
“Është rruga më e shpejtë që të mos humbim statusin”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i bëri sërish apel politikës që mos të shpërdorojë kohën për përfitime, por të plotësojë sa më parë kriteret për marrjen e statusit kandidat. Këtë apel, Meta e ka bërë në hapjen e Kampingut të Lëvizjes Rinore për Integrim në Jalë, ku po pushojnë 600 të rinj nga LRI-ja e qarkut të Fierit. Duke vlerësuar kontributin që ka dhënë LSI-ja, si në kuadër të liberalizimit të vizave dhe ruajtjes të stabilitetit politik, z. Meta ka theksuar: “Ne kemi bërë gjithçka që mund të bëjë një forcë e përgjegjshme për të nxitur reformat dhe konsensusin që i përshpejton ato në vendin tonë. Ndaj gjejmë rastin përsëri t’i ftojmë aktorët politikë të mos e shpërdorojnë kohën që është tepër e çmuar në ditët që po kalojnë, në javët që po vinë, për t’i dhënë Shqipërisë statusin për 100-vjetorin e pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë.
Më pas, duke folur për situatën më të fundit politike që është heqja e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë, kreu i LSI-së, Meta, ka shprehur dhe njëherë vullnetin e forcës që ai drejton për zgjidhjen në mënyrë përfundimtare të kësaj çështjeje.
“Ndaj ne e gjejmë rastin përsëri të theksojmë se kjo është e domosdoshme, kjo është një kërkesë jo vetëm e partnerëve ndërkombëtarë, por edhe e qytetarëve shqiptarë, për të cilën ata mund të shprehen edhe me referendum, por është rruga më e mirë, më e shpejtë më efikase që të realizohet përmes një konsensusi parlamentar gjatë 2-3 javëve të ardhshme”, tha ai. Meta, duke u ndalur në funksionimin e brendshëm të LSI-së, theksoi se riorganizimi i strukturave politike të LRI-së dhe LSI-së të kryera tashmë, e që do finalizohen në Konventën Kombëtare Zgjedhore, “do të jetë një ‘motor’ i fuqishëm që do na çojë drejt suksesit në zgjedhjet parlamentare të 2013-s”.











