Kuqezinjtë përsërisin goleadën e vitit 1958 ndaj Junajtid.
Milani është rikthyer përbindëshi i Ligës së Kampioneve. Pas fitores fantastike të arritur kundër Arsenalit në mbrëmjen e së mërkurës, italianët kanë ringjallur kujtimet e vjetra dhe fantastike të së kaluarës. Tifozët më të vjetër të Milanit mund ta mbajnë mend ndeshjen e 14 majit të vitit 1958, kundër Mançester Junajtid. Asaj kohe ,gjatë gjysmëfinales së Kupës së Kampioneve, Milani shpartallonte me rezultatin 4-0 “djajtë” anglezë. Golat për italianët i shënuan Skiafino (dopietë), Liedholm dhe Danova. Më pas, Milani humbi finalen kundër Real Madridit të Alfredo di Stefanos, por ajo është një histori tjetër. Ajo që ka rëndësi tani për tani është fakti se asnjë skuadër italiane nuk ka arritur të fitojë 4-0 përballë ekipeve angleze. Përballë kampionëve italianë skuadra e Vengerit kapi fundin, pasi kurrë më parë gjatë 222 ndeshjeve që “topçinjtë” kanë luajtur në kupat e Europës, nuk ishin mundur kaq thellë. Interesant është fakti se në “San Siro” Arsenali pësoi 4 gola edhe pse e ka administruar topin më shumë se kuqezinjtë, 57 për qind. Kjo statistikë konfirmon edhe një herë faktin se pak rëndësi ka sesa e mban topin nëpër këmbë, pasi e rëndësishme është ta shfrytëzosh atë.
© Panorama.alIbra-Xhokoviç, festë në diskotekë
Novak Xhokoviç ka qenë një nga figurat e shquara të sportit që ka qenë i pranishëm në stadiumin italian për të ndjekur skuadrën e tij të zemrës, Milanin. Tenisti më i mirë në botë jo vetëm që ka shijuar ndeshjen për 90 minuta, duke u transformuar në një ultras kuqezi, por ka pasur luksin të festojë me të gjithë futbollistët kampionë Italie edhe në dhomat e zhveshjes. Por mbrëmja e Xhokoviçit me Ibrën nuk ka përfunduar këtu, sepse pasi kanë shijuar një darkë mes miqsh, ata janë ftuar nga Filipo Inzagi për të kaluar disa orë në një nga diskotekat në Milano.Arsenali, shtypi anglez: Kanë zemër pulash
“Të poshtëruar” është togfjalëshi më i përdorur nga media në faqet e gazetave dhe titujve online për të përshkruar ndeshjen e Arsenalit në “San Siro”. Faqja e parë e “The Sun” mbante dhe titullin më të rëndë për djemtë e Vengerit, që pasi e quante poshtërim rezultatin 4-0 (HuMILiated) e shoqëronte kryetitullin dhe me fjalët: “Turp për zemërpulat e Vengerit”. Edhe “DailyMail” nuk mbetet më pas. Tabloidi tjetër e përshkruan disfatën e londinezëve vetëm me një fjalë: “Të shkatërruar”. Për ta heroi i italianëve, i cili i shkaktoi një prej ndeshjeve më të shëmtuara skuadrës së Vengerit, është padyshim Ibrahimoviç: “U dha një shuplakë të gjitha kritikave ndaj tij”. Ndërsa “Mirror” zgjodhi titullin: “Masakra e Milanos ishte një tjetër shkatërrim”.











