‘Komision për reformën zgjedhore, pakt për BE’

Aug 22, 2011 | 13:30

TIRANË- Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka ftuar forcat politike që me sesionin e ri parlamentar të ngrihet me urgjencë komisioni për reformën zgjedhore dhe më tej të miratohet paketa e ligjeve që kërkon shumicë të cilësuar si kusht për integrimin e vendit në BE.

Gjatë një konference për shtyp, Meta ka theksuar se LSI është e angazhuar për një pakt kombëtar për integrimin e vendit, që del jashtë kornizave partiake, me qëllim arritjen e një momenti pozitiv gjatë dy amujave të ardhshëm. E për këtë ka ftuar të jenë pjesë të gjitha forcat politike.

“Apeloj në emër të LSI-së, që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të ngrihet komisioni për reformën zgjedhore dhe apelojmë që të miratohen ligjet me shumicë të cilësuar, pasi paketa prej 16 ligjesh është e gatshme dhe pret vetëm miratimin”- tha Meta.

Ai u bëri thirrje forcave politike te tregojnë vullnet pozitiv për të hedhur hap cilësor në raportet e vendit me BE-në.

Sa për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Meta deklaroi se LSI ka bërë publik me kohë qëndrimin e saj dhe ka pranuar se ai është një kod problematik. “Ne kemi vërejtjet tona, demokracia është proces, por ne morëm pjesë në zgjedhje, pavarësisht se nuk na pëlqente kodi”- tha ai, duke i mëshuar urgjencës së komisionit për reformën zgjedhore.

© Panorama.al

Te lidhura