Meta: Nishani, produkt i dialogut

Jun 13, 2012 | 14:19
Meta dje në konferencë për shtyp

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka hedhur poshtë dje deklaratat e kreut të PS-së, se zgjedhja e Presidentit Bujar Nishani vetëm me votat e maxhorancës do të shndërrohet në një pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Për Ilir Metën, figura e Nishanit në krye të shtetit është ajo që i duhej vendit për një politikë më të qetë dhe të maturuar midis palëve. “Ne të gjithë jemi dëshmitarë se zgjedhja e djeshme e Presidentit nuk ka qenë një moment, por ka qenë një produkt i një procesi të gjatë në kohë. I një dialogu të vazhdueshëm, i një debati të vazhdueshëm, i tryezave të vazhdueshme. Ka qenë një proces ku janë përfshirë të gjitha forcat parlamentare dhe jo parlamentare, një proces ku janë përfshirë shumë kandidatë, ka pasur disa mundësi për konsensus dhe në fund fare kemi pasur rolin e Parlamentit, i cili ka qenë plotësisht sovran, por i cili ka pasur edhe detyrën, sipas Kushtetutës, që të jepte një zgjidhje konkrete edhe për të evituar zgjedhje të parakohshme, përsëri si rezultat i kërkesave të Kushtetutës, në rastin e moszgjidhjes së Presidentit”, u shpreh Meta në konferencën e djeshme për shtyp. Ai tha se Presidenti i ri i vendit është një figurë konstruktive, pavarësisht faktit se vjen nga PD-ja. “Të jeni të sigurt se produkti konkret i gjithë këtij procesi, i cili tani është Presidenti i ri i Republikës z. Bujar Nishani, pavarësisht nga përkatësia në të kaluarën e Partisë Demokratike, absolutisht që është një figurë tepër konstruktive, tepër bashkëpunuese, tepër institucionale. Është një figurë që sjell qetësi dhe bashkëpunim. Në këtë drejtim mendoj që edhe opozita ndan të njëjtin vlerësim për këtë personalitet, pavarësisht nga qëndrimi i saj politik për arsye, natyrisht, edhe të pakënaqësisë së saj për mosarritjen e një konsensusi për emra që kërkonte opozita. Në fund të fundit, duhet të kemi parasysh se konsensusi kërkon dy palë. Ky proces nuk mund të themi se ishte perfekt, por ka qenë procesi më gjithëpërfshirës, më demokratik, më transparent që ka pasur vendi”. Kreu i LSI-së hodhi poshtë zërat se pas zgjedhjes së Presidentit ai do të marrë postin e ministrit të Brendshëm në kabinetin qeveritar. “Tani, dihet që media bie dhe viktimë e të pavërtetave, por dhe kjo është demokratike. Unë ju falënderoj dhe një herë për vëmendjen dhe e theksoj që ky dialog që u vendos me rastin e procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri duhet të vazhdojë, duhet të intensifikohet, për të mbyllur tri çështje kyçe, reformën parlamentare, reformën zgjedhore, dhe njëkohësisht çështjen e imunitetit. Në rast se këto mbyllen me sukses, absolutisht, unë jam i bindur që statusi i vendit kandidat është një mundësi tërësisht e arritshme. Të jeni të sigurt ju, që figura e Presidentit të ri nuk është pengesë, por është ndihmesë për statusin e vendit kandidat”, përfundoi kreu i LSI-së.

“Të mbyllet reforma zgjedhore e parlamentare”
Kreu i LSI-së i bëri thirrje dje dy forcave të mëdha politike se pas mbylljes së procesit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, tani duhet të përfundojnë në kohë reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Sipas tij, këto dy reforma së bashku me heqjen e imunitetit duhet të jenë në axhendë. “Në emër të LSI, tani kur procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës ka përfunduar, unë do të dëshiroja të bëj apel për të ecur me shpejtësi drejt përmbylljes përfundimtare të reformës zgjedhore, të reformës të procedurave parlamentare dhe të zgjidhjes së çështjes së imunitetit, por njëkohësisht dhe me gjithë reformat e tjera në fushën e Drejtësisë dhe në të gjitha drejtimet e kërkuara edhe nga prioritetet e Bashkimit Europian, pasi është koha për të forcuar dialogun politik, është koha për të çuar para reformat dhe për të shikuar drejt një të ardhmeje të përbashkët”, tha Meta.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura