Milan, priten edhe tri largime të tjera

May 15, 2012 | 14:14

Pas largimeve të senatorëve si Inzagi, Sedorf, Nesta, Zambrota dhe Gatuzo nga Milani, edhe Maksi Lopez, Matjë Flamini së bashku  me Alberto Akuilanin nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre në kampin kuqezi. Këtyre futbollistëve u skadon kontrata më 30 qershor. I pari nga këta që do të takohet me administratorin e klubit të Milanit, Adriano Galiani, është Alberto Akuilani. Duket se mesfushori italian është i destinuar të rikthehet te Liverpuli, por Galiani është shprehur i hapur ta mbajë, në rast se drejtuesit anglezë do t’i ulin pretendimet e tyre nga 6 milionë euro në 3 për kartonin e tij. Një çështje tjetër që ka mbetur pezull është ajo e sulmuesit Maksi Lopez. Ish-sulmuesi i Katanias është aktivizuar me pikatore nga trajneri Alegri. Prandaj Galiani nuk është i sigurt nëse duhet t’ia blejë kartonin e tij Katanias. Ndërkaq, për ish-katalanasin kanë shfaqur interesimin e tyre klubet e Bolonjës dhe Fiorentinës, megjithëse vetë argjentinasi do të vazhdojë që të qëndrojë te Milani. “Te Milani jam mirë, – ka thënë Maksi Lopez, – dhe kam besim se drejtuesit kuqezi do të më mbajnë”. Së fundmi, Galiani ka ndryshuar plotësisht mendim për sa i përket Matjë Flaminit. Francezi dukej se do të largohej nga Milani, por gjatë orëve të fundit flitet shumë për qëndrimin e tij, gjithmonë nëse ai do pranojë reduktimin e pagës së tij vjetore nga 4.5 milionë euro në sezon në 2 të tilla.

Spastrime te Inter, ikën 70% e ekipit
Pas synimeve të merkatos, te Inter po mendojnë të boshatisin skuadrën. Për pasojë, me përjashtim të disa lojtarëve që priten të rinovojnë, pjesa tjetër do t’i japin lamtumirën skuadrës milaneze. Duke filluar nga Hulio Sezar, Dejan Stankoviç, Lusio, Xhampaolo Pacini, Kivu, Zarate, Diego Forlan dhe Uesli Shnajder, të gjithë janë me valixhe në dorë. Sakaq nuk lëvizin Riki Alvarez, Diego Milito, Valter Samuel, Joel Obi, Andrea Poli, Juto Nagatomo, Esteban Kambiaso dhe Andrea Ranokia.

Baloteli
Menaxheri Mino Raiola, i cili mbulon interesat e Zlatan Ibrahimoviç dhe Mario Balotelit, ka qenë dje në selinë e Milanit. Pa dyshim që takimi i tij me drejtuesit e Milanit ka pasur si qëllimin sqarimin e thashethemeve të fundit, të cilat shikojnë Ibrahimoviçin larg Milanit. Sipas mediave angleze, sulmuesi suedez mund të transferohet te kampionët e Anglisë, Mançester Siti.

© Panorama.al

Te lidhura