Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje në mbledhjen e Kryesisë së kësaj force politike se opozita duhet të pranojë vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Sipas tij, PS nuk mund t’i kundërshtojë vendimet kur janë kundër saj dhe anasjelltas. “Nuk mund të jetë Kolegji Zgjedhor një institucion i mirë kur rrëzon Ruzhdien sepse i intereson opozitës dhe një institucion i korruptuar kur merr një vendim të drejtë pikërisht në përputhje të plotë me kërkesën dyvjeçare të opozitës për transparencë dhe për të numëruar çdo votë. Nuk ka pasur proces më transparent se sa ai i numërimit të votave këtë herë dhe sidomos në kryeqytet. Kjo është edhe meritë e rezultatit të ngushtë. Është gabimi më i madh t’u kundërvihesh institucioneve thjesht sepse nuk të pëlqen rezultati. Këtë KQZ nuk e kemi krijuar ne. Kjo KQZ është produkt i konsensusit PS-PD. Dhe të gjithë anëtarët e KQZ-së, pavarësisht se nga cila palë janë propozuar, janë pranuar me konsensus nga të dyja palët”, tha Meta. Në këtë mbledhje të Kryesisë së LSI-së për rezultatin e 8 majit, Meta tha se Kolegji Zgjedhor është ngritur me mirëkuptimin e të dyja palëve. “Ky Kolegj Zgjedhor nuk është krijuar nga ne. Është krijuar me konsensus të plotë nga PS dhe PD dhe të gjithë emrat e gjykatësve janë pranuar me konsensus nga të dyja palët. Ndaj është koha që të dëgjojmë institucionet, sepse qytetarin shqiptar e dëgjuam dhe e pamë më 8 maj; është koha për të vendosur një standard të ri të sjelljes politike. U humb rasti që kjo gjë të bëhej përpara zgjedhjeve dhe në fillim të këtij procesi zgjedhor, ku pati nga ata që nuk e firmosën paktin për zgjedhjet demokratike dhe me një etikë qytetare, por unë mendoj që nuk e kanë humbur rastin për t’u sjellë në mënyrë qytetare në fund të këtij procesi”, tha Meta në mbledhjen e Kryesisë.
LSI, analizë strukturave
Kreu u LSI-së, Ilir Meta, tha dje se strukturat e kësaj force politike do t’i nënshtrohen një analize për të qenë gati për zgjedhjet e vitit 2013. “Si LSI mendoj se hymë në një fazë të re pas këtyre zgjedhjeve, ku ky rezultat është një bazë shumë serioze për një analizë të gjendjes së strukturave të LSI-së në të gjithë vendin dhe në çdo njësi vendore, por njëkohësisht, përsa u takon zgjedhjeve në LSI, për të cilën do të diskutojmë në rendin e ditës, pasi ka ardhur koha për t’i zgjedhur të gjitha forumet e LSI-së në mënyrën më demokratike, duke pasur në konsideratë edhe sfidën që na pret në vitin 2013”, tha Meta.











