
Dita e katërt e protestës së 700 minatorëve të Bulqizës. Që në orët e para të mëngjesit, qindra minatorë kanë lënë shtëpitë e tyre në qytetin e Bulqizës dhe janë ngjitur lart, në mjediset e kompanisë “Albanian Krom”.Dera kryesore qëndron e hapur. Policia private nuk pengon askënd të hyjë apo të dalë nga zyrat e ACR-së. Disa punëtorë qëndrojnë së bashku dhe bisedojnë për fatin e protestës së tyre, të tjerë luajnë domino, ndërkaq, gra që punojnë në seleksionim apo sektorë ndihmës janë bashkuar me protestuesit. Të gjitha zyrat e minierës qëndrojnë të mbyllura. E vetmja zyrë që pret e përcjell njerëz është ajo e këshillit sindikal të minatorëve. Dilaver Përkoxha, kryetar i kësaj sindikate, tha se ai dhe kolegët e tij protestues janë në pritje të një njoftimi zyrtar për organizimin e një takimi të paralajmëruar mes Ministrisë së Ekonomisë, firmës “ACR” dhe minatorëve, por që u shty për ditën e sotme. Kishim vendosur që takimi të mbahej në Bulqizë, por toleruam dhe kemi rënë dakord të takohemi në kryeqytet. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim në kërkesat tona. Ministria duhet të penalizojë firmën koncesionare se nuk ka zbatuar kontratën e nënshkruar”, tha Përkoxha.
Teksa hyjnë e dalin minatorë vazhdimisht nga e vetmja zyrë që qëndron e hapur, Përkoxha nuk nguron të tregojë letërkëmbimet me firmën austriake dhe drejtorinë e ndërmarrjes.
Letërkëmbimet e papublikuara
Në fund të muajit qershor, Taf Koleci, president i Federatës së Sindikatave të Industrisë së Shqipërisë dhe kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bulqizës, Përkoxha, kanë njoftuar kompaninë “ACR”, Bashkinë e Bulqizës dhe Drejtorinë e Spitalit se do të nisnin një grevë të përgjithshme duke kërkuar në rrugë ligjore zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike. Sindikalistët argumentojnë se protesta e tyre bazohet në Kodin e Punës, Statutin e Federatës së Sindikatave, vendimet e Këshillit Sindikal, vendimet e Zyrës Kombëtare të Ndërmjetësimit dhe Zyrës Kombëtare të Pajtimit. Tri ditë para fillimit të protestës, po Koleci e Përkoxha kanë vënë në dijeni firmën koncesionare në lidhje me kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të sigurisë, shëndetit në punë, duke kryer urgjentisht rinovimin teknologjik në pajisje e furnizim cilësor e standarde të bazës materiale teknike, si dhe rritje page 20%, duke filluar nga data 1 korrik 2011. Gjithashtu ata kërkojnë anulimin e menjëhershëm të të gjitha lejeve minerare të dhëna me ligj apo që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm brenda territorit të koncesionarit “ACR”, përfshirë dhe anulimin e dhënies me nënkontraktim nga koncesionari të Zonës D, si të pambështetur në ligj.
Kërcënimet e ACR-së
Tri letra ka dërguar administratori i ACR-së, Giga Bedineishvili. Në datat 1, 4 dhe 5 korrik ai u ka kërkuar minatorëve të ndalin protestën e nisur dhe të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në përgjigje të shqetësimeve të minatorëve, me datë 1 korrik 2011, administratori i ACR-së shkruan: “Duke u bazuar në tekstin e peticionit dhe njoftimit të shkruar dhe të dërguar nga ju tek ACR, kjo e fundit vlerëson se greva e njoftuar nga ju më datë 29 qershor 2011 plotëson kushtet e një greve të paligjshme. Mbi këtë bazë, ACR do të zbatojë dhe kërkojë të zbatohen të drejtat që i jepen si punëdhënës nga legjislacioni në fuqi”. Ndërsa në letrën e dytë thuhet: “Nëse ju këmbëngulni në vendimin për të vazhduar veprimin tuaj të paarsyeshëm dhe joligjor, do t’i jap vetes të drejtën që të informoj të gjithë punëtorët që për shkak të mosmarrëveshjeve ligjore që do të më duhet të adresoj kundër sindikatës suaj, miniera do të qëndrojë e mbyllur për disa muaj”.
Në letrën e radhës Giga shprehet se përsa i përket kërkesës për një rritje të mundshme të rrogave për punëtorët, “dua t’ju them se kjo kërkesë do të diskutohet vetëm pasi greva të përfundojë dhe punëtorët t’i rikthehen punës”.
Akuzat e reja të minatorëve
Teksa prisnin fillimin e bisedimeve, minatorët që qëndronin në mjediset e minierës përpiqen të argumentojnë një mal me abuzime. Megjithëse e dinë se mund të largohen nga puna, ata guxojnë të tregojnë ato çfarë kanë parë e dëgjuar. Minatori A. Pepkola tha se vite më parë minatorët kanë zbuluar, me ndihmën e Prefekturës Dibër, se administrata e minierës përgatiste dy palë bordero, një me të cilën minatorët merrnin pagat e tyre dhe një tjetër me paga më të mëdha. “Kemi dyshimet tona se edhe aktualisht përgatiten nga drejtoria e ndërmarrjes dy palë bordero. Ne nuk marrim në asnjë rast hakun tonë. Dyshimet tona lidhen me faktin se firma e huaj nuk është e informuar si duhet me gjendjen në këtë minierë. Këtë e konstatuam edhe në takimin me përfaqësuesit e ACR-së. Përkthimi i gabuar që u bënin kërkesave tona persona të lidhur me administratën aktuale, na bën të dyshojmë fort se këtu ka abuzime të mëdha”. Të pyetur pse nuk u drejtohen organeve të drejtësisë, minatorët thanë se organi i akuzës është i njohur me këto akuza. Madje, sipas tyre, edhe Prokuroria e Përgjithshme disponon informacionin e mjaftueshëm për të nisur hetimet. Një akuzë tjetër e minatorëve është ajo se ka diferencime të mëdha mes punëtorëve. M. Keta, 33 vjet minator, tha se vetëm afro 200 nga 700 minatorët punojnë direkt në prodhim, ndërsa pjesa tjetër paguhet në kurriz të punëtorëve të galerive.
Metalurgët e Elbasanit, solidarizim me Bulqizën
Edhe metalurgët e uzinës së ferro-kromit në Elbasan solidarizohen me minatorët e Bulqizës në protestën e tyre të nisur disa ditë më parë. Kryetari i Sindikatës së Ferro-kromit, Ismet Dauti, pohon se “duke qenë se miniera e Bulqizës, si dhe uzina e ferro-kromit drejtohen nga i njëjti administrator, (ACR), edhe ne si metalurgë mbështesim dhe solidarizohemi me minatorët e Bulqizës. Kërkesat e tyre janë të gjitha të drejta dhe kompania duhet t’i respektojë të gjitha pretendimet e bëra nga minatorët”. Ndër të tjera Dauti thotë se, “duke qenë të gjithë të solidarizuar, shpresojmë zgjidhje sa më të shpejtë dhe mendojmë që minatorët dhe drejtuesit e kompanisë të ulen në bisedime sa më urgjente për të zgjidhur këtë problem”. Sindikalisti Dauti i kërkon qeverisë që të ndërhyjë pranë firmës “ACR” që e ka me koncesion, për plotësimin e kërkesave që janë etike për këta minator, ndryshe qeveria do të përballet me greva të përgjithshme në të gjithë vendin. “Një përfaqësi e kësaj sindikate do t’i bashkohet grevës së minatorëve dhe, në një përshkallëzim më të mëtejshëm, ne do të solidarizohemi në mbështetje të tyre në Bulqizë”. m.s
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











