Metalet toksike, kërcënimi i padukshëm

Nov 16, 2024 | 8:04
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. FRAN GJOKA Fran-Gjoka

Metalet toksike përbëjnë rrezik, por njohuritë për to na çlirojnë nga frika dhe na ndihmojnë të përgatitemi për t’i shmangur. Siç thotë romancieri anglez, Daniel Defoe, “Frika nga rreziku është më e tmerrshme se vetë rreziku”. Përballë toksikantëve në mjedis, dijet dhe masat mbrojtëse janë mbrojtja më e mirë. Teksa përpiqemi të ndërtojmë një vend të zhvilluar dhe një shoqëri moderne, përballemi me një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë: ndotjen e mjedisit. A është ky një çmim i hidhur për progresin tonë? Paradoksi qëndron në faktin se ky zhvillim shpesh shoqërohet me probleme të krijuara nga vetë ne, që kërcënojnë shëndetin tonë dhe ekosistemet që na mbajnë gjallë.

Përhapja e sëmundjeve të lidhura me ndotjen, veçanërisht në zonat urbane dhe industriale, ngre alarmin për një krizë që mund të përkeqësohet në të ardhmen. Një shembull i freskët që nxjerr në pah këtë sfidë është skandali i kthimit të qindra tonëve mbetje të dyshuara toksike në vendin e tyre të origjinës (Shqipëri), një ngjarje e zbuluar nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), me qendër në Seattle, SHBA. Ky skandal ka thelluar shqetësimet për shëndetin publik, ndikimet mjedisore dhe menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme në vend. Këto shqetësime janë veçanërisht të lidhura me metalet e rënda ose toksike si arseniku, kadmiumi, plumbi dhe zinku, elemente toksike që mund të jenë të pranishme në këto mbetje. Megjithatë, rreziqet nuk kufizohen vetëm te këto incidente. Rrugët përmes të cilave jemi të ekspozuar ndaj këtyre metaleve janë të shumta dhe të ndryshme. Për këtë arsye, njohja e burimeve të ndotjes dhe kuptimi i rreziqeve të saj janë hapat e parë drejt mbrojtjes sonë dhe përpjekjeve për të kufizuar ekspozimin ndaj këtyre ndotësve të rrezikshëm.

Vetëm përmes një vetëdijësimi dhe reagimi të përbashkët mund të ndërtojmë një të ardhme më të pastër dhe më të sigurt. Çfarë janë metalet toksike dhe pse janë të dëmshëm? Termi “metale të rënda” përdoret në shkencat natyrore dhe mjedisore që nga viti 1970 për të përshkruar elemente kimike me peshë atomike dhe densitet të lartë, të njohura për efekte toksike në organizmat e gjallë dhe në mjedis. Vitet e fundit është propozuar që ky term të zëvendësohet me “metale potencialisht toksike”, duke u përdorur të dy në literaturën shkencore bashkëkohore. Ndotja nga këto metale është shfaqur si një problem i madh mjedisor dhe shëndetësor, duke u bërë një shqetësim global në rritje. Për të kuptuar rrezikun që paraqesin, është e domosdoshme të analizojmë natyrën dhe mënyrat e ndikimit të tyre në organizëm. Këto metale, si arseniku, kadmiumi, kromi, bakri, nikeli, plumbi dhe merkuri, ekzistojnë në natyrë dhe kanë funksione biologjike jetësore, por shndërrohen në të rrezikshme kur akumulohen në organizëm, madje edhe në doza të ulëta.

Toksiciteti i tyre ndikohet nga doza, forma kimike, rruga e ekspozimit dhe faktorë individualë si mosha, gjinia dhe predispozitat gjenetike. Disa nga këto metale, si merkuri, plumbi dhe kadmiumi, janë veçanërisht të rrezikshëm për shkak të aftësisë së tyre për t’u përhapur në distanca të mëdha dhe për të shkaktuar dëme serioze në shëndetin e njerëzve dhe ekosistem. Ato janë përshkruar si helmet që “vrasin butësisht”, duke qenë përgjegjëse për një sërë çrregullimesh, përfshirë dëmtime të veshkave dhe sistemit gastrointestinal, çrregullime të sistemit nervor, mosfunksionime të sistemit imunitar dhe sëmundje autoimune. Për më tepër, ato janë klasifikuar si kancerogjenë të mundshëm nga organizata të tilla si Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit të SHBA dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit. Fëmijët dhe foshnjat janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ekspozimit të këtyre metaleve. Në përgjigje të këtij shqetësimi, në vitin 2021, Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA (FDA) njoftoi planin “Closer to Zero”, që synon reduktimin e përqendrimeve të këtyre ndotësve në ushqime në nivele sa më të ulëta të jetë e mundur, pa cenuar vlerat ushqyese të ushqimeve.

BURIMET DHE RREZIKU I EKSPOZIMIT NDAJ METALEVE TOKSIKE

Burimet dhe rreziku i ekspozimit ndaj metaleve toksike janë një realitet që na shoqëron çdo ditë, shpesh pa e kuptuar. Metalet toksike janë të pranishme në çdo kënd të jetës sonë, nga toka që kultivojmë, uji që pimë, deri tek ajri që thithim. Këto metale kanë origjinë natyrore ose gjeogjenike, por ndikimi i aktiviteteve njerëzore ka kontribuar ndjeshëm në shpërndarjen e këtyre substancave të dëmshme. Nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve, aktivitetet industriale, ujërat e zeza të patrajtuara që lëshohen në lumenj dhe liqene apo të trajtuara që përdoren si plehërues në bujqësi, si dhe trafiku i rënduar që ndot ajrin me gazra të dëmshëm, janë vetëm disa nga burimet kryesore të ndotjes.

Po ashtu, termocentralet me qymyr, përdorimi i plehrave dhe pesticideve në bujqësi dhe ujitja me ujë të ndotur kontribuojnë në përhapjen e këtyre metaleve në mjedis. Ato janë gjithashtu të pranishme në objektet që përdorim çdo ditë si enët e gatimit, ushqimet dhe mbajtëset e tyre, bateritë, pajisjet elektronike e deri tek bojërat, kozmetika, bizhuteritë etj.. Çdo hap që bëjmë mund të na ekspozojë ndaj këtyre substancave, duke i bërë ato një kërcënim të vazhdueshëm dhe të padukshëm. Shmangia e plotë është e pamundur, por minimizimi i ekspozimit është i mundur dhe i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit. Përdorimi i produkteve të sigurta, kontrolli i cilësisë së ujit dhe ushqimeve, si dhe ndihma e trupit për të eliminuar metalet e tepërta janë hapa thelbësorë në mbrojtjen tonë dhe të mjedisit. Sidoqoftë, më të ekspozuarit ndaj këtij rreziku mbeten ata që jetojnë afër ish-fabrikave të njohura si “hotspote” (16 prej tyre janë cilësuar si prioritare nga institucionet) dhe që kultivojnë tokat përreth për të siguruar ushqim për familjet e tyre, me evidenca shkencore që tregojnë se këto toka janë të ndotura me metale të rënda. Po ashtu, të rrezikuar janë banorët e ndërtesave me tubacione të vjetra uji dhe punonjësit e industrive mekanike dhe kimike.

Hartat që pasqyrojnë përqendrimet e metaleve toksike në tokë dhe ajër në këto zona problematike do të ishin një ndihmesë e rëndësishme për këta banorë, punëtorët, si dhe për individët që kërkojnë të analizojnë akumulimin e metaleve në organizëm. Një thirrje për përgjegjësi dhe përafrim me praktikat e BE-së. Në vendin tonë është arritur progres i rëndësishëm në studimin e shpërndarjes së metaleve toksike në mjedis, duke krijuar një bazë të mirë njohurish mbi rreziqet e shkaktuara nga këta ndotës. Shumë studime, publikime në revista ndërkombëtare të indeksuara dhe raporte nga agjenci kombëtare dhe ndërkombëtare trajtojnë përhapjen e metaleve toksike në tokë, ujë, ajër dhe bimësi, si dhe ndikimin e tyre në shëndet dhe mjedis. Për tokat bujqësore janë përcaktuar përqendrimet sfond të metaleve potencialisht toksike, duke krijuar mundësi për vendosjen e standardeve kombëtare që përshtaten më mirë me kushtet specifike vendase, pa qenë e nevojshme të mbështetemi vetëm në udhëzues ndërkombëtarë. Megjithatë, një problem i rëndësishëm mbetet qasja e publikut në informacion. Artikujt shkencorë të botuar në revista ndërkombëtare zakonisht janë vetëm në gjuhën angleze, ndërsa edhe publikimet në revistat vendase shpesh nuk përfshijnë përmbledhje në shqip.

Kjo krijon një pengesë në informimin e gjerë publik dhe në aksesin e specialistëve vendës, të cilët mund të përfitojnë nga ky informacion për të kuptuar dhe adresuar më mirë rreziqet e ndotjes në mjedis. Për të harmonizuar praktikat tona me standardet e BE-së dhe për të përmirësuar kërkimin shkencor dhe aksesin publik në informacion, disa hapa të rëndësishëm përfshijnë: i) Krijimi i repozitorëve digjitalë në universitete dhe institucione kërkimore, me qasje të hapur ose të kufizuar sipas të drejtave të autorit, për ruajtjen dhe shpërndarjen e studimeve shkencore në mënyrë të sigurt dhe të rregulluar; ii) Promovimi i politikave të qasjes së hapur, për të bërë kërkimet shkencore të aksesueshme për publikun e gjerë, duke përmirësuar kështu transparencën dhe lehtësuar informimin për rreziqet mjedisore; iii) Krijimi i një platforme kombëtare për punimet shkencore që të funksionojë si një qendër e përbashkët për profesionistët, kërkuesit dhe të gjithë të interesuarit për informacion mbi mjedisin dhe shëndetin; iv) Dixhitalizimi i disertacioneve të doktoraturës dhe punimeve kërkimore të rëndësishme të depozituara në Bibliotekën Kombëtare dhe institucione të tjera, duke mundësuar akses sipas të drejtave të autorit dhe rregullave përkatëse; v. Përdorimi i licencave Creative Commons për të rregulluar të drejtat e përdorimit, mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe të drejtën e qytetarëve për të pasur informacion të besueshëm.

Në këto përpjekje mund të përfshihen universitetet, Akademia e Shkencave dhe agjencitë shtetërore, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Ky angazhim i koordinuar do të kontribuojë në përmbushjen e standardeve të BE-së në kërkimin shkencor dhe në përmirësimin e transparencës, duke u mundësuar qytetarëve akses në informacion dhe duke siguruar vendimmarrje të informuar dhe mbrojtje më efektive nga rreziqet mjedisore.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura