Të shohësh Mihrije Brahën në bikini, është si një seancë terapeutike për të gjitha ato gra që i kanë kapërcyer të 40-at. Ato mund të shohin Mihrijen dhe të pohojnë me zë të lartë sloganin e fushatës elektorale të Obamës “Yes, we can” (po, ne mundemi), sepse feminiliteti nuk qenka çështje moshe. Ajo është bashkëshorte, nënë dhe një personalitet i suksesshëm në muzikë. Kohëve të fundit po merret edhe me regji të një programi në RTK, së bashku me Naimin. Është në përgatitje të një klipi të ri, me të cilin do na befasojë sigurisht. “Xhelozia është e rrezikshme nëse bëhet sëmundje, dhe unë qëndroj larg asaj, mundësisht duke mos ndier fare reperkusionet periferike. Nëse ka, le të merren ato me të”, – thekson Mihrija, e pyetur nëse e ndien që dikush nga koleget dëshiron t’i bëjë keq për shkak të popullaritetit dhe linjave trupore që ka. Për më shumë, zbulojmë intervistën dhe shijojmë imazhet e Mihrijes.
Me çfarë jeni duke u marrë momentalisht në Prishtinë?
Siç e dini, unë jam regjisore skenike e spektaklit më të madh në RTK, “Odeon,” i cili do shumë impenjim dhe është një sfidë e madhe. Përveç kësaj, jam në përgatitje të një kënge dhe një klipi.
Si shkoi sezoni i emisioneve të cilat i drejtonte Naimi?
“Odeon” në verë pati një përmbajtje edhe më spektakolare, sepse stina e nxehtë ta jep atë mundësi.
Keni menduar që të vazhdoni kontratën për sezonin e radhës të emisionit?
Po, spektakli “Odeon” do të vazhdojë deri në fund të janarit 2012, e pastaj të shohim e bëjmë.
Çfarë keni fituar e çfarë keni humbur nga gjithë kjo kohë sa keni qenë pjesë e ekranit?
Kam fituar shumë nga përvoja, nga e bukura, nga arti, nga sfidat me të e rreth tij dhe mendoj se jeta ime nuk do të kishte kuptimin e duhur pa ekranin, pa këngën, pa paraqitjet në koncerte, në klipe e spektakle. Çfarë kam humbur nuk di, ndoshta kam pamjaftueshmëri kohe të qëndrimit afër Platorit, si dhe më dhimbset çdo minutë e kaluar, sepse jeta është shumë e bukur.
Privatësia ndonjëherë duhet edhe të sakrifikohet, ju ka kushtuar shumë?
Po, atë veç e kemi sakrifikuar shumë herë, por kjo është një sfidë më shumë, të jesh i njohur dhe i adhuruar. Sigurisht që na ka kushtuar dhe shpesh edhe jemi ndier jo mirë sepse njerëz jemi, por çdo punë ka risqet e sfidat e saj.
Mihrije, para disa muajve dolën fjalët (mbase dhe me shaka) se keni vendosur të adoptoni një vajzë, mos ndoshta ka qenë vendim e pastaj jeni tërhequr apo ka qenë thjesht një koment që është keqinterpretuar?
Ka qenë një shaka e Naimit, i cili shpesh bën shaka të këtilla sikur do të adoptojmë një vajzë 18 apo 19-vjeçare dhe tani ju mund të kuptoni ku rreh shakaja.
Vitin e kaluar ju si çift për 1 prill në një television në Kosovë kishit sajuar “ndarjen” tuaj. Shumë fansa ishin mërzitur, çfarë menduat kur patë reagimet?
Na vjen shumë keq për ata që janë mërzitur dhe kemi kuptuar se kemi shumë njerëz që na duan dhe janë shqetësuar për ne.
A është e vërtetë që edhe djali juaj, Platori, do merret me muzikë?
Platorit nuk i ndërhyjmë fare në jetën e tij, por shihet se ka një talent të rrallë, pastaj është pianist shumë i mirë e këto janë të gjitha performanca të mjaftueshme për të konkluduar se ai ndoshta do të ndjekë rrugën e artit.
Dihet tashmë që bota e muzikës është pak në krizë, thuhen mjaft thashetheme, janë krijuar klane të ndryshme, nga cila anë anon Mihrija dhe Naimi? Jeni bërë dhe ju pjesë e klaneve?
Nuk i takojmë asnjë klani dhe nuk di asgjë për ato klane. Ne bëjmë punën tonë dhe bashkëpunojmë me të gjithë. Thashethemet janë ato që ne na kanë goditur shumë e ndoshta më shumë se të gjithë, por mos harroni vetëtimat dhe bubullimat godasin majat, kështu që ne s’i honepsim fare, madje vetëm qeshim me to.
Në një intervistë keni thënë se jetoni nga fitimi që keni në muzikë, sa fiton realisht Mihrija dhe a bëni pjesë në rangun e këngëtareve më të paguara?
Kjo është personale, por ne jetojmë prej muzikës.
Keni ndier xhelozi për shkak të suksesit dhe pamjes suaj?
Unë kam një kujdes të veçantë për veten time, ndihem shumë mirë, punoj shumë që të jem e sukseseshme në skenë. Xhelozia është e rrezikshme nëse bëhet sëmundje, dhe unë qëndroj larg asaj mundësisht, duke mos ndier fare reperkusionet periferike. Nëse ka, le të merren ato me të.
Çfarë do kemi rastin të dëgjojmë dhe të shohim nga ju këtë periudhë?
Së pari, shihni këto foto dhe më thoni a ju pëlqejnë apo jo. Së dyti, përveç spektaklit “Odeon” së shpejti do të keni një këngë të bukur dhe një klip nga unë. Zoti ju ruajt dhe ju bekoftë të gjithëve në rrugëtimin tuaj jetësor!
BLERAND REXHEPI











