
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, nuk ndihet i kërcënuar për jetën e tij. Ish-numri dy i qeverisë mohoi dje në një konferencë për shtyp që të jetë i kërcënuar, ndërsa shtoi se lajmet për kërcënimin e tij janë thjesht jashtë vëmendjes së tij.“Për çështjen e parë mendoj që është një histori e denjë vetëm për “summer page” dhe nuk meriton asnjë vëmendje nga ana ime, aq më tepër në një konferencë shtypi, e cila ka të bëjë me një çështje shumë të rëndësishme. Kërkojeni këtë gjë tek ata që i qarkullojnë lajme të tilla”, tha Meta. I pyetur për lajmin që forcat RENEA kanë marrë masa për mbrojtjen e tij, Meta nuk e mohoi, por shtoi se nuk mund të përgjigjet ai për një lajm të tillë. “Sikurse e përmenda edhe më parë, nuk është detyra ime t’u përgjigjem atyre që krijojnë lajme të tilla. Jemi ende në mesin e verës, po afrohet dhe i nxehti afrikan, mund të kemi edhe shumë çështje të tjera, por kjo nuk do të thotë se unë duhet të përgjigjem patjetër”, shtoi ai.
Në konferencën e djeshme për shtyp, kreu i LSI-së u pyet edhe për punën e ministrave të LSI-së. “Nuk kam asnjë lloj shqetësimi, kështu që për ne mbetet vendimtar pikërisht angazhimi i të gjitha forcave politike gjatë këtyre dy muajve, sidomos në fillimin e muajit shtator, pasi në rast se do të përmbushen disa nga elementet që unë përmenda më parë, absolutisht që do të ishte një sinjal tepër pozitiv që do të ndikonte, dhe për këtë jam i bindur, në një vendim pozitiv të KE-së dhe të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”, tha Meta.
Ish-zëvendëskryeministri tha më tej se ruan të njëjtën bindje për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, por kjo nuk do të thotë që ndryshimet duhet të bëhet në të njëjtën formë. “Ne i kemi kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të bëra para disa viteve për arsye sepse ato u bënë me një nxitim tërësisht të pajustifikuar; së dyti, në mungesë të plotë transparence dhe, natyrisht që qëndrimi ynë vazhdon të mbetet i njëjtë. Kjo nuk do të thotë që përsëri të bëjmë veprime të nxituara për arsye të koniunkturave politike. Kjo pasi koniunkturat politike mund të lëvizin jo vetëm çdo vit, por mund të lëvizin çdo muaj. Kjo nuk do të thotë që ndryshimet kushtetuese mund të bëhen çdo vit apo mund të bëhen çdo muaj”, tha Meta. Ai nuk dha asnjë koment mbi debatin për Presidentin e ardhshëm, ndërsa shtoi se duhen me urgjencë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Por, të kushtëzosh reformën zgjedhore me ndryshimet kushtetuese nuk do të thotë gjë tjetër veçse të përpiqesh të krijosh një alibi për të mos realizuar reformën zgjedhore. Reforma zgjedhore është një domosdoshmëri, është një urgjencë”, shtoi kreu i LSI-së.
Meta, sportiv para medias
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ishte veshur krejt sportiv në konferencën për shtyp, madje edhe me shapka plazhi. Por, ky detaj ishte i domosdoshëm për të pasi u mësua se ai ka fashuar këmbën nga një aksident i vogël gjatë pushimeve. Ai ndodhej në një formë edhe më të mirë fizike pas këtyre pushimeve, që kryesisht mësohet se i ka kaluar në Gjirin e Lalëzit në Adriatik.











