Milani fiton 3-1 kundër Çezenës, falë intuitës së Muntarit, shënjestrës së Emanuelson dhe klasit të Robinjos. Në fund të takimit, braziliani është shpallur futbollisti më i mirë në fushë. Çezena shtanget nga presingu i klasës punëtore të mesfushorëve kuqezi dhe falë kësaj fitoreje Milani shkon sërish në krye të tabelës së klasifikimit, kur na ndajnë gjashtë ditë nga sfida me Juventusin. Pavarësisht mungesave, skuadra e Alegrit jep spektakël dhe praktikisht arkivon fitoren që në 30 minutat e para të pjesës së parë, me gola të Muntarit dhe Emanuelson. Ndërsa Robinjo shënon një gol fantastik me fillimin e pjesës së dytë. Sa për statistikë ka shërbyer ai gol i Pusil. Roma triumfon 1-0 ndaj Parmës, por fitorja e verdhekuqëve mund të ishte edhe me 2 shifra. E pabesueshme sa shumë raste humbasin djemtë e Luis Enrikes, ku vetëm në 5 minutat e fundit humbën 5 raste të pastra dhe protagonist i ndeshjes është gardiani i Parmës, Mirante. Krahas fitores, Roma festoi edhe ndeshjen e 700-të të Totit si profesionist me fanellën vedhekuqe. Kapiteni italian ka debutuar 16 vjeç, më 28 mars të vitit 1993, në takimin Roma-Breshia. Fitore impresionuese e Kievos 1-0 në fushën e Xhenoas, ndërsa Novara barazoi pa gola ndaj Atalantës. Milani merr sërish kryesimin e kampionatit, por duhet pasur parasysh që Juventusi ka një takim më pak, ndërsa Roma bën një hap përpara drejt luftës për një vend në Champions League, duke u ngjitur në vendin e 5-të në renditje. Një hap përpara në renditje, ndonëse jo shumë të madh, bën edhe Novara e Ujkanit, e cila lë fundin e tabelës në dëm të Çezenës. Gjithsesi, Novara është sërish 6 pikë larg vendit të 17-të, i cili të lejon të qëndrosh në Serie A (tre të fundit bien direkt).
Interi
Humbja me Bolonjën në “San Siro” i ka dhënë goditjen më të fortë Klaudio Ranierit në krye të Interit dhe tashmë ai rrezikon shkarkimin. Mundësia e fundit që ka Interi për të shpëtuar veten është Marseja. Transferta franceze do jetë një vijë finishi për teknikun, por edhe për futbollistët. Liga e Kampioneve është i vetmi kompeticion për të cilën zikaltrit janë ende realisht në garë, duke pasur parasysh që në kampionat janë në vendin e shtatë si dhe të eliminuar nga Kupa e Italisë.
Serie A
Të premten
Fiorentina-Napoli 0-3
Inter-Bolonja 0-3
Të shtunën
Juventus-Katania 3-1
Dje
Leçe-Siena 4-1
AS Roma-Parma 1-0
Çesena-Milan 1-3
Xhenoa-Kievo 0-1
Novara-Atalanta 0-0
Palermo-Lacio 5-1
Udinese-Kaljari 0-0











