Gjatë takimit Meta - RikerKufizimi i imunitetit dhe forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë ka qenë dje kryefjala e diskutimit midis zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Filip Riker dhe kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, zyrtari i lartë amerikan ka zhvilluar një takim edhe me kreun e LSI-së, me të cilin ndanë mendimet se klasa politike shqiptare duhet të përshpejtojë procesin e reformave, në mënyrë që të marrë sa më parë statusin e vendit kandidat. Në njoftimin e zyrës së shtypit të LSI-së thuhet se Meta dhe Riker kanë kërkuar nga partitë politike të tregojnë përgjegjshmëri dhe të votojnë sa më parë heqjen e imunitetit. “Gjatë takimit, z. Meta dhe z. Riker diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në vend, duke i kushtuar fokus të veçantë përshpejtimit të axhendës së reformave dhe përmbushjes së prioriteteve në funksion të integrimit europian të Shqipërisë. Theksi i takimit u vu te domosdoshmëria e konsolidimit të pavarësisë së institucioneve, lufta kundër korrupsionit, heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe te marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Z. Meta, pasi e falënderoi z. Riker për mbështetjen dhe partneritetin e fortë që SHBA-të i ofrojnë Shqipërisë, u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur në vazhdimësinë e rolit të saj pozitiv dhe konstruktiv në politikën shqiptare, si e vetmja rrugë për zgjerimin e bashkëpunimit mes palëve në shërbim të integrimit europian të vendit, dhe në veçanti për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, brenda këtij viti. z. Meta dhe z. Riker ndanë mendimin e përbashkët se përshpejtimi i reformave të nisura kërkon më tepër përgjegjshmëri politike nga të gjitha palët, duke vënë theksin në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve dhe në votimin për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë”, thuhet në deklaratën e LSI-së.