
TIRANE- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njoftoi sot pezullimin e pjesshëm të lejes minerare për shoqërinë koncensionare ACR Albania, për shfrytëzimin e minierës së Bulqizës.
Sipas METE, pezullimi erdhi pas raportit të hartuar nga Grupi i Punës së ngritur nga METE, për kontrollin e aktivitetit minerar të kësaj shoqërie koncensionare, ku u konstatuan probleme që lidhen me sigurinë në punë dhe kushtet e shfrytëzimit, për punimet që kryhen në zonën e rrezikshme, problemet lidhur me ujërat që lidhen me këtë zonë, shëndetin e punonjësve, problemet mjedisore etj.
Pezullimi i pjesshëm i lejes minerare të shoqërisë ACR është vendosur vetëm për Zonën D dhe do të vazhdojë deri sa të plotësohen mangësitë e konstatuara nga AKBN dhe RISHM-i.
Në njoftimin për shtyp të METE, thuhet se, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi sot edhe shpalljen si të pavlefshme të marrëveshjeve nënkontraktore që shoqëria ACR Albania ka lidhur për Zonën D, duke urdhëruar që fillimi i punës në Zonën D do të kryhet vetëm nga Koncesionari dhe jo me nënkontraktorë.
METE njofton gjithashtu se ka patur takime me përfaqësues të ACR dhe minatorëve të Bulqizës, ku është njohur nga afër me kërkesat e tyre. Minatorët e Bulqizës janë prej disa ditësh në protestë, ku kërkojnë kushte më të mira pune, paga më të larta dhe ulje të moshës së pensionit.
© Panorama.al











