
Shtohen shanset që mesfushori kosovar të luajë për Shqipërinë.
Lojtari: De Biazi më ka dhënë shpresë. Do e bindim FIFA-n
Migjen Basha shumë shpejt mund të bëhet pjesë e Kombëtares shqiptare, edhe pse FIFA më herët i kishte dhënë përgjigje negative për këtë. Por, me iniciativën e Xhani de Biazit, mesfushori kosovar mund ta realizojë ëndrrën. Trajneri italian dhe Federata Shqiptare e Futbollit po mundohen ta bindin FIFA-n se 25-vjeçari ka të drejtë të vishet kuqezi. Migjen Bashës i është ringjallur shpresa që ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Pas gati dy vjet pritjeje, mesfushori kosovar ka gjasa të mëdha që brenda pak javësh të bëhet pjesë e ekipit kuqezi. “Para disa ditësh, De Biazi më ka marrë në telefon dhe më ka pyetur se a kam dëshirë të luaj për Shqipërinë. Unë i thashë që këtë dëshirë e kam përherë, por që FIFA nuk ma ka mundësuar ta bëj një gjë të tillë, pasi kam pasaportë zvicerane”, deklaroi Basha për kosovaren “Express”. Që nga koha e ish-trajnerit kroat, Josip Kuzhe, mesfushori i Torinos ishte i gatshëm t’i bashkohej Shqipërisë, mirëpo FIFA ishte ajo që nuk e lejoi therandasin ta bëjë një gjë të tillë, pasi më herët kishte luajtur me ekipin U-21 të Zvicrës. “Pas kësaj bisede, De Biazi ka shkuar në Shqipëri dhe ka shikuar se a ka mundësi që unë të luaj me Kombëtaren dhe pas konsultimeve me FIFA-n, më ka thënë se gjasat janë të mira që kjo të realizohet”, shtoi ai. Nëse FIFA i jep sinjal pozitiv Bashës, ky i fundit pritet t’i bashkohet ekipit kuqezi qysh në muajin e ardhshëm, në ndeshjen miqësore që Shqipëria do ta zhvillojë kundër Moldavisë. Po ashtu, Xhani de Biazi i ka premtuar kosovarit vend në ekip edhe në fushatën eliminatore për kampionatin botëror ‘Brazili 2014’. Nëse Basha i bashkohet Shqipërisë, atëherë numri i kosovarëve në Kombëtaren shqiptare do të rritet në dhjetë. Aktualisht, në ekipin A të Shqipërisë luajnë: Samir Ujkani, Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Armend Dallku, Debatik Curri, Lorik Cana, Ahmed Januzi, Besart Berisha dhe Mërgim Brahimi.
© Panorama.alDe Biazi
Në anën tjetër, trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi, e ka lëvduar kosovarin gjatë një interviste për mediat shqiptare. “Basha është një lojtar që i duhet Kombëtares. Po shikojmë mundësinë me zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit që ai të jetë pjesë e ekipit tonë kombëtar. Jam optimist se gjërat mund të shkojnë në drejtimin e duhur”, ka deklaruar ish-trajneri i disa klubeve të njohura italiane.Pasaporta
Migjen Basha sot do të vijë në Tiranë për të takuar drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe që të kryejë disa procedura, ndër to pajisjen me pasaportë shqiptare. Këtë e kanë pohuar edhe zyrtarë të FSHF-së. “Unë të dielën do të shkoj në Shqipëri, ku pritet të marr pasaportën shqiptare. Më herët e kam dorëzuar dokumentacionin, por tani më janë kërkuar edhe disa dokumente shtesë”, deklaroi Basha, i cili sezonin e ardhshëm do të luajë në Serinë A me Torinon.











