Meta: Unë, jo kandidat për President

May 13, 2012 | 11:35

Ilir Meta

Kreu i LSI-së hodhi poshtë hamendësimet për të garuar për kreun e shtetit, Meta: Garoj për kreun e LSI.

“Do pranoja pa hezitim ftesën për darkë në shtëpinë e Ramës”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh dje se nuk do të marrë pjesë në garën për postin e Presidentit të Republikës, përkundër deklaratave të sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama, i cili dy ditë më parë theksoi se Ilir Meta i plotëson të gjitha kriteret për të qenë një kandidat konsensual për kreun e shtetit.
Dje, Ilir Meta, gjatë një daljeje për mediat, hodhi poshtë çdo hamendësim për një ambicie të mundshme për karrigen presidenciale. Kandidimi i vetëm që Meta do të bëjë, sipas tij, është ai për postin e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të cilën ai e ka shpallur kandidaturën. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pohoi dje se propozimin për të marrë pjesë në një garë për postin e Presidentit do ta merrte në konsideratë pas 30 vjetësh të tjera në karrierën politike. “Kandidimi im i bërë në mënyrë të qartë është ai për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa për një kandidim të mundshëm për postin e Presidentit, kemi 30 vite përpara për ta çmuar të gjithë së bashku se kur do të ishte një moment i përshtatshëm, nëse do të duhej për të kontribuar përsëri në vazhdimet e reformave që të vijnë në kohën e duhur”, theksoi kreu i LSI-së.
Takimi me Ramën
I pyetur nga gazetarët, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka refuzuar të japë detaje të darkës së zhvilluar me kryetarin e opozitës, Edi Rama, në vilën e tij në Gjirin e Lalëzit. Për Metën, detajet e këtij takimi dhe bisedat përmbajnë karakter privat dhe jo çështje që mund të diskutohen në publik. I pyetur nga gazetarët, Meta tha se gjatë darkës me Ramën kishin konsumuar prodhime deti. “Kam dëgjuar fantazi nga më të ndryshme lidhur me këtë çështje, e cila është më shumë e karakterit privat dhe njerëzor e jo politik, sipas gjykimit apo parametrave të mi. Është hedhur një dyshim i madh se pse kjo darkë është ngrënë natën, por ju e dini që darka natën hahet, se në mëngjes hahet mëngjesi. Sigurisht që kemi ngrënë prodhime deti, sepse ishim buzë detit. Sa i takon pyetjes suaj më konkrete, absolutisht që në qoftë se do të kisha një ftesë për darkë në shtëpinë e tij, me kënaqësi do ta pranoja. Nuk kam asnjë hezitim. Ju e dini që unë edhe kur nuk isha i ftuar në dasmë çova buqetën më të bukur”, theksoi kreu i LSI-së.
Presidenti i PD
Presidenti i ri i Republikës, për Ilir Metën nuk duhet të vijë nga radhët e Partisë Demokratike, por të jetë një individ që të mishërojë interesin kombëtar. Meta thekoi dje se kreu i ri i shtetit duhet të jetë mbi interesat partiake. “Një interes shumë më i rëndësishëm dhe shumë më i përgjithshëm se sa interesi i çdo force politike dhe i çdo individi apo politikani”, u shpreh Meta. Duke u dhënë përgjigje pyetjeve të gazetarëve lidhur me provokim të zgjedhjeve të parakohshme me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Meta tha se nuk do të ketë zgjedhje të tilla.
Kreu i LSI-së rrëzoi si të pamundura zgjedhjet e parakohshme në vjeshtën e këtij viti. “Zgjedhjet e parakohshme janë të panevojshme. Do të duhet kohë që të implementohen ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor”, u shpreh Meta.

Rama: Bisedova sy më sy me Ilirin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka konfirmuar takimin e zhvilluar në fshehtësi me Ilir Metën, gjatë një interviste përballë gazetarit Blendi Fevziu në “Opinion”. “Pas ftesës sime, kam marrë mbrapsht një ftesë nga kryetari i LSI-së, që ka shprehur dëshirën për t’u takuar paraprakisht, për të biseduar sy më sy. Nuk kam menduar asnjë sekondë se cili është vendi dhe ora, por e kam takuar për t’i thënë në sy gjithçka që unë mendoj se është shumë e rëndësishme ta ndajmë, dhe duke besuar se mund të mbillet besimi në një klimë mosbesimi dhe pas një moskomunikimi të gjatë që është i lidhur me një histori jo të pëlqyeshme, që na ka vendosur ballë për ballë. Mos harroni për asnjë moment se unë jam takuar me kryetarin e LSI-së si përfaqësues i forcave që sot qeverisin, pra me njërin nga kundërshtarët tanë”, theksoi Edi Rama.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura