pas të gjitha këtyre zhvillimeve, prej 4 korrikut të këtij viti, askush nuk e ka të qartë çfarë do të ndodhë me minierën e kromit Bulqizë. Minatorët deklarohen të vendosur në qëndrimin e tyre, ndërkohë ACR, në vend të zgjidhjes së kërkesave, kërkon largimin nga Bulqiza të krerëve sindikalistë, duke tentuar kështu të mos ketë “opozitë” në ndërmarrjen që ka marrë me koncesion.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











