
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, bëri të ditur dje se e majta jo zyrtarisht ka propozuar emrin e tij tek Kryeministri Berisha për postin e Presidentit, por ky propozim është hedhur poshtë nga kreu i maxhorancës me argumentin e kandidaturave jo politike. I ftuar në emisionin “Studio24” në News 24, Milo tha se takimi midis kryesocialistit Edi Rama dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta, prodhoi një emër që mund të ishte kandidati i opozitës për President të Republikës. “Janë çuar disa emra në tavolinën e z. Rama. Emri im është propozuar, është diskutuar në tavolina të ngushta, në biseda liderësh politikë të së majtës dhe së djathtës. Të enjten e shkuar është bërë një kompromis mes liderëve të së majtës, Ramës dhe Metës për emrin tim, siç më kanë konfirmuar burime të sigurta. Është shkuar tek z. Berisha dhe ai e ka refuzuar duke e argumentuar se po qe se do hapet kapitulli i kandidaturave politike, ai do ia adresojë kandidaturave të partisë së tij”. Kryetari i PSD-së vuri në dukje se për këtë arsye nuk arriti të bëhej kandidat, sepse askush nuk e propozoi dhe shton faktin se pse nuk u vetëshpall si i tillë. “Jo, nuk kam qenë kandidat, dikush do duhet të më kishte propozuar zyrtarisht ose do isha vetëshpallur, nuk e kam bërë sepse duhet të matësh forcat para se të hysh në garë. Duhet mbështetje politike, e cila nuk u dha publike për shumë arsye”, tha Milo.











