
BULQIZE – Greva e urisë së minatorëve të Bulqizës ka hyrë sot në ditën e 23-të. Ndërkohë që grevistët shprehen të vendosur për të vazhduar ngujimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre tërësisht ekonomike, mësohet se në mbështetje të tyre kanë mbërritur në Bulqizë edhe 50 ish-minatorë të tjerë nga Puka dhe Rubiku dhe u janë bashkuar familjareve që protestojnë jashtë galerive. Kol Tusha foli në emër të minatorëve mysafirë dhe theksoi se mbështesin plotësisht minatorët e Bulqizës, madje deklaroi se 30 prej tyre janë gati të hyjnë në grevë urie së bashku me minatorët e Bulqizës. Një ditë më parë, dhjetë minatorë grevistë dolën me urgjencë nga greva për shkak të gjendjes së tyre të rëndë shëndetësore, ndërsa janë zëvendësuar menjëherë më 10 të tjerë. Greva e minatorëve ka hyrë sot në ditën e 23-të, ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje mes tyre dhe kompanisë “ACR”. Të dielën, kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, i bëri thirrje ambasadorit të SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, që si një mik i shqiptarëve të vinte në Bulqizë dhe të shihte gjendjen e minatorëve. Minatorët kërkojnë rritje page në masën 20%-40%, përmirësim të kushteve të punës, uljen e moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë “ACR”. Ndalja e punës në minierën e Bulqizës prej 4 korrikut të këtij viti ka krijuar probleme serioze për këtë komunitet. Janë të paktën tre mijë banorë që vuajnë mungesën e të ardhurave dhe gjithçka e marrin me lista në dyqanet e qytetit. h.p











