Meta: Imuniteti të hiqet në Kuvend

Sep 5, 2012 | 11:57
Kreu i LSI, Ilir Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje nga Skrapari se heqja e imunitetit duhet të vijë në rrugë parlamentare dhe jo duke pritur referendumin popullor, siç ka propozuar Partia Demokratike. Kreu i LSI-së pohoi se rruga institucionale është më e shpejta që duhet të ndjekin partitë politike për kufizimin e imunitetit të deputetëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë, për të fituar në këtë mënyrë kohë, para dhënies së vlerësimeve për statusin e vendit kandidat nga Komisioni Europian. Sipas kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, imuniteti duhet të hiqet sa më shpejt, me çdo mjet demokratik, për të përmbushur në kohë kushtet e BE-së për marrjen e statusit kandidat. “Për ne si LSI, është e rëndësishme që të hiqet imuniteti sa më shpejt të jetë e mundur me çdo mjet dhe me çdo mënyrë demokratike. Pa dyshim që edhe referendumi mbetet një mjet i vlefshëm për heqjen e imunitetit, por koha është shumë e rëndësishme, sepse këto ditë, këto javë, vendoset për statusin. Ndaj heqja e imunitetit maksimizon mundësinë për marrjen e statusit. Në këtë mënyrë rruga më e shpejtë është ajo në Parlament, sepse ju e dini me referendum do të kërkojë mjaft kohë”, deklaroi Meta.
Apeli
Kreu i LSI-së nuk ka kursyer dhe apelin ndaj klasës politike, për të bërë gjithçka që është e mundur që kufizimi i imunitetit dhe reformat e mbetura të realizohen në kohë. “Politika duhet të bëjë çdo gjë për ta marrë. Po të kishte qenë për LSI-në, do të ishte marrë me kohë. Ju i dini qëndrimet tepër konstruktive të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Duhet të zgjidhet çështja e imunitetit urgjentisht, brenda këtyre ditëve, brenda këtyre javëve, sepse koha është shumë e rëndësishme. Natyrisht që duhen lënë ethet elektorale për në periudhën kur do të afrojnë zgjedhjet. Nuk duhet penguar statusi për interesa të ngushta të askujt”, theksoi kreu i LSI. Meta i bëri këto deklarata gjatë përurimit të fillimit të punimeve në segmentin Çorovodë-Hambull, investim që kap vlerën e 400 milionë lekëve. Në fjalën e tij Meta u shpreh se realizimi i kësaj rruge është një ëndërr tashmë e kthyer në realitet. Sipas tij me mbarimin e kësaj rruge do të marrë një zhvillim rrënjësor turizmi në këtë zonë dhe qytetarët shqiptarë e turistët e huaj do të shikojnë bukuritë përrallore të Kanioneve të Skraparit.     d.xh

© Panorama.al

Te lidhura