Video-pergjimi Meta-Prifti do të mbetet i pakonfirmuar si autentik deri
në shtator. Gjykata e Lartë deklaroi dje se në shtator do të caktojë ekspertët që do të verifikojnë video- regjistrimin mes ish-zv. kryeministrit dhe ish-ministrit të Ekonomisë.
Bëhet fjalë për videon e regjistruar në zyrën e ishministrit Dritan Prifti, pas
publikimit të së cilës ishzv. kryeministri Ilir Meta u vu nën akuzë për “korrupsion”. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Lartë, Kolegji
Penal, që po gjykon dosjen në ngarkim të Metës, nuk kishte gati emrat e ekspertëve. Për këtë shkak, Kolegji shtyu seancën në një datë të re, konkretisht më 9 shtator. Për shkak të pushimeve gjatë muajit gusht, seanca
e radhës u caktua në datën 9 shtator për të fituar kohë, ndërkohë edhe në
kërkim të ekspertëve. Gjykata refuzoi dje kërkesën e avokatit të Metës, Gëzim
Veleshnja, për vazhdimin me pyetjen e dëshmitarëve.
SHTYRJA
Seanca e djeshme në ngarkim të ish-zv. kryeministrit Meta zgjati vetëm pak
minuta. Ndryshe nga një seancë me parë, ish-zv. kryeministri nuk ishte i pranishëm. Pas verifikimit të pranisë së palëve në proces, kryesuesi
i seancës, gjyqtari Ardian Dvorani, pohoi shtyrjen e seancës. “Me gjithë përpjekjet tona, deri në këtë moment nuk na ka mbërritur informacioni
lidhur me përcaktimin e ekspertëve. E për këtë shkak, gjyqi shtyhet për
në 9 shtator, ora 13:00”, relatoi Dvorani. Ndërkohë, një nga avokatët e Metës pretendoni para trupit gjykues që gjyqi të vijonte me pyetjen e dëshmitarëve. Pretendimin e tij avokati Gëzim Veleshnja e argumentoi me ekonominë
gjyqësore të procesit. Kryesuesi i seancës sqaroi se në seancën e djeshme duhet të caktohej eksperti dhe më pas gjykata t’i caktonte detyrat.
GJYKATA
Ndërkohë, nga Gjykata nuk u përmendën se cilat ishin strukturat ku ishin
kërkuar të dhënat për ekspertët apo ekspertimin. Pas mbylljes së seancës, gjatë largimit nga Gjykata avokati Veleshnja u shpreh për mediat se “Unë kërkova që për ekonomi gjyqësore të pyeteshin edhe dëshmitarët,
gjatë pauzës deri në ekspertim”. Ndërsa i pyetur nëse do të ishin dakord sikur ekspertët të ishin të huaj, avokati Veleshnja tha: “Nuk kemi asnjë lloj vërejtjeje”. Vendimi i ndërmjetëm për thirrjen e ekspertëve u shpall
në seancën e 22 korrikut të gjyqit ndaj ish-zv. kryeministrit Meta, kur Kolegji Penal ndryshoi radhën e marrjes së provave. Në atë seancë Kolegji bëri të ditur nëse ekspertët do të ishin vendas, apo të huaj, fakt që nuk u bë
i ditur as dje. ARMAND BAJRAMI











