BULQIZE-Duhet të zbresësh me dy ashensorë, rreth 700 metra thellësi me secilin, për të mbërritur në vendin ku janë ngujuar 20 minatorët e Bulqizës. I ftohti, uji, balta, errësira të shoqërojnë që nga metrat e para deri në thellësinë 1400 metra nën tokë. Zbritja në thellësi është e frikshme. Firma që do të financonte miliona euro në këtë minierë, nuk kishte siguruar as ashensorët.
Në dy anë, ato nuk kishin as mbrojtës llamarine, duke rrezikuar jetën e kujtdo që qarkullon me to. Takimi me minatorët është rrëqethës. Janë shtrirë përtokë, gjendja e tyre duket e mjerueshme. Poshtë kanë vendosur disa kartonë dhe ndonjë batanije. Janë veshur trashë sepse bën shumë
ftohtë. Rrymat e ftohta të ajrit, lagështia e madhe dhe zhurmat e makinerive janë shqetësuese. Në hyrje të tunelit ku qëndrojnë 20 burra na pret kryetari
i grevës, Baki Bajraktari. Ai na thotë se grevistët kanë filluar të kenë marrje mendsh, të tjerë ankohen se kanë dhimbje koke. Kjo ishte gjendja dje
në 1400 metra thellësi, në galerinë ku janë ngujuar me grevë urie minatorët. Ndërkaq, 300 minatorë të tjerë qëndruan gjatë të gjithë natës jashtë minierës
bashkë me familjarë e të afërm të grevistëve. Gjendja është mjaft e acaruar. Pak orë pas futjes në grevë të 20 minatorëve, elektricisti i kompanisë
së huaj, me sa duket i urdhëruar nga eprorët e tij, ka ndalur energjinë elektrike. Minatorët që kishin hyrë në thellësi kanë mbetur të shtangur, duke menduar se diçka jo normale po ndodhte me ta. Kryetari i grevës së urisë, Baki Bajraktari, kërkoi dje që prokuroria të hetojë me urgjencë këtë veprim
pasi, sipas tij, është vënë në rrezik jeta e 20 minatorëve. Gjithashtu u rrezikua përmbytja e galerive nga uji, pasi pompat nuk funksionojnë pa drita.
Ndërsa dje, rreth orës 08:00, ndodhi incidenti i dytë. Minatorët nxorën gjithë administratën nga zyrat dhe më pas iu drejtuan zyrës së drejtorit të
minierës, Medat Zogu. Ata i kërkuan të largohet vullnetarisht nga miniera dhe më pas e kanë detyruar atë të ikë. Sherif Huna është njëri nga minatorët
që thotë se asnjë zyrtar i ACRsë nuk do të qëndrojë në mjediset e minierës. “Miniera është pronë e minatorëve. Kam punuar 20 vjet në transport dhe
kemi vendosur të mos tolerojmë. Babai im ka vdekur në minierë dhe unë jam i gatshëm të flijohem. Boll jemi mashtruar e dhunuar nga firmat e huaja”,
tha ai. Ndërsa një grua rreth të 50-ave tha se kunati i saj humbi jetën në minierë shumë vite më parë. “Kam punuar 25 vjet në transportin
e jashtëm dhe kam parë me sytë e mi vuajtjet e vëllezërve minatorë. Firma austriake po tallet me ne. Paguhemi 28 mijë lekë në muaj, ndërkohë
gjithë pjesëtarët e familjes janë të papunë”, u shpreh ajo.
“Nuk dalim që këtej pa na plotësuar kërkesat”
Përfaqësuesi i minatorëve, i cili është njëri prej grevistëve të urisë, Baki Bajraktari, u shpreh dje se nuk do të ndalin grevën.
Z. Bajraktari, pati shumë minatorë që donin të futeshin në grevë?
Ishin dhjetëra minatorë që kërkonin të hynin në grevë urie, por ne vendosëm që vetëm 20 prej tyre të hynin në nivelin 14. Nuk pranuam më shumë, pasi mjediset janë të vogla dhe nuk ka mundësi qëndrimi.
Patët pengesa gjatë hyrjes në grevë?
Po. Fillimisht ishin persona që keqpërdoren nga firma e huaj, që na kanë survejuar në çdo moment, madje tentuan ta përçajnë sindikatën. Ne arritëm të hyjmë në pusin nr.2, të zbresim në nivelin 5, por më pas na fikën dritat. U ndjemë shumë keq. Lajmëruam me sinjale kolegët në sipërfaqe dhe situata u ndërlikua keq. Pas afro dy orësh, energjia u rikthye dhe mësuam se ishte tekniku A. Disha që kishte kryer një veprim të tillë skandaloz. U kërkuam minatorëve të sipërfaqes të depozitojnë në prokurori një kallëzim.
Nëse nuk do të merrni një përgjigje për kërkesat tuaja, si do të veproni?
Do të presim deri të mërkurën në mbrëmje. Nëse ato nuk realizohen, do të dyfishojmë kërkesat. Do të kërkojmë që paga të rritet 40 për qind, që të kthehen në mënyrë urgjente paratë që financa u ka mbajtur punëtorëve gjatë
muajit maj dhe këtë e konsideron një “gabim të vogël”, do të kërkojmë largimin e të gjithë administratës dhe rrethit nepotik që drejtoria e ndërmarrjes ka instaluar në minierë.
Kanë pasur probleme shëndetësore minatorët e ngujuar?
Që sot disa kanë vjellje, marrje mendsh, çrregullime të tensionit. Ajo që na shqetëson është se as mjekët nuk kanë ardhur për të na vizituar. Madje, kemi mësuar se as ambulanca e spitalit apo minierës nuk janë në afërsi të hyrjes së galerisë. Gjendja është e vështirë dhe kemi frikë se problemet do të agravojnë shpejt e shëndeti i minatorëve mund të vihet në rrezik. HASAN PASHA











