Milan merr Sulej Muntarin: Mesfushori ganez këtu fitoj titullin

Feb 1, 2012 | 13:14
Sulej Muntari

Milani dje ka zyrtarizuar huazimin e mesfushorit të Interit, Sulej Muntari. Pikërisht siç ndodhi në janar, kur kuqezinjtë siguruan shërbimet e mesfushorit Antonio Noçerino, gjatë minutave të fundit të merkatos, Milani i ka dhuruar teknikut të vet mesfushorin e përfaqësueses ganeze. Ish-lojtari i Interit, i cili aktualisht po luan me Kombëtaren e tij në Kupën e Afrikës, do të transferohet te Milani në formë huazimi, me të drejtën e blerjes në fund të sezonit. Deri tani, ende nuk janë bërë të ditura detajet e këtij transferimi. Ndërsa mesfushori ganez është shprehur i lumtur për transferimin e tij te Milani: “Po pres me padurim të vij te Milani. Kisha ditë që shpresoja në arritjen e këtij transferimi. Dje në mëngjes, i preva shpresat se do të shkoja te Milani, pasi menaxheri im më komunikoi se Adriano Galiani po mendonte për një tjetër mesfushor. Por, disa orë më vonë, ai më mori në telefon, duke më komunikuar se gjithçka ishte në rregull. Vetëm pritej miratimi im, për të cilin unë nuk u mendova as 2 sekonda. Pavarësisht se si rrodhën ngjarjet, dua të arrij gjëra të mëdha në këtë klub, por mbi të gjitha dua t’i  ndihmoj kuqezinjtë ta fitojnë kampionatin. Te Milani kam shumë miq, një ndër këta është edhe trajneri Masimiliano Alegri, me të cilin kam pasur një raport mjaft të mirë kur ishte tek Udineze, si zëvendëstrajner”, – është shprehur Sulej Muntari.

© Panorama.al

Te lidhura