Meta: Zgjedhjet e 8 majit, më të mirat e më të pastrat

Jun 4, 2011 | 10:34

Kreu i LSI-së pohoi dje se zgjedhjet e 8 majit ishin më të mirat që janë zhvilluar në Shqipëri. Këtë deklaratë Meta e bëri nga Kukësi, ku zhvilloi analiza postzgjedhore, si dhe në Lezhë. “Besoj se të gjithë ndajmë të njëjtin mendim, se zgjedhjet e 8 majit janë zgjedhjet më të mira dhe më të pastra, sikurse u shpreh dhe zv.ndihmëssekretari për Europën Juglindore i SHBA-ve, z. Kantrimen. Zgjedhjet treguan nivelin e lartë qytetar dhe europian të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, ndërsa përsa i takon procesit në vazhdim të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, besoj se ky është një proces tërësisht normal, demokratik dhe ligjor. Po të kemi në konsideratë faktin që diferenca është jashtëzakonisht e ngushtë, dhe kjo e ka bërë të domosdoshme shqyrtimin e çdo vote”, u shpreh Meta. I pyetur rreth kërcënimeve të Partisë Socialiste për protesta, Meta tha se rruga e presionit nuk i zgjidh problemet. “Nuk është rruga e presionit ndaj institucioneve për të zgjidhur problemet dhe çdo paragjykim, absolutisht që nuk ndihmon jo vetëm këtë proces solid e demokratik, por nuk ndihmon as ata, të cilët bëhen protagonistë të konflikteve, të presioneve, sepse duket qartë që kjo alternativë nuk ka gjetur mbështetje më 8 maj. Sikurse e bën të qartë edhe vota popullore, e cila është dhe vota politike e këtyre zgjedhjeve, është votuar bindshëm kundër alternativës së shantazhit ndaj institucioneve dhe shtetit ligjor dhe është votuar për alternativën tjetër, atë të respektimit të shtetit ligjor, të respektimit të institucioneve dhe të bashkëpunimit në emër të integrimit të vendit”, u shpreh Meta.

© Panorama.al

Te lidhura