METE: Ndryshon ligji dhe vendimet për sektorin minerar

Jun 29, 2011 | 10:19

Sektori minerar në vendin tonë do të ketë ndryshime thelbësore në mënyrën se si do të funksionojë në vazhdim. Gjatë prezantimit të paketës së re ligjore për këtë sektor, ditën e djeshme Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, u shpreh se ligji synon të përmirësojë praktikat e operimit, në mënyrë që të tërheqë drejt vetes investitorë strategjikë. Zonat minerare tashmë do të publikohen paraprakisht nga Ministria, ndërkohë që investitorët e interesuar do të mund të paraqesin interesin e tyre përmes ofertave. Një pikë tjetër që theksoi ministri në fjalën e tij ishte ajo e dhënies fund të copëzimit të investimeve, çka sjell më vonë probleme. “METE po ndërmerr një reformë të thellë në sektorin mineral, duke i dhënë fund praktikës ‘një kazmë një galeri’ dhe duke i dhënë dritë jeshile investimeve strategjike në këtë sektor. Më lejoni të saktësoj se kompanitë vendase dhe të huaja do të futen në garë mes tyre në marrjen e lejeve të kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit, në mënyrë që ta kthejmë këtë sektor në një industri të mirëfilltë për zhvillimin ekonomik”, tha Naço.

© Panorama.al

Te lidhura