
“Kompania, shkresa te zyra e punës për të na nxjerrë në asistencë”
Punëtorët e kompanisë “Kurum International” zhvilluan dje një protestë pranë ambienteve të firmës turke. Sipas tyre, ata kanë dy muaj që nuk marrin pagat. Një përfaqësi e 600 metalurgëve u mblodhën para godinës së administratës së firmës nga ku deklaruan se shkak për këtë situatë është bërë kriza financiare që ka mbërthyer kompaninë. Për pasojë, sipas tyre, drejtuesit e Kurum-it i kanë dërguar shkresat zyrës së punës, për të shkarkuar metalurgët. “Kanë dërguar letrat pranë zyrës së punës, për të na shkarkuar nga puna. Ne nuk kemi firmosur asgjë e për pasojë zyra e punës i ka kthyer shkresat mbrapsht. Nëse ndodh një gjë e tillë, të gjithë ne dalim në asistencë, gjë që nuk e dëshirojmë. Në rast se ndodh diçka e tillë dhe na rimarrin në punë, atëherë ne na zbritet rroga dhe nisin punën si metalurgë fillestarë e jo si profesionistë. Ky është abuzim”, u shpreh metalurgu Adrian Cane. Metalurgët kërkojnë likuidim të pagës për muajin janar. Sipas tyre, kompania ende nuk i ka paguar për lejen e zakonshme të vitit 2011. Gjithashtu, ata ende nuk kanë marrë pagat për pjesën tjetër të ditëve të mbetura. Një tjetër metalurg, Agim Duro, u shpreh se ka 25 vjet që punon këtu. Ai është invalid, pasi ka humbur dy gishta gjatë procesit të punës. Por kjo, sipas tij, nuk është marrë parasysh nga kompania, së paku për të mos e larguar nga puna. “Puna në metalurgji është i vetmi burim të ardhurash në familjen time. Paga këtu nuk është e mjaftueshme, por nëse Kurum na nxjerr në rrugë, nuk e di se çfarë do të bëhet me ne”, u shpreh Duro. Metalurgët kërcënojnë se nëse kompania nuk shlyen pagat, protestat do të përshkallëzohen deri në grevë urie. Ata nuk kanë pranuar që të firmosin dokumentet e punës për të dalë në asistencë, pasi sipas tyre po bëhet një abuzim. Kompania turke në mënyrë të përsëritur ka pasur përplasje me sindikatat e punëtorëve. Shkak për këtë janë bërë disa vendime që drejtuesit e saj kanë marrë, por që kanë rënë ndesh me interesat e punëtorëve, të cilët janë hedhur në protesta masive deri në zgjidhjen e problemit. Vendimi për të hequr metalurgët nga puna duket se është një presion që kompania kërkon t’i bëjë qeverisë, e cila i ka dyfishuar çmimin e energjisë elektrike. Me arsyetimin se “Kurum” po del me humbje, po ndërpret punën në uzinat e shkrirjes apo petëzimit, duke shkurtuar edhe vendet e punës për punëtorët.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











