Milo e Gjinushi: ODIHR po hedh në erë reformën zgjedhore, ndihmon PD

May 15, 2012 | 12:36
Milo e Gjinushi

Partitë e vogla të së majtës deklaruan dje se ODIHR-i po hedh në erë reformën zgjedhore, duke mos pranuar numërimin elektronik në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, kreu i PDS-së, Paskal Milo dhe ai i PSD-së, Skënder Gjinushi, kritikuan ashpër misionin për qëndrimin e mbajtur. “Vlerësojmë që është mendimi zyrtar i ODIHR, por shohim që kjo deklaratë kërkon të hedhë në erë reformën zgjedhore, sepse nëse nuk futet edhe teknologjia e re, do të thotë se nuk është bërë asgjë në këtë reformë kaq të trumbetuar dhe kaq të reklamuar. Ky deklarim është fiks si deklarimet e misionit të OSBE-së, të cilat nuk përfaqësojnë vlerat e institucioneve të cilat përfaqësojnë, por bëhen njësh me qeverinë apo me Partinë Demokratike, në rrugën e tyre për të mos respektuar votën e lirë dhe të ndershme në Shqipëri”, tha Gjinushi. Ndërsa kreu i Demokracisë Sociale, Milo, tha se Shqipëria s’mund të kthehet në laborator për projektet pilot të ODIHR-it. “Na është premtuar që në fillim, qoftë nga OSBE-ODIHR-i, qoftë edhe nga forcat kryesore politike që do të garantonin numërimin elektronik, që do të garantonin identifikimin elektronik dhe mbi të gjitha, do të kishim një Komisioni Qendror Zgjedhor të balancuar. Është me të vërtetë shumë e rrezikshme për fatet jo vetëm të zgjedhjeve të vitit 2013, por gjithçka po ndodh këto dy-tri ditë është e rrezikshme edhe për fatet e demokracisë në Shqipëri”, tha Milo.

© Panorama.al

Te lidhura