Kontrollet e Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore kanë konkluduar se ka mangësi në kushtet në të cilat punohet në minierën e ACR në Zonën D.Grupi i punës, i ngritur nga Ministria e Ekonomisë vetëm pak ditë nga fillimi i protestave të minatorëve, ka hartuar raportin të cilin e ka paraqitur pranë kreut të METE dhe ku pasqyrohet edhe problematika e cila përputhet pjesërisht me ankesat e vetë minatorëve për kushtet e vështira të punës. Pas këtij raporti, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, ka reaguar menjëherë duke pezulluar pjesërisht lejen minerare për Zonën D ku zhvillon aktivitetin e saj kompania ACR. Në një njoftim për shtyp të METE ditën e djeshme, theksohet se urdhri i ministrit për pezullimin do të jetë në fuqi deri në momentin që kompania do të marrë masa për të rregulluar situatën në minierë. “Këto mangësi lidhen me sigurinë në punë dhe kushtet e shfrytëzimit, për punimet që kryhen në zonën e rrezikshme, problemet lidhur me ujërat që lidhen me këtë zonë, shëndetin e punonjësve, problemet mjedisore, të përcaktuara këto në raportin shoqërues të strukturave përgjegjëse”, thuhet në urdhër. Ndërkaq, një tjetër pikë ku ndalet urdhri i ministrit Nasip Naço është ajo lidhur me nënkontraktorët, me të cilët punon kompania koncesionare ACR në zonën D. “Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi sot edhe shpalljen si të pavlefshme të marrëveshjeve nënkontraktore që shoqëria “ACR Albania” ka lidhur për Zonën D. Fillimi i punës në këtë zonë do të kryhet vetëm nga koncesionari, dhe jo me nënkontraktorë, pasi të jetë paraqitur një projekt i qartë teknik i miratuar nga AKBN dhe RISHM”, thuhet në njoftimin e METE. Ndërkaq, kjo e fundit merr përsipër që të ndjekë me kujdes situatën dhe ka dhënë garancinë se do të zbatojë ligjin dhe të gjithë dispozitat e tij për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve koncensionare. Grupi i punës nga Ministria e Ekonomisë u ngrit që ditët e para kur minatorët filluan të protestonin lidhur me kushtet teknike dhe sociale të tyre, si dhe lidhur me pagat. Kompania ACR zotërohen 100 për qind nga një tjetër kompani DCM, kompani austriake me investime në Europën Lindore dhe Perëndimore, Amerikën e Veriut, Rusi, Kinë, Lindjen e Mesme dhe Australi. Kontrata me qeverinë shqiptare, sa i përket detyrimeve për investime, kjo kompani duhet ta përmbushë deri në fund të vitit 2012. Masa e ndërmarrë ndaj ACR nga Ministria e Ekonomisë nuk është e vetmja në fushën e koncesioneve. Së fundmi, kjo Ministri ka marrë një nismë për kontrollin e ecurisë së gjithë koncesioneve në vend si atyre të hidrocentraleve ashtu edhe koncesionet minerare. Vetëm dy ditë më parë, lidhur me koncesionet, METE vendosi penalitete për tetë kompani koncesionare të hidrocentraleve.
30 milione euro
pretendon ACR se ka investuar që nga 2009-ta në asetet koncesionare në vendin tonë, duke përfshirë Minierën e Bulqizës, Uzinën e Elbasanit dhe Uzinën e Burrelit
Kompania ACR
Kompania ACR i bëri dy ditë më parë minatorëve një ftesë të hapur që, nëse ata lënë protestën, ajo është e gatshme të ulet në bisedime si për sa i përket pagave ashtu edhe çështjeve të tjera që minatorët parashtrojnë. Sipas përfaqësuesit të kësaj kompanie, edhe pse marrëdhënia me minatorët është vendosur në bazë të një kontrate, ACR është e gatshme të rishikojë vendimet e saj.
Minatorët, dje protestë para Kryeministrisë
Për pothuajse një orë, minatorët kanë qëndruar ditën e djeshme para Kryeministrisë duke kërkuar edhe një herë nga kjo e fundit që të mos jetë indiferente përballë situatës së tyre. Të vendosur në bulevardin qendror, minatorët kanë bllokuar njërën pjesë të rrugës duke detyruar kështu që të bëhej devijim i trafikut, ndëkrohë që kanë qëndruar aty për rreth një orë. Protesta ka qenë përgjithësisht e qetë, ndërkohë që prania e forcave të policisë ka qenë e limituar. Minatorët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre dhe nga protesta, deri në momentin që do të merren parasysh të gjitha kërkesat e tyre. Prej dhjetëra ditësh, minatorët po vazhdojnë këto protesta duke parashtruar kërkesa të tilla si rritje të pagës deri në 20 për qind, uljen e moshës së daljes në pension si dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe atyre sociale për ambientet ku punojnë. Pavarësisht ofertës së dy ditëve më parë të kompanisë ACR, ata kanë vijuar të mbeten të palëkundur në qëndrimin e tyre për të protestuar deri në përmbushjen e gjithë kërkesave.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











