
Banorët e Bulqizës dhe të afërm të minatorëve bllokojnë rrugën nacionale që lidh Tiranën me Peshkopinë.Është përshkallëzuar protesta masive, ndërsa dje shënohej dita e 17-të e grevës së urisë së 13 minatorëve dhe asnjë zgjidhje nuk ka për ta. Për rreth 2 orë është bllokuar qarkullimi i mjeteve në shenjë mbështetjeje për protestën e minatorëve, nisur që prej muajit qershor, e pasuar me ngujimin nën tokë të 13 kolegëve të tyre. Protesta masive nisi mëngjesin e djeshëm në qendër të qytetit të Bulqizës, për t’u zhvendosur në rrugën nacionale. Kjo protestë ishte paralajmëruar në rast se nuk gjendej zgjidhje për kërkesat e minatorëve, për të cilat po kryhet dhe ngujimi në grevën e urisë, që çdo ditë e më tepër po u rrezikon jetën minatorëve. Në fakt, as dita e djeshme nuk ka qenë pozitive, pasi po vazhdon loja për vendin e takimit. Kompania e huaj, “ACR”, që ka në shfrytëzim minierën e Bulqizës, ka kërkuar që vendi i takimit të transferohet nga Tirana, siç ishte varianti i parë, në qytetin e Peshkopisë, duke shmangur në këtë mënyrë qytetin e minatorëve. Ndërsa vetë minatorët, mbështetur dhe nga familjarët e tyre, kanë kundërshtuar me forcë, duke deklaruar se nuk ka tolerim në këtë pikë, pasi vendi ku ndodhet miniera dhe ku janë ngujuar grevistët është pikërisht Bulqiza. Për këtë arsye ata nuk kanë ngurruar të udhëtojnë drejt rrugës nacionale, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve për rreth 2 orë, pikërisht në vendin e quajtur Qafa e Buallit, rreth dy kilometra larg qendrës së Bulqizës. Protestuesit janë shprehur se ky vendim erdhi si pasojë e indiferencës së kompanisë koncesionare dhe instancave për të zgjidhur këtë gjendje të jashtëzakonshme. Ndërsa marshonin drejt vendit ku u krye bllokimi i qarkullimit, ata lëshonin thirrjet: “Duam të drejtat tona!”. Rruga nacionale që lidh kryeqytetin me qytetet e Lindjes së vendit dhe Maqedoninë ka qëndruar e bllokuar prej orës 09:00 të mëngjesit deri në orën 11:00. Protestuesit janë ulur këmbëkryq dhe as ndërhyrja e policisë nuk ka sjellë largimin e tyre. Në vend kanë mbërritur edhe forcat e FNSH-së së Shkodrës. Mes punonjësve të policisë dhe protestuesve ka pasur tension, pasi këta të fundit nuk kanë pranuar që të zhbllokojnë rrugën, duke deklaruar se gjithçka po bëhet në mbështetje të kërkesave të minatorëve. Ata kanë kërcënuar se 13 grevistëve në minierën e Bulqizës do t’u bashkëngjiten dhe qindra të tjerë. Bllokimi i rrugës solli një trafik të rënduar, ku vargu i makinave të ndaluara shkoi gati 3 kilometra. Pas ndërprerjes së protestës në rrugën nacionale, protestuesit janë mbledhur para hyrjes së galerisë, ku janë ngujuar grevistët e urisë që prej 18 ditësh sot. Ndërkohë mësohet se gjatë ditës së djeshme gjendja e grevistëve në thellësi të minierës është vërtet alarmante, ku grevistët rrezikojnë të vdesin në galeri. Por, edhe pse në kushte tejet të rrezikshme si për jetën e tyre, ashtu edhe për vetë minierën që po shkon drejt degradimit të plotë për shkak të ndërprerjes së punës në të, mësohet se ata mbeten tejet të vendosur për ta çuar grevën deri në fund. Ata po vazhdojnë të marrin serume në ambientet e galerisë, pasi kundërshtojnë daljen nga greva për t’u kuruar në spitalin e Bulqizës. Nga ana tjetër, greva e tyre po mbështetet masivisht nga kolegët e tjerë që janë jashtë, të cilët kanë paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të protestës së tyre.
Policia
Pas protestës së organizuar në rrugën nacionale Tiranë-Peshkopi, policia e Bulqizës ka shoqëruar disa persona. Sipas burimeve të saj mësohet se në komisariat ndodhen dy nga sindikalistët, Zija Shyti dhe Bajram Duka, si organizatorë të protestës që, sipas policisë, është e paligjshme. Bashkë me ta, në hetim në gjendje të lirë janë 27 persona, të cilët, sipas policisë, kanë qenë aktivë në mbylljen e rrugës, duke penguar qarkullimin e mjeteve në dy kahet e saj.
ACR
Pas dështimeve të radhës për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, prej ditësh po luhet lojë me vendin ku do të zhvillohen negociatat. Në një njoftim për mediat, Albanian Chrome deklaroi dje se ka vullnetin e mirë për të zhvilluar bisedime konstruktive me minatorët. “ACR nuk insiston që takimi të zhvillohet në Tiranë, ndërkohë propozon që takimi të zhvillohet në qytetin e Peshkopisë, për lidhjen dhe afërsinë që ka me Bulqizën, për të qenë më pranë minatorëve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e negociatave”.
Inspektorët e RISHM: Ajri në minierë, nën normat e lejuara
BULQIZE – Pas inspektimit të kushteve në minierën e Bulqizës, ku puna është bllokuar prej dy muajsh, Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave (RISHM), nxjerr raportin paraprak të tij. Ashtu siç u paralajmërua nga specialistët e minierës, edhe ata të RISHM-it, në raport kanë theksuar faktin se gjendja në minierë është alarmante. Jo vetëm për gjendjen teknike të galerive, si mungesë e ndërhyrjeve nga specialistët javët e fundit, por dhe për vetë jetën e 13 grevistëve që sot mbushin ditën e 18-të në grevë urie. Sipas inspektorëve të këtij reparti, në galeri është konstatuar se sasia e ajrit është poshtë normës së parashikuar dhe se oksigjeni në nivelin e 14-të të minierës është poshtë normave të lejuara. Ata kanë deklaruar se ndërprerja e punës ka sjellë dhe pasojat, pasi gjatë kohës së zhvillimit të protestave dhe më pas grevës nuk ka pasur ndërhyrje. “Në minierë ka munguar kontrolli i specialistëve dhe gjendja e minierës është duke u përkeqësuar. Ndërprerja e punës do të sjellë pasoja dhe do të rrezikojë jetën e punëtorëve”, bëhet e ditur për mediat në raportin e RISHM-it. Tjetër problem që është nxjerrë nga inspektimi lidhet me ujin që ndodhet në minierë, i cili rrezikon të përmbytë galeritë. Mësohet se inspektimi i fundit i minierës së Bulqizës ishte bërë në muajin mars, ndërsa prej muajit qershor nuk ka pasur tjetër në të. Fillimisht 700 minatorët protestonin para zyrave të minierës, duke penguar ndërhyrjen në galeri, ndërsa më pas greva e urisë paralizoi çdo veprim specialistësh në minierë.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











